1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndërron jetë ish-presidenti çek Vaclav Havel

Ish presidenti çek Vaclav Havel ka ndërruar jetë. Ai vdiq në moshën 75 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Disidenti i dikurshëm dhe shkrimtari vuante nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes.

Ish presidenti çek, Vaclav Havel

Ish presidenti çek, Vaclav Havel

Havelin e kanë pyetur një herë se çfarë ka qenë gjëja më absurde gjatë presidencës së tij. Përgjigjja ishte kjo: "Që ka qenë aq gjatë president dhe më vonë i njërit prej dy shteteve: Një herë i Çekosllovakisë dhe pastaj prej vitit 1993 i Çekisë."

„Havel na Hrad“ (Haveli në kala) thirrën demonstruesit në nëntor të vitit 1989 në sheshin Vencel të Pragës. Shkrimtari i vogël me mustaqe, që në vitin 1989 ndodhej ende në burgun komunist, duhet të bëhet tani president.

„E vërteta dhe dashuria duhet të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen." Këto fjalë u tha Haveli protestuesve dhe disa javë më vonë u bë president. Një njeri i qetë modest, i cili papritur u bë në mbarë botën simboli i një fillimi të ri demokratik të vendit të tij. Në një fjalim në kongresin amerikan Havel tha:

Shkolla ime e vetme ka qenë jeta

„Unë kam dy muaj që jam president dhe nuk kam bërë ndonjë shkollë presidentësh. Shkolla ime e vetme ka qenë jeta."

Ai nuk kishte patur jetë të lehtë deri në atë moment. Për shkak të origjinës së tij borgjeze ai fillimisht nuk u lejua të studjojë. Punoi si punëtor në teatër, shkroi veprat e tij të para dhe u bë kritik i regjimit, në vitin 1968, kur trupat e Paktit të Varshavës marshuan në Pragë dhe në vitin 1977, si njëri nga themeluesit e lëvizjes demokratike Charta 77. Një ironi e historisë: Haveli vetë ishte ai, që në korrik të vitit 1991 vulosi fundin e paktit të Varshavës. Ajo ka qenë dita më e shënuar për të si president, pati thënë ai më vonë.

Qershor 1990 Haveli në Pragë

Qershor 1990 Haveli në Pragë

„Ai moment, kur unë isha në takimin e fundit të paktit të Varshavës. Unë njoftova se Pakti i Varshavës e përfundoi misionin e tij. Me këtë moment përfundoi me të vertetë ndarja bipolare e botës në sfera interesi."

Havel dënoi që heret dëbimin e sudetëve gjermanë

Havel ishte gjithashtu njëri i pajtimit. Ai ishte ai, që dënoi për herë të parë dëbimin e sudetëve gjermanë: „Ky nuk ishte dënim, por hakmarrje. Përveç kësaj ne nuk i kemi përzënë për shkak se është provuar faji i secilit, por sepse i përkisnin një populli të caktuar. Dhe kështu, duke supozuar se po i hapim rrugën drejtësisë historike, ne u kemi shkaktuar vuajtje shumë njerëzve të pafajshëm, sidomos grave dhe fëmijëve."

Presidenca e Havelit kishte gjithashtu edhe orë të hidhura.

Nga president çekosllovak në president çek

„Mjaft me Havelin“, thërrisnin në verë të vitit 1992 nacionalistët sllovakë dhe e gjuanin me vezë. Pak më vonë Havel dha dorëheqjen si president i Çekosllovakisë: „Të dashur bashkëqytetarë. Sot [17.7.] në orët e drekës kancelari Karel Schwarzenberg i ka dorëzuar asamblesë federale letrën time, ku unë njoftoj se me 20 korrik 1992 në orën 18:00 do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit të RFCS. Ju uroj shumë fat, shëndet dhe shpresë në të ardhmen."

Vendi u nda. Në vitin 1993 Haveli u bë presidenti i parë i Republikës Çeke dhe qëndroi dhjetë vjet, megjithë sëmundjet e rënda. Një president kritik, një moralist, që e çoi vendin drejt perëndimit, por i cili e kritikonte edhe këtë perëndim.

Presidenti çek, Vaclav Havel, dhe papa Gjon Pali II në Pragë në prill 1990

Presidenti çek, Vaclav Havel, dhe papa Gjon Pali II në Pragë në prill 1990

„Një civilizim global, që sot mbulon të gjithë botën, që imponon të njëjtat produkte, të njëjtat zakone, të njëjtat mënyra sjelljeje dhe forma komunikimi, të gjitha këto na afrojnë me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë provokojnë reagime në të kundërtën, në formën e nacionalizmit në rritje, të fundamentalizmit dhe fanatizmit, etnik, fetar, social dhe ideologjik."

E pamundur një jetë pa politikë?

Në fillim të vitit 2003 përfundoi mandati i tij i fundit. Por pensionin ai nuk e pranonte as në këtë kohë. Ai u angazhua për të drejtat e njeriut, aty ku ata duhej të zbatoheshin, apo së paku aty, ku disa besonin, se duhej të zbatoheshin, në Irak për shëmbull. Kjo ishte irrituese sidomos në perëndim të Evropës, ku imazhi i "njeriut të mirë nga Praga" nisi të tronditej.

Por Haveli u bë përsëri krijues. Ai shkroi një libër për presidencën e tij. Dhe ëndrra më e madhe e një dramaturgu, shkroi edhe një herë një pjesë teatrale.

„Odcházeni“ (Largimi), quhej ajo dhe u vu në skenë me sukses të madh në vitin 2008. Një pjesë për një ish politikan, i cili pa politikën çmendet. Jo, theksonte shpesh Vaclav Havel në muajt e fundit të jetës së tij, pjesa teatrale nuk ka asgjë autobiografike.

Autor: Peter Hornung/Angjelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Kelmendi