1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndahet nga jeta presidenti venezuelas Hugo Chavez

Pas vdekjes së kreut të shtetit të Venezuelës, presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri thirrje për 'marrëdhënie konstruktive' midis dy vendeve.

Pas vdekjes së presidentit Hugo Chavez në Venezuelë është shpallur një javë zie. Këtë e bëri të ditur Ministri i Jashtëm Jaua në kryeqytetin Caracas. Chavezi do të varroset të premten pas një ceremonie të përmortshme publike. Ai vdiq në moshën 58-vjeçare si pasojë e sëmundjes së kancerit. Chavezi u zgjodh president për herë të parë në vitin 1998 dhe u konfirmua së fundmi në tetor 2012.

Sipas kushtetutës tani duhet të zhvillohen zgjedhje të reja brenda 30 ditësh. Deri atëherë detyrat shtetërore i merr përsipër zëvendëspresidenti Maduro.

Vlerësime e shpresa

Pas vdekjes së kreut të shtetit të Venezuelës presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri thirrje për 'marrëdhënie konstruktive' midis dy vendeve. Venezuela po hap një kapitull të ri në historinë e saj, tha Obama ne Uashington. SHBA-ja është e interesuar për të hyrë në një dialog konstruktiv me qeverinë në Caracas, tha ai.

Hugo Chavez dhe Fidel Castro

Hugo Chavez dhe Fidel Castro

Në këtë kuadër SHBA-ja-do t'i qëndrojë besnike parimit të saj: nxitjes së demokracisë, të shtetit ligjor, e të drejtave të njeriut. Chavezi e pati akuzuar vazhdimisht SHBA-në për imperializëm dhe ishte përpjekur të ngrinte në Amerikën Latine një bastion kundër SHBA-së.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i shprehu ngushëllimet e tij popullit venezuelas. Chavezi është angazhuar për të varfrit dhe është përpjekur për integrim rajonal në Amerikën Latine, tha Ban. Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, bëri fjalë për një 'humbje të pazëvendësueshme'. Bolivia vendosi shtatë ditë zie zyrtare, Kuba dhe Argjentina tri ditë.

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle e cilësoi vdekjen e presidentit venezuelas Hugo Chávez si një ngjarje me pasoja të thella për vendin e Amerikës Latine. Shpresoj që pas ditëve të zisë Venezuela të arrijë të niset në një kohë të re, tha ai. Vendi ka potencial të madh, dhe rruga e duhur për realizimin e këtij potenciali janë demokracia dhe liria, thuhet në deklaratën e Westerwelles

Autor: Elert Ajazaj (dpa)

Redaktoi: Auron Dodi