1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalimi i NPD-së po afrohet

Vera Kern10 Dhjetor 2015

Ndalimi i Partisë Nacionaldemokrate të Gjermanisë nga gjykata më e lartë gjermane duket më i mundur, pasi ka dështuar një provë në vitin 2003. Një mosmarrëveshje shumëvjeçare politike bëhet sërish temë diskutimi.

https://p.dw.com/p/1HKpO
Deutschland Bundesverfassungsgericht Verfahren NPD
Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb/U. Deck

Gjykata Kushtetuese Gjermane është ajo që do ta marrë tani vendimin. Mundësisht një vendim sa më përfundimtar dhe të pakontestueshëm. Pengesat për të ndaluar një parti në Gjermani janë të larta. Asnjë ministër, asnjë parti në Bundestag nuk lejohet ta ndalojë pa e zgjatur një parti tjetër. Këtë ka të drejtë ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese Gjermane, si instanca më e lartë juridike, si mbrojtësja e kushtetutës. Prandaj kërkohet të paraqiten dëshmi, që të konfirmohet se një parti shkel rendin demokratik kushtetues në Gjermani ose se përpiqet ta eleminojë këtë rend ose se rrezikon ekzistencën e Republikës Federale Gjermane. Ngjarjet në dy vende mund të jenë një dëshmi për këtë.

Heidenau dhe Tröglitz. Dy vende në Gjermani që janë bërë të njohura për ngjarjet e trishtuara atje. Në Heidenau, ekstremistë të djathtë hodhën në një demonstratë shishe me lëndë djegëse molotov në një strehim refugjatësh. Në Tröglitz u përfshi nga flakët një shtëpi strehimi azilkërkuesish. Pas kësaj, kryetari i bashkisë së Tröglitz-it dha dorëheqjen, sepse e pa veten dhe familjen e tij në rrezik konkret.

Këto zhvillime dramatike mund të jenë një dëshmi për Gjykatën Kushtetuese gjermane, sa e rrezikshme mund të jetë Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë (NPD). Në mars 2016, gjykatësit kushtetues do të vendosin për procedurën e ndalimit të partisë ekstremiste të djathtë. Me këtë, ndalimi i NPD-së për herë të parë duket i mundur.

Informantë dhe pengesa të tjera

Një përpjekje për ta ndaluar NPD-në dështoi në vitin 2003. Atëherë, gjykata kushtetuese i refuzoi dëshmitë e paraqitura në procesin gjyqësor për ndalimin e partisë, sepse në nivelin drejtues të NPD-së bënin pjesë një numër i madh informantësh. Me këta informantë të fituar dhe shteti vetë, pra ai që kërkonte ndalimin e partisë, pati mbledhur dëshmi. Në bazë të kushtetutës gjermane kjo nuk duhet të ndodhë. Kjo mbrojtje e përgjithshme prej një ndalimi arbitrar të partive e mbrojti atëherë edhe NPD.

Procesi kundër NPD
Procesi kundër NPDFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb/U. Deck

Kjo pengesë tashmë duket se është mënjanuar. Në procesin e tanishëm për ndalimin e partisë informantët nuk luajnë rol qendror. Tani pika e diskutimit është: a mjaftojnë dëshmitë, për të treguar se NPD është në kundërshtim me kushtetutën gjermane dhe se vepron në mënyrë aktive kundër rendit bazë të lirisë dhe demokracisë?

A ndalohet me urdhër ekstremizmi i djathtë?

Eksperti berlinez i ekstremizmit, Hajo Funke e vëzhgon prej një kohe të gjatë skenën e djathtë. Ai thotë se argumentat për ndalimin e partisë shtohen çdo javë. "NPD-ja është një nga agjitatoret aktive të sulmeve kundër refugjatëve dhe të huajve dhe demonstratave në Gjermani". Çdo atentat ndaj një strehimi azilkërkuesish, në të cilin dorasit qarkullojnë në ambjentet e NPD-së, sipas Funke-s është një dëshmi e re për Gjykatën Kushtetuese Gjermane. Përleshjet si në Trölitz, Funke i vlerëson si "raste të shkëlqyera ilustruese për rrezikun e kësaj partie neonaziste". Një ndalim këtë herë ka shanse të vërteta, vlerëson politologu.

Po a mund të ndalohet mendësia ekstremiste e djathtë në mendjet e simpatizantëve të NPD-së me ndalimin e partisë? Tek të gjitha partitë gjen skeptikë për këtë çështje vendimtare. Mijëra mbështetës të NPD-së, të ndaluar zyrtarisht në aktivitetin e tyre, mund të kalojnë në ilegalitet si terroristë të djathtë.

E qartë është: një ideologji e përvertësuar thellë nuk frenohet lehetë. Por një ndalim i partisë do t'u bënte të qartë të gjithë simpatizantëve dhe mbështetësve të partisë: ajo që bëni ju, është në kundërshtim me ligjin. Edhe policë dhe kryetarë bashkish, që kanë humbur sigurinë pasi nuk dinë si të mbrohen nga ekstremistë të djathtë, do të marrin mbështetje nga ndalimi i kësaj partie.