1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nderim për kancelaren Angela Merkel në Uashington

Udhëtimi në Uashington i kancelares federale Angela Merkel javën e ardhshme vjen në një kohë, kur politika e jashtme gjermane përpiqet të gjejë mbështetje të re.

Barack Obama dhe Angela Merkel në takimin e Natos, 01.06.11

Barack Obama dhe Angela Merkel në takimin e Natos, 01.06.11

Një yll pesëcepësh, i rrethuar nga shqiponja të arta të emblemës- këtë medalje me një rrip blu do t'i varë në qafë presidenti i SHBA, Barak Obama kancelares gjermane, Angela Merkel. Dhënia e medaljes është pika kulmore e një banketi shtetëror ceremonial, në të cilin përveç bashkëshortit të Angela Merkelit do të marrin pjesë edhe pesë ministra federalë të kabinetit. "Medalja presidenciale e paqes" është dekorata më e lartë civile e SHBA- ai që e merr atë ka korrur shumë merita për SHBA ose për paqen botërore. Merkeli e vlerëson shumë këtë nderim, të thonë në zyrën e kancelares. Atje u konstatua me satisfaksion që amerikanët vizitën e delegacionit të madh gjerman e trajtojnë nga ana protokollare si një vizitë shtetërore, megjithëse kryetarja e qeverisë nuk është kryetare e shtetit.

Etje për respekt

Ndere ushtarake, të shtëna përshëndetëse dhe banket shtetëror me 250 miq të ftuar në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë kanë kuptimin e tregimit të një vëmendjeje, të cilën diplomacia gjermane këto ditë e kërkon më shumë se më parë. Pasi qeveria gjermane papritur abstenoi në votimin për Libinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qeveria e SHBA u irritua. Britania e Madhe dhe Franca u zhvendosën në perceptimin amerikan me veprimin e tyre të vendosur edhe më në radhë të parë, në një kohë që Gjermaninë e lëkundur e spostuan në radhët e pasme të parketit diplomatik. Lëvdata nga qeveria e SHBA erdhën vetëm për propozimet gjermane për zgjidhjen e konfliktit së Transnistrisë.

Që para votimit të diskutueshëm për Libinë, marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit dukeshin vërtet solide, por pak dinamike. Dy vjet e gjysmë pas ardhjes në pushtet, udhëtimet ende nuk e kanë sjellë Obamën në Berlin. Me zhgënjim regjistronte qeveria gjermane që presidenti i SHBA në udhëtimet e tij në Evropë gjithnjë i shmangej kryeqytetit gjerman. Potenciali ngushëllues i udhëtimeve të tij në Drezden dhe Baden-Baden ndërkohë është konsumuar. Prandaj është afër mendsh që në qendrimin e saj në Uashington, kancelarja gjermane do ta ftojë Barack Obaman të vijë në Berlin dhe që presidenti amerikan do ta respektojë këtë ftesë në një të ardhme jo të largët.

Nevojë e madhe për të biseduar

Përtej gjithë ndereve protokollare, për kancelaren gjermane ka rëndësi që Obama në dy ditë pasuese do të ketë shumë kohë për bisedime me të. Ka shumë tema për t'u diskutuar: situata në botën arabe, në Afganistan dhe në Lindjen e Afërt është njësoj në rend të ditës si kriza e euros, politika e energjisë dhe bashkëpunimi ekonomik midis SHBA dhe Evropës. Gjithsej pesë ministra nga kabineti i saj do të marrë Merkeli me vete në SHBA, për të mbuluar të gjithë spektrin e gjerë të temave. Thuajse kemi të bëjmë me konsultime qeveritare, thuhet në zyrën e kancelares, sepse edhe nga pala amerikane do të jenë të pranishëm zëvendëspresidenti Joe Biden, ministrja e Jashtme, Hillary Clinton dhe ministra të tjerë.

Autor: Nina Werkhäuser/Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM