1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndahet nga jeta presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov

Presidenti maqedonas Kiro Gligorov ndërroi jetë. Gligorov, që e udhëhoqi Maqedoninë drejt pavarësisë pa luftë konsiderohet ndër figurat më të rëndësishme të këtij vendi.

Kiro Gligorov

Kiro Gligorov

Presidenti i parë i Maqedonisë, Kiro Gligorov e udhëhoqi këtë vend pak gjakderdhje drejt pavarësisë. Politikani komunist i nivelit të lartë ia doli ta shkëpusë Maqedoninë pa luftë nga ish-Jugosllavia dhe të përmirësojë marrëdhëniet e shtetit të ri me vendet fqinjë, Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë. Kjo ka qenë merita më e madhe politike e tij, duke e ngritur në një nga figurat më të rëndësishme të vendit.

Kush ishte Kiro Gligorov?

Ai u lind më 3 Maj të vitit 1917 në Shtip dhe vdiq mbrëmë (1.1.) Kiro Gligorov varroset të martën në varrezat e qytetit Butov në Shkup. Arsimin fillor dhe shkollën e mesme Kiro Gligorov i përfundoi në Shkup ndërsa Fakultetin Juridik në Beograd. Ai ishte pjesëmarrës në luftën popullore çlirimtare Kombëtare që nga viti 1941. Gligorov ishte këshilltar në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Popullor për Çlirimin e Jugosllavisë (AVNOJ), sekretar i Kuvendit antifashist të Maqedonisë së çliruar popullore (ASNOM) dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Përkohshëm Popullor të Jugosllavisë.

Në Jugosllavi, ka kryer një varg detyrash: Ndihmës i sekretarit të përgjithshëm të qeverisë jugosllave, ndihmës- ministër i Financave në qeverinë jugosllave, zëvendës drejtor i Byrosë Federale për planifikim shoqëror, sekretar federal për çështje të përgjithshme ekonomike, sekretar federal për financat, anëtar i Kryesisë së Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ) dhe anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ).

Ai u zgjodh disa herë deputet në Kuvendin Federal, dhe që nga viti 1974
kryetari i Kuvendit të Jugosllavisë me një mandat katër vjeçar. Ka qenë profesor në Fakultetin Ekonomik të Beogradit. Gligorov ka qenë anëtar i Lidhjes Komuniste pastaj i Partisë Socialdemokrate të Maqedonisë (SDSM). Më 27 janar të vitit 1991 ai u zgjodh president i Republikës Socialiste të Maqedonisë ndërsa pas shpërbërjes së Jugosllavisë ai u zgjodh president i Republikës së Maqedonisë në dy mandate. Nga ky funksion është larguar më 19 Nëntor të vitit 1999.

Atentati ndaj Gligorovit

Ndaj Gligorovit më 3 Tetor të vitit 1995 është kryer një atentat në qendër të Shkupit. Aty ai u plagos rëndë dhe humbi njërin sy. Edhe sa ka qenë në funksion por edhe më vonë Gligorov ishte politikani me reputacionin më të lartë në Maqedoni. Me bashkëshorten Naden kishte djalin Vlladimirin dhe vajzat Donka dhe Ljiljana. Kiro Gligorov do të varroset të martën (03.01.) në varrezat e qytetit Butov në Shkup. Dëshira e tij e fundit ishte që të varroset vetëm në praninë e rrethit të ngushtë familjar.

Autor: Agj/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi