1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndal dhunës! Paralajmërim i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Sirisë

Dhuna në Siri vazhdon. Ushtria po intervenon me të gjithë forcën kundër civilëve. SHBA do ta mbështesë një rezolutë të OKB-së kundër Sirisë.

default

Ushtria ndërhyn në Xhizër al-Shogur

Bashkësia ndërkombëtare po rrit presionin ndaj udhëheqjes siriane për të ndalur dhunën kundër demonstruesve. Ndërkohë që në Këshillin e Sigurimit u debatua të premten për Sirinë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon u shpreh me shqetësim të thellë dhe i cilësoi veprimet brutale të forcave të sigurisë si të papranueshme. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kryetari i shtetit në Siri, Bashar al-Assad nuk pranon më biseda të tjera telefonike me Ban. Edhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan e akuzoi me fjalë të ashpra regjimin në Damask, për akte mizore kundër civilëve.

Masakra ndaj civilëve: Dënohet dhuna në Siri

Edhe në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë në Uashington kritikohet ashpër dhuna ndaj kritikëve të regjimit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se "Shtetet e Bashkuara e dënojnë dhunën e shëmtuar në të gjithë Sirinë, por sidomos në veriun e vendit." Ministri amerikan i Mbrojtes, Robert Gates bëri fjalë për "masakra në jetët e pafajshme."

SHBA do ta mbështesin në Këshillin e Sigurimit një projektrezolutë të paraqitur nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Portugalia, në të cilën dënohet Siria për shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut. Fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, Rusia dhe Kina, deri tani janë kundër një dënimi zyrtar të udhëheqjes në Damask. Siria paralajmëroi Kombet e Bashkuara të mos ndërhyjnë në punët e saj të brendshme. Një shkresë përkatëse i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Ushtria ndërhyn sërish

Policia dhe ushtria në Siri po u kundërvihen me dhunë të ashpër përkrahësve të opozitës. Kanali amerikan CNN, bazuar në të dhëna nga dëshmitarë, njofton se forcat siriane të sigurisë kanë qëlluar nga helikopterë me armë automatike kundër demonstruesve në qytetin Maaret al-Numan, në veri të vendit. Në të gjithë Sirinë sipas të dhënave të aktivistëve për të drejtat e njeriut të premten dolën sërish në rrugë dhjetëra mijëra vetë, për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të shtetit, Bashar al-Assad. Gjithsej u vranë 22 vetë. Në qytetin Xhizër al-Shogur, në veriperëndim të vendit, në kufirin me Turqinë, kanë hyrë sërish tanke të ushtrisë.

Autor: AG/Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM