1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nderi i fituar i Christian Wulff-it

Ish-kreu i shtetit lirohet prej akuzës për përfitim në post. Megjithatë ajo që mbetet është imazhi i një njeriu të papërshtatshëm për postin. Por edhe mediat kanë dështuar, komenton Marcel Fürstenau.

Christian Wulff-i u rehabilitua. Ketë duhet t'ja dëshirojmë atij. Jo për mëshirë, por sepse lirimi i tij nga akuza prej Gjykatës së Lartë në Hanover është si një lloj drejtësie që vendos ekuilibër. Presidenti i dorëhequr në shkurt 2012 për shkak të akuzave për korrupsion përtej vlerësimit juridik në fakt është ndëshkuar më shumë se ç'duhej. Një vit pas dorëheqjes së tij prokuroria e landit të Saksonisë së Poshtme ngriti padi për përfitim në post. E pikërisht si pasojë e kësaj rëniejeje të thellë dështoi edhe lidhja e dytë bashkëshortore e Wulff-it.

Pavarësisht nga gjykimi i shqiptuar tani: 54 vjeçarit iu desh të paguajë një çmim jashtëzakonisht të lartë si në aspektin profesional edhe në atë privat. Shkaqet dhe arsyet për këtë kanë të bëjnë sa me personin aq edhe me mjedisin përreth tij. Kemi të bëjmë me historinë e një politikani në përpjekje për të fituar reputacion, i cili vullnetarisht e bëri më shumë se ç'duhej publike jetën e tij private. Me vullnetin e tij ai i krijoi mundësi madje edhe shtypit bulevardesk që të vinte syrin në vrimën e çelësit. Me bashkëshorten e tij shumë më të re dhe tërheqëse Bettina në krah dukej sheshit që Wulff e shijonte popullaritetin e vet si burri i parë i shtetit. Kjo jo gjithmonë i shkonte përshtat postit, që kërkon një farë distance, madje për të qenë i përkryer në këtë post kërkohet edhe fisnikëri.

Marcel Fürstenau

Keqmenaxhimi i krizës dhe etja për sensacion

Nga familja e tij Wulff, i cili më shumë të krijon përshtypjen e një babaxhani, nuk është mbrujtur me veti të tilla. Megjtihatë ai do të mund të kish qëndruar president madje edhe mund të kishte fituar më shumë prestigj, në rast se prokuroria nuk do të hetonte ndaj tij. Por kjo ishte e pamundur në sfondin e akuzave që lakoheshin. Tani s'ka më vlerë të spekulohet, nëse ishte e domosdoshme ngritja e padisë. Nga rreth 12.000 faqe të dosjes hetimore në fund u kristalizua vetëm një përfitim në vlerën e 753 eurove dhe 90 sent, që tani rezultoi si i pamjaftueshëm për të provuar fajin. Në këtë kontekst më interesante është çështja, se ç'rol kanë luajtur mediet në të gjithë këtë aferë? E për këtë të paktën është legjitime të hamendësosh, se ndoshta ishte pikërisht raportimi kryekëput i pamëshirshëm mediatik që e ndolli këtë padi.

S'ka asnjë dyshim që menaxhimi i krizës sa kohë Wulff vazhdonte të ishte president ishte përtokë. Por ai u vu me shpatulla pas muri edhe nga hordhi gazetarësh, të cilët përveç interesit legjitim dhe të domosdoshëm për të zbardhur rastin nuk mund ta fshihnin epshin për gjueti ndaj personaliteteve. Dikush ka përllogaritur që afera Wulff ka qenë për plot 22 orë temë e emisioneve të ndryshme TV-Talkshows! Shkaku dhe pasoja u ndërthurën në një vorbull absurde. Ishte një reaksion i pandalshëm zinxhir: Nga njëra anë pasioni për të qenë dikush i një njeriu që kërkon të ngjitet lart, nga ana tjetër instiktet e ulëta të një profesioni, që i vë në pozitë viktimat e veta. Të dyja palët në këtë lojë jo dinjitoze ishin njëkohësisht viktimë dhe autor.

I akuzuari shfrytëzon shansin e fundit

Në fund të kësaj drame ish-presidenti i rrënuar bën një figurë më të mirë. Ai e shfrytëzoi për herë të fundit skenën publike, për të provuar në formë të porcionuar pafajësinë e vet në procesin kundër tij. Ai ia arriti qëllimit me ndihmën e avokatëve të vet. Ndërkohë një sërë mediesh sërish e shfrytëzuan rastin, për të prodhuar përsëri kryeartikuj ose për të kapur me kamera imazhe demaskuese. Si p.sh. çastin kur Christian dhe Bettina Wulff u puthën rëmbimthi në korridoret e gjykatës. E sërish doli në pah epshi i pangopur i disa gazetarëve. Christian Wulff mundet dhe duhet ta ngushëllojë veten, që ai ka rifituar nderin e tij.