1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndarje e drejtë? - Tatim të pasurve

Peter Stützle / Vilma Filaj-Ballvora6 Gusht 2012

Në kushtet e krizës së borxheve disa organizata në Berlin i janë drejtuar opinionit me qëllimin, që njerëzit me të ardhura të larta të kontribuojnë më shumë në financimin e shtetit.

https://p.dw.com/p/15kMI
Fotografi: dapd

Shtysa erdhi nga organizata kundër globalizimit Attac. Një sërë shoqatash sociale, sindiktatat dhe të tjera organizata civile, kryesisht nga spektri i majtë i politikës janë bashkuar ndërkohë me një qëllim të përbashkët. Ato kërkojnë që me rritjen e taksave të pasurve t'i bëhet ballë krizës financiare, të pakësohen borxhet shtetërore dhe të sigurohet shteti social.

Jutta Sundermann, bashkëthemeluese e lëvizjes Attac në Gjermani, i kundërvihet ashpër politikës që po ndiqet aktualisht për përballimin e krizës së euros: "Ne kemi përjetuar krizën e borxheve të botës së tretë, prej nga mësuam, se nuk është e mundur të dilet nga kriza përmes kursimeve." Në vend të tyre janë të nevojshme më shumë të ardhura për shtetin.

Global Media Forum GMF 2011 Jutta Sundermann ATTAC Deutschland
Jutta Sundermann nga lëvizja ATTAC, GjermaniFotografi: DW

Në të shkuarën ka pasur një depozitim dramatik të pasurisë nga arkat publike në ato private, konstaton Sundermann. Gjithashtu në valën e krizës financiare borxhet private "kanë kaluar në arkat publike". Tani duhet të ndodhë e kundërta. "Federata, landet dhe komunat aktualisht kanë së bashku rreth dy trilionë euro borxhe, afërsisht këto janë aq para sa mund t'i deklarojë si të vetat përqindja më e pasur e shtetsave në federatë."

"Shteti social po merr fund"

Shoqata e bamirësisë dhe barazisë, një bashkim i rreth 10 000 organiazatave nga të gjitha sferat sociale, sipas drejtorit ekzekutiv të saj Ulrich Schneider, është angazhuar për herë të parë në historinë e saj në një aleancë të tillë aksioni. Si arësye Schneider ngre shqetësimin, që me vënien në zbatim të frenës kombëtare të kursimeve në landet federale dhe në komuna "shteti social po merr fund". Eshtë vërtetë një objektiv për t'u admiruar, që ne t'u lemë nipërve e mbesave një buxhet pa borxhe". Por që ta blesh këtë duke lënë pas shkolla e kopështe të shkatërruara, biblioteka të mbyllura dhe parqe lojërash të rënuara, është "një politikë po aq e papërgjegjshme kundrejt brezavetë ardhshëm."

Frank Bsirske, kryetar i sindikatës së sektorit të shërbimeve publike ver.di, shkakun e sheh tek problemet aktuale financiare tek "çlirimi sistematik prej detyrimeve kundrejt shtetit përgjatë më shumë se 15 e 20 vjetësh i të pasurve, atyre që kanë të ardhura të larta dhe atyre që nxjerrin fitim nga kaptali dhe sipërmarrjet." Disa qeveri federale pavarësisht nga përbërja partiake kanë qenë pjesë e këtij sistemi. Pa uljen e tatimeve qysh nga viti 1998 buxhetet publike do të kishin sot çdo vit 50 miliardë euro më shumë në dispozicion, sipas Bsirskes. Por ai lë jashtë vëmendjes faktin, se pa çlirimin nga barra e tatimeve zhvillimi ekonomik ndoshta do të kishte pasur një eucri krejt tjetër.

Tarifverhandlungen Verdi Öffentlicher Dienst Bsirske
Frank Bsirske, kryetar i sindikatës së sektorit të shërbimeve publike ver.diFotografi: dapd

Të inkurajuar nga Hollande

Aleanca e organizatave shoqërore, që u prezantua tani, përmes një dite aksioni në mbarë federatën në fund të shtatorit nën moton "Ndarje e drejtë - tatim pasurisë" do të kontribuojë për një frymë të re. Konkretisht ajo kërkon rivendosjen e taksës ndaj pasurisë të hequr në vitin 1996, një tatim më të lartë të trashëgimisë, rritjen e normës maksimale të tatimit ndaj të ardhurave, tatim më të lartë ndaj fitimit të sipërmarrjes dhe të ardhurave nga kapitali si dhe tatimin për transaksionet në tregjet financiare. Gjithashtu aleanca do që kundrejt një pagese të vetme për çdo pasuri të madhe me një hap të vetëm të ulen ndjeshëm borxhet e shtetit. Një pagesë të tillë e sugjeroi para pak javësh edhe Instituti i Studimeve Ekonomike në Gjermani DIW.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje ndihen të inkurajuar nga presidenti i ri francez Francois Hollande, i cili ka hapur rrugën për rritjen e tatimeve ndaj atyre që kanë të ardhura të larta. Edhe në Gjermani në sfondin e krizës tek opozita e socialdemokratëve dhe ambjentalistëve të tilla mendime po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë, ndonëse ato vet për vite me radhë kanë ndjekur një tjetër politikë. Vetëm partia "E Majta" ka kërkuar gjithmonë me forcë tatime më të larta ndaj të ardhurave dhe pasurisë. Ndërkohë janë duke u përforcuar mendimet edhe tek vet partitë në pushtet, kristian-demokratët / kristian-socialët dhe liberalët për t'i rritur detyrimet tatimore ndaj atyre që sjellin rendiment të lartë ekonomik.