1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndihmësit vullnetarë në itinerarin e Ballkanit

Pa ndihmësit, rruga e Ballkanit për refugjatët nuk do të funksiononte. Ndihmësit privatë dhe organizata joqeveritare bëjnë këtu mjaft nga detyrat e qeverive. Dhe e bëjnë këtë në kushte të vështira të të ftohtit.

Kaosi i përditshëm në Preshevë të Serbisë. Shiu bie me gjyma, mijëra refugjatë presin para qendrës së regjistrimit, policia përpiqet ta mbajë nën kontroll masën e njerëzve me kangjella metali.

Një i ri me mushama për t'u mbrojtur nga shiu u mbush mendjen policëve që të lënë të kalojë një grua shtatzënë. Ai lë përshtypjen e një ndihmësi profesionist, por Skip Daniels është në fakt thjesht turist: "Kam rreth një vit që udhëtoj nëpër Evropë. Në Beograd u ndesha papritur me temën e refugjatëve. Më ra si shok. Prandaj erdha spontanisht në kufirin serbo-maqedonas, sepse këtu është gjendja më e keqe." Skip është nga Los Angeles, sapo ka mbushur 19 vjeç, fle në sheshin e kampit në Preshevë dhe ka ndjesinë se po bën këtu diçka me rëndësi.

Shtatë kilometra më tej, në fshatin kufitar serb Miratovac, hoxha fton për faljen e drekës. Gati të gjithë banorët këtu janë shqiptarë etnikë, edhe Dafina, e cila po përpiqet të qetësojë një fëmijë sirian. Më pak se 3000 banorë ka Miratovaci, 6000 deri 10000 refugjatë kalojnë çdo ditë këtu. "Ne nga qendra e rinisë jemi dymbëdhjetë vetë këtu, ndajmë mushama shiu, informojmë njerëzit, ndihmojmë sa mundemi", thotë Dafina.

Janë njerëz si Skip dhe Dafina që kujdesen që itinerari i Ballkanit të funksionojë. Qeveritë e Maqedonisë dhe të Serbisë janë përqendruar krejtësisht në transportimin e mëtejshëm të refugjatëve. Furnizimin me ushqim, pije, rroba e bëjnë organizata si Organizata e OKB-së për refugjatët dhe mijëra vullnëtarë.

"Kam katër muaj këtu, në fillim nuk kishte as çadra dhe as WC. Tani po bëhet më mirë. Ka ujë, ushqim, batanije, të paguara shumica nga donacione private dhe Kryqi i Kuq është këtu." Kështu shprehet në stacionin maqedonas të kufirit Tabanovce, Driton Maliqi, nga organizata islamike e ndihmës Legis.

Edhe për ndihmësit çdo ditë situata po rëndohet. Shiu i vazhdueshëm ka shkaktuar përmbytje në Maqedoni, natën temperaturat i afrohen zeros. Edhe në dimër, kur udhëtimi me varka bëhet më i rrezikshëm midis Turqisë dhe ishujve grekë, vala e refugjatëve nuk do të ndalet, thotë Driton Maliqi.

"Ka një rrugë të dytë, rruga tokësore midis Turqisë për në Greqi. Trafikantët kërkojnë për të më shumë para. 2500 dollarë nëpër male, në vend të 1000 dollarëve përmes detit, por shumë refugjatë nuk shohin rrugë tjetër. Unë flas arabisht me ta dhe ata më tregojnë se e kanë shitur të gjithë pronën që kishin, se lufta në Siri u ka hequr çdo shpresë. Lufta ka hyrë në vitin e pestë."

Në muajt e dimrit, ndihmësit privatë në itinerarin e Ballkanit janë edhe më të nevojshëm.