1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndihmë apo falimentim? Do të miratohet paketa e ndihmës për Greqinë?

Ende nuk dihet me siguri nëse eurozona në takimin e së hënës do ta miratojë paketën e dytë të ndihmës për Greqinë. Mosmarrëveshjet mes europianëve janë të mëdha.

´Re të errëta mbi Akropolis

Re të errëta mbi Akropolis

Këtë të hënë (20.02. 2012) në Bruksel takohen ministrat e Financave të vendeve të eurozonës  për t'u konsultuar lidhur me hapat e mëtejshme për ndihmat për Greqinë. Në qendër të takimit është vendimi nëse do të miratohet ose jo dhënia e paketës së dytë të ndihmave financiare Greqisë në vlerën 130 miliardë euro.

Tone optimiste

Kryetari i grupit të vendeve të eurozonës, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, u shpreh me plot besim që në parim të hënën (20.02.2012) mund të bihet dakord për paketën e dytë të ndihmave. Ngjashëm u shpreh edhe qeveria në Romë pas një konference telefonike mes kryeministrit italian Mario Monti me kryeministrin grek Lucas Papademos  dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

Në faqen e saj të internetit kancelarja  u përpoq në fundjavë t'i konsiderojë si të kuptueshme mosmarrëveshjet mes vendeve europiane për Greqinë. Në politikën europiane ashtu si dhe në politikën e brendshme gjermane  ka shumë debate lidhur me rrugën e duhur që duhet ndjekur për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi. "Pikërisht kur diskutojmë, ne nisemi nga ajo ç'është më e mira për Europën."

Jean Claude Juncker, kryetari i eurogrupit

Jean Claude Juncker, kryetari i eurogrupit

Mosmarrëveshje të brendshme

Jo vetëm në Europë, por edhe brenda Gjermanisë, ka grindje lidhur me masat për shpëtimin e Greqisë. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble para pak ditësh ndezi përsëri spekullimet, kur tha se vendet e eurozonës nuk mund t'i hedhin ndihmat e tyre në një fuçi pa fund. Për këtë arsye zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert  bëri të ditur të premten (17.02.2012) se kancelarja dhe ministri i Financave janë në unanimitet të plotë sa i përket ndihmave për Greqinë.

Kryeministri francez François Fillon tërhoqi vëmendjen ndaj spekulimeve për falimentimin e shtetit grek. "Kjo do të ishte dramatike si për vetë grekët ashtu edhe për europianët". Duhet të bëjmë gjithçka të mundshme për ta parandaluar një falimentim të tillë", theksoi ai.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble

Politika kundër ekonomisë

Frika nga falimentimi i Greqisë dhe pasojat e mundshme duket se po dominojnë kursin e politikës financiare. Sipas një analize të së ashtuquajturës Trojka e ekspertëve të ekonomisë nga Komisioni i BE-së, FMN-ja dhe BQE-ja, arrihet në konkluzionin se nuk mjaftojnë planet e politikës për uljen e qëndrueshme të nivelit të borxheve të Greqisë.

E paqartë është edhe nëse do të ketë falje vullnetarisht të borxhit nga kreditorët privatë, për ta çliruar Greqinë nga barra e 100 miliardë eurove të tjera. Shoqata Ndërkombëtare e Bankave IIF, që përfaqëson institutet private financiare ende nuk është shprehur zyrtarisht për këtë.


Autor: Rachel Gessat/Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi