1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndeshja Shqipëri – Serbi nën masa të rrepta sigurie

Goditja me gurë e autobusit të kombëtares serbe në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës ka anuluar për arsye sigurie një seancë stërvitore që zhvillohet gjithmonë në prag të ndeshjeve ndërkombëtare.

Burime nga policia e Tiranës konfirmuan në mesditë se është arrestuar një adoshelent 15 vjeçar që dyshohet se ka qëlluar në distancë me gurë autobusin me të cilin udhëtonte mbrëmjen e së mërkurës nga aeroporti në drejtim të hotelit ekipi i kombëtares së Serbisë. Ngjarja ndodhi rreth 3 km para vendit ku do të akomodohej ekipi dhe nga goditja pati krisje të xhamit në pjesën e drejtuesit të automjetit, pa dëmtime të lojtarëve dhe menaxherëve të ekipit. Megjithëse nën masa të rrepta, ku eskorta futbollistike serbe shoqërohej nga forcat elitë të policisë dhe ndërhyrjes së shpejtë si dhe nga agjentë civilë, ky incident shkaktoi debate diplomatike, me thirrje të autoriteteve serbe për të garantuar siguri për lojtarëve dhe personelit shoqërues.

Tirana por dhe qyteti ku do të zhvillohet ndeshja, Elbasani, 52 km larg, janë gdhirë të blinduar të enjten (08.10) në prag të ndeshjes që do të luhet në mbrëmje. Ministria e Brendshme thotë se në terren janë rreth 2300 forca policore, që do jenë në gatishmëri maksimale për të evituar incidente dhe provokime brenda dhe jashtë stadiumit “Elbasan Arena”. Në një rreze rreth 3 km në qendrën e Tiranës ka prezencë të shtuar të policisë dhe agjentëve civilë, në rrugë dhe institucione. Më shumë policë ka dhe në selinë e Ambasadës së Republikës së Serbisë në kryeqytet, kurse hoteli ku është vendosur ekipi serb dhe menaxherët rreth 400 metra më tutje është zonë e pakalueshme për qytetarët. Masat e sigurisë kanë anuluar dhe një stërvitje familjarizuese në stadium të ekipit serb që drejtohet nga Radovan Çurçiç, një standard që aplikohet në çdo ndeshje ndërkombëtare. Për trajnerin Çurçiç vërtet që kjo ndeshje e tejkalon sportin, por siç u shpreh ai në takimin me median sapo mbërriti në Tiranë “ne duam vetëm futbollin dhe do të përpiqemi me çdo mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje”.

Ngjarjet e dhunshme të një viti më parë në Beograd, si dhe shanset që ka ekipi shqiptar për një kualifikim të parë në finalet e kampionatit evropian të futbollit duket se kanë tejkaluar emocionet e një ndeshje normale mes dy vendeve fqinje me të shkuar problematike. Për autoritetet në Shqipëri masat e sigurisë që të enjten në mbrëmje të ketë vetëm një ndeshje futbolli dhe festë sportive janë objektivi kryesor. Ministri i Brendshëm pak orë më parë deklaroi se ka një bashkëpunim me vendet në rajon dhe BE, si dhe me FSHF, UEFA dhe FIFA, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive. Sipas tij, nuk do të lejohet “që emocionet e sportit të kthehen në kërcënim për qytetarinë”.

Bashkë me ekipin e tyre prezent në stadiumin Elbasan Arena do të jenë rreth 170 shtetas serbë. 70 prej tyre, student, përfshi dhe anëtarë të kabinetit të kryeministrit Vuçiç janë pritur mëngjesin e së enjtes nga kryeminsitri Rama, në një përpjekje për çtensionim të situatës. Por kryeministri Rama duket se nuk ka bindur dot homologun e tij serb që edhe të jetë në shkallët e stadiumit, një opcion i përfolur prej disa ditësh në qarqet mediatike dhe politike.

Pak para fillimit të ndeshjes fokusi është përqëndruar në qytetin e Elbasanit ku dy kombëtaret do të ndeshen në kuadër të eleminatoreve të Evropianit 2016. Nëse vetëm rreth 14 mijë vetë do të jenë dëshmitarë të lojës në fushën e blertë brenda në stadium, janë shumë e shumë të tjerë të cilët janë duke organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera ndjekjen kolektive të ndeshjes, e konsideruar si historike. Mijëra qytetetarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e nga vende të tjera, si dhe nga diaspora kanë hyrë në Shqipëri në 48 orët e fundit, që dhe pa u pajisur me biletë kanë preferuar të jenë prezentë në mjedise publike për të ndjekur ndeshjen.

DW.COM