1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ndërron jetë ikona e demokracisë - Korazon Akuino

Ish-presidentja e Filipineve, Korazon Akuino vdiq në moshën 76- vjeçare. Ajo vuante prej kohësh nga një sëmundje kanceroze. Akuino nderohej si çliruese e vendit prej diktaturës së Markosit.

Korazon Akuino

Corazon Aquino

Populli mori pjesë gjerësisht në sëmundjen e ish-presidentes dhe u lut me muaj për shëndetin e saj. Të shtunën (01.08) në mëngjes, biri i saj, senatori Beninjo Akuino (Benigno Aquino) i riu bëri të ditur se ajo kishte ndërruar jetë: "Mamaja jonë vdiq sot, rreth orës 3.18, në paqe. Ajo donte që t'ju falenderoja të gjithë, për lutjet, mbështetjen dhe dashurinë, që i dhatë. Dëshira e saj është që të lutemi të gjithë, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë."

Presidentja e parë në një shtet aziatik

27 janar 1986, Aquino përshëndet pasuesit e saj në Manila

27 janar 1986, Aquino përshëndet pasuesit e saj në Manila

Ish-shtëpiakja ishte në vitet 1986-1992, pas kryengritjes popullore kundër diktatorit Ferdinand Markos, presidente e Filipineve. Burri i saj, Beninjo Akuino, një kundërshtar i njohur i Markosit, u vra në vitin 1983 prej mbështetësve të diktatorit në aeroport, kur po kthehej nga emigracioni. Pas vrasjes së tij, rezistenca kundër Markosit u rrit, deri në rrëzimin e tij. Pas një kryengritjeje popullore nën drejtimin e Korazon Akuinos, Markosi dhe familja e tij emigruan në Havai. Pas kësaj, Korazon Akuino u zgjodh presidentja e parë në një shtet aziatik.

Humbje e madhe për Filipinet

Pas largimit nga posti në vitin 1992, ajo u bë luftëtare për demokracinë dhe paqen në të gjithë botën. Në atdheun e saj, besimtarja e fortë katolike konsiderohej si instancë morale. Njerëzit tani janë të tronditur. "Kjo është një humbje e madhe për vendin tonë. Ajo ishte nëna e demokracisë në Filipine. Ndihem shumë i hidhëruar që ajo vdiq. Lutem që ajo të prehet në paqe dhe që populli filipinas të rikthehet në atë që nisi ajo. Kjo është një ditë hidhërimi për Filipinet." - thotë një burrë.

Ndërsa kjo grua thotë: "Do të kishte qenë më mirë, po të kishte vazhduar të jetonte. Ajo na çliroi nga vuajtjet e diktaturës. Unë kam qenë atëherë pjesëtare e revolucionit të popullit dhe dëgjova vërtet me hidhërim, se ajo vdiq. Kjo është një ditë e dhimbshme."

Prestigj i lartë ndërkombëtar

Edhe në botën e jashtme, Akuino gëzonte prestigj të lartë. Revista amerikane "Time" e zgjodhi atë më 1986 "grua të vitit", më 1987 ajo u propozua kandidate për Çmimin Nobel të Paqes. Ministrja e Jashtme e SHBA, Hillary Clinton e çmoi kontributin e ish-presidentes së Filipineve: "Unë e admiroj atë. Ajo ishte një grua me guxim të madh, që e ka dashur shumë vendin e saj. Ajo dhe familja e saj kanë sakrifikuar shumë për t'i dhënë popullit të Filipineve një të ardhme më të mirë. Ajo është një frymëzim, jo vetëm për Filipinet, por për të gjithë njerëzit, që u besojnë vlerave të duhura dhe një të ardhmeje pozitive."

Akuino, e cila e kishte mbështetur dikur presidenten aktuale Gloria Arrojo (Arroyo) u bë një kritike e ashpër e pasardhëses së saj në post. Pas zgjedhjeve plot skandale të vitit 2004, në të cilat presidenten Arrojo e akuzuan për falsifikim të zgjedhjeve, Akuino u vu në krye të kritikëve të qeverisë dhe kërkoi dorëheqjen e Arrojos.

Autor: Bernd Mush-Borovska/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2JG
  • Data 03.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J2JG