1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndërtues urash mirëkuptimi - Tadeusz Mazowiecki

Tadeusz Mazowiecki në vitin 1989 u bë kryeministri i parë polak pas Luftës së Dytë Botërore që nuk i përkiste Partisë Komuniste. Ai ishte edhe raportues i posaçëm i OKB-së për të Drejtat Humanitare në ish-Jugosllavi.

Tadeusz Mazowiecki

Tadeusz Mazowiecki

DW: Z. Mazowiecki, mirëkuptimi gjermano-polak ka qenë për Ju shumë i rëndësishëm. Jeni angazhuar shumë për të dhe keni treguar se si mund të afrohesh përmes dialogut edhe pa bërë kompromise. Kështu për shembull në vitet 1989/1990 kur e bindët Helmut Kohl-in për rëndësinë e njohjes përfundimtare të kufirit gjermano-polak nga Gjermania asokohe e sapobashkuar. Përse nxitonit aq shumë në atë moment?

Tadeusz Mazowiecki: Unë isha i mendimit se shtyrja e kësaj njohjeje do të ishte një gabim shumë i madh. Unë ushtrova trysni ndaj Helmut Kohl-it pasi gjermanët argumentonin gjithnjë se marrëveshja për kufirin do të vinte pas një marrëveshje për paqe. Ndërkohë të gjithë e dinim se nuk do të kishte marrëveshje për paqe. Partia Kristiandemokrate ishte asokohe partia më e fortë në Gjermani dhe ajo nuk pranonte të konfirmonte njohjen e kufirit Oder-Neiße nga Willy Brandt në 1970. Përballë ribashkimit gjerman kjo u kthye në një çështje parimore për Poloninë.

DW: Çfarë do të kishte ndodhur nëse vendimi do të ishte shtyrë asokohe?

Tadeusz Mazowiecki: Tema do të kishte vazhduar për një kohë të gjatë dhe si një gjemb do të kishte ndikuar negativisht marrëdhëniet gjermano-polake. Pa njohjen e kufirit nuk do të kishte pasur një bazë të qendrueshme mbi të cilën të ndërtoheshin marrëdhënie të mira.

DW: Në fillim të viteve 1990 u angazhuat si i dërguar i posaçëm i OKB-së për mirëkuptimin e ndërsjelltë në Ballkan. Si i shihni zhvillimet nga pespektiva e sotme?

Tadeusz Mazowiecki: Situata e atëhershme në Ballkan ishte një shembull se si historia mund të instrumentalizohet negativisht. Se si në vend të kapërcimit armiqësitë forcohen. Sot lufta ka përfunduar por bashkëjetesa e popujve në Ballkan për mua nuk është ende ideale. Unë gëzohen që Kroacia bëhet anëtare e BE-së por situata në Bosnje më shqetëson. Për këtë vend anëtarësimi në BE është perspektiva e vetme për një bashkëjetesë paqësore. Marrëveshja e Dejtonit solli fundin e luftës por nuk siguroi një bashkëjetesë të mirë mes popujve. Ajo krijoi një shtet i cili në brendësi është ndërtuar aq artificialisht sa plotësimi i kushteve të BE-së bëhet shumë i vështirë, pasi qeveria qendrore ka vetëm pak kompetenca. Ky është një problem i madh.

DW: Si e shihni zënkën e sotme greko-maqedonase për emrin?

Tadeusz Mazowiecki: Edhe atëherë nuk e kam kuptuar se përse Maqedonia e vogël u poshtërua kështu me zënkën për emrin. Besoj se grekët në këtë çështje tregojnë një ndjeshmëri të tepruar dhe bashkësia ndërkombëtare duke qenë dakord me emrin artificial në thelb vazhdon ta poshtërojë këtë vend. Unë nuk jam dakord me këtë.

DW: Çfarë do të dëshironit për ditëlindje nëse mbetemi tek dëshirat politike?

Tadeusz Mazowiecki: Vështirë të thuhet. Por në radhë të parë dëshiroj që Evropa të kapërcejë këtë krizë dhe unë mendoj se shanset për këtë ekzistojnë.

Intervistoi: Rosalia Romaniec

Përshtati: Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani