1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndihma në miliarda për Sirinë

Komisioni Evropian premtoi në konferencën e donatorëve për Sirinë më shumë se një miliardë euro nga buxheti i BE-së.

Me shuma në miliarda bashkësia ndërkombëtare dëshiron të lehtësojë vuajtjet e viktimave të luftës civile siriane dhe të parandalojë flukset e mëtejshme të refugjatëve. Nga fondi i BE-së do të jepen 1.1 miliardë euro për Sirinë dhe vendet fqinje, që synojnë të ndihmojnë për zbutjen e gjendjes së mjeruar, njoftoi Komisioni Europian. Këto para shpresojmë t'u mundësojnë "miliona njerëzve një jetë më të mirë" tha Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk. Pas kaq shumë vitesh konflikt të prekurit prej tij kanë humbur shpresën dhe "ne kemi një detyrim moral për t'u kthyer atyre shpresën" - tha Tusk.

Jo më reduktim racionesh ushqimore

Ndihma kanë premtuar edhe disa qeveri të shteteve të BE-së. Në këtë mënyrë shuma totale e ndihmave arriti në më shumë se tri miliardë euro. Gjermania dhe Britania e Madhe, që u përkasin organizatorëve të konferencës së Londrës për Sirinë, bënë pretimet më të mëdha individuale. Kancelarja Angela Merkel premtoi 2.3 miliardë euro deri në vitin 2018, nga këto 1.1 miliardë euro për vitin 2016. Shuma të mëdha kanë premtuar edhe SHBA, Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kuvajti.

Nisma për konferencën e Londrës ku u mblodhën përfaqësues të rreth 70 qeverive, qe mungesa e fondeve për UNHCR dhe Programin Botëror të Ushqimit (WFP), të cilat u detyruan vitin e kaluar të reduktonin racionet e ushqimit për miliona refugjatë sirianë dhe irakianë në Jordani, Liban, Turqi, Siri dhe Irak. Kjo konsiderohet si një arsye kryesore për valën e më shumë se një milion refugjatëve që erdhën përmes Turqisë në BE dhe veçanërisht në Gjermani.

"Ne duam të sigurojmë që të mos krijohen përsëri situata të tilla që të pakësohen kaq shumë racionet e ushqimit për refugjatët," tha Merkel. Për këtë arsye Gjermania do të ofrojë këtë vit rreth gjysmën e buxhetit që i nevojitet WFP-së për rajonin për këtë vit. Qeveria gjemane thotë se është më mirë dhe shumë më të lirë, për t'u ndihmuar njerëzve në vendlindjen e tyre ose në afërsi se sa për t'i ushqyer ata më vonë në Evropë.

Mënyrë e re ndihme

Konferenca e donatorëve theksoi se e rëndësishme nuk është vetëm mbledhja e parave, por dhe një mënyrë e re ndihme. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron që

krahas ndihmave për ushqime të organizojë edhe oferta për shkollim dhe punësin për refugjatët sirianë dhe irakianë në rajon. Mbështetje do të marrin sidomos Jordania dhe Libani, që kanë strehuar më shumë se një milion refugjatë sirianë. Jordanisë e cila vuan edhe nga vështirësitë financiare do t'i ofrohen edhe lehtësime tregtare me BE-në. Qëllimi është stabilizimi i rajonit. Mbreti i Jordanisë Abdullah paralajmëroi se vendi dhe populli i tij kanë arritur në limit.