1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ndalimi i demonstratës në Drezden - vendim i gabuar?

Ndalimi i të gjitha demonstratave që lidhen me Pegidën të hënën (19.01) në Drezden shkaktoi kritika në Gjermani. Por edhe më parë janë ndalur demonstrime duke iu referuar sigurisë publike.

Ka qenë viti 2002. Ish-presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush do të mbante një fjalim para Bundestagut. Para tij kritikët e Bushit kërkonin të demonstronin, mes tyre edhe përfaqësues nga organizata Amnesty International. Autoritetet e sigurisë atëherë mendonin se mund të organizoheshin atentate kundër Bushit, me sa duket kishte sinjale për goditje nga atentatorë të veçuar, bomba apo atentatorë vetëvrasës. Për këtë arsye demonstrata e planifikuar u ndalua.

Gjykata Administrative e Berlinit duhej të merrej me kritikën që pasoi. Ajo pranoi se bëhej fjalë për një “ndërhyrje të rëndë në të drejtën themelore”, por për shkak të rrezikut për jetën e sigurinë e presidentit amerikan, ndalimi ishte i pranueshëm. Edhe një instancë më e lartë juridike, Gjykata e Lartë Adminstrative doli me të njëjtin konkluzion. Atentatori mund të përzihej me demonstruesit në çdo kohë, me pasoja të paparashikueshme.

E njëjta situatë u përsërit në kuadër të samitit të G8-s në Heiligendamm në vitin 2007. Ekspertët e sigurisë i trembeshin aksioneve të militantëve, madje edhe sulmin brenda në samit në një nga hotelet luksoze të Balltikut. Përgjegjësit atëherë argumentuan me vënie zjarri nga ana e kundërshtarëve të globalizmit në Berlin. Kështu u ndaluan demonstratat në afërsi të vendit kur organizohej samiti. Ndalime të tilla janë bërë për konferencën e NATO-s në Mynih, në vitet 70-të pas trazirave që shpërthyen në centralin energjitik bërthamor Brokdorf. Po ashtu edhe në vitet 60-të pas vdekjes së studentit Benno Ohnesorg, të cilin një polic e qëlloi gjatë aksioni proteste kundër Shahut të Persisë në Berlin.

G8 Proteste Heiligendamm

Samiti G8-, në Heiligendamm në vitin 2007: U ndaluan demonstratat në vendin e samitit

Rreziku nuk duhet të shpiket

Një ish-gjykatës i Gjykatës Kushtetuese gjermane, i cili nuk do të përmendet me emër në këtë artikull thotë se “pika qendrore ku rrotullohet ndalimi i së drejtës së tubimit janë provat konkrete dhe të vërtetuara për rreziqet e mundshme.” Një grup juristësh kritikë merret me trajtimin e ndalimit të demonstratave të lëvizjes ”Ditët e aksionit të lëvizjes Occupy” përreth bankave të Frankfurtit 2012. Ndalimi i tubimeve është mjeti i fundit që duhet të përdorë shteti. Nuk mjafton një rrezikim i dyqaneve, në një qytet nuk duhet të ruhet patjetër “një atmosferë e ndjenjës së mirë.” Duhet të mundësohet zhvillimi i ballafaqimeve shoqërore.

Gjykata Federale Gjermane me vendimin e majit 1985 e ka bërë të qartë se nuk duhet të ekzistojë një ndalim “preventiv”, pra për shkak të kujdesit. Policia para se të ndalojë “duhet të bashkëpunojë me organizatorët që të bëhet çdo gjë që është e mundur për të penguar prishjen e aktivitetit.” Kjo duket e pamundur tani në Drezden, sepse organizatorët nuk mund të ndikojnë tek ngjarjet. Kërcënimi ndaj organizatorit të Pegidas, Lutz Bachmann, i ardhur si sinjal nga shërbimet sekrete të huaja është shumë konkret dhe duket se planfikohet nga atentatorët të paparashikueshëm. Kreu i sindkíkatës së policisë, Rainer Wendt tha në një intervistë me NTV: “Mund të jeni të sigurtë, policia nuk kishte asnjë alternativë tjetër.”

Lutz Bachmann auf PEGIDA-Demonstration in Dresden

Kërcënime reale ndaj organizatorit të Pegidas, Lutz Bachmann

Rregullore të rrepta

E drejta e tubimit dhe demonstrimit mbrohet në mënyrë të veçantë në Gjermani nga ligji kushtetues. Për kufizimin e saj vlejnë rregullore të rrepta. Kështu një demonstratë lejohet të ndalohet, kur policia vëren “rrezikimin masiv” të sigurisë dhe nuk mund ta garantojë më atë. Ky është përjashtimi i vetëm. Nuk ka asnjë të dhënë se gjendja e rrezikimit po manipulohet ose po mbivlerësohet. Pas sulmeve në Francë apo ngjarjeve në Belgjikë, rreziku është shumë i madh, dhe në Dresden ka një listë të gjatë me të dhëna kërcënuese.

Megjithëse shumë lande gjermane kanë ndërkohë ligjet e veta të tubimit, për ndalimin e një demonstrate vlejnë kudo të njëjtat rregulla. Ndalimi i demonstratave është i mundur, kur pjesëtarët e saj paraqiten në mënyrë paramilitariste, ose kur demonstruesit duan të dalin para vendeve apo datave me simbolikë të veçantë historike. Për shembull në Gjermani nuk demonstrohet në vendet apo datat përkujtimore të viktimave të nacionalsocializmit. Ndërsa përsa i përket Drezdenit: Për ta relativizuar disi këtë ndërhyrje të fortë në lirinë e mendimit, policia dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme bënë të qartë se ndalimi i tubimit vlen vetëm për të hënën e 19 janarit.