1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndërpriten diskutimet për vendin e varrosjes së presidentit polak - Zhvillohen ceremonitë e përmortshme për viktimat e Smolenskut

Një javë pas rrëzimit të avionit presidencial në Poloni filluan ceremonitë e përmortshme për kreun e shteit Lech Kaczynski, gruan e tij Maria dhe 94 viktimat e tjera. Varrimi i çiftit presidencial bëhet sot në katedralen

Polonia përkujton viktimat e Smolenskut

Polonia përkujton viktimat e Smolenskut

Në hapje të ceremonisë përkujtimore në Varshavë u lexuan emrat e viktimave të Smolenskut. Në ato çaste në sheshin Pilsudski, në të cilin ishin mbledhur rreth 100 mijë njerëz, po sundonte qetësi e plotë. Disa prej tyre valëvitnin flamuj në ngjyrat kombëtare të bardhë dhe të kuqe dhe flamuj me logon e sindikatës Solidarnost. Muri impozant i zi pas skenës së bardhë me portretet e viktimave të kujtonte se vendi nuk ka humbur vetëm presidentin e tij por edhe shumë njerëz të tjerë të veçantë. Si për shembull ish-presidentin në mërgim Ryszard Kaczorowski apo stjuardesën e re Natalja Januszko. Dy raste të cilat u theksuan edhe në fjalimin e përmortshëm të kryeministrit polak Donald Tusk:

Pamje nga sheshi Pilsudki (17.04.2010)

Pamje nga sheshi Pilsudki (17.04.2010)

"Sot këtu fotografia e viktimës më të moshuar qëndron pranë fotografisë së viktimës më të re. Njëri ishte 91, tjetra 23. Se çfarë ndodh pas vdekjes tragjike dhe të papranueshme të këtyre njerëzve varet nga ne plotësisht. Nga zemrat tona dhe mendjet tona do të varet nëse në këtë vdekje fshihet një kuptim më i thellë. Kuptimi i thellë i unitetit i cili u shfaq në momentin e pikëllimit duhet të mbetet në ne."

Kryeministri polak Donald Tusk përkulet para arkivolit me trupin e pajetë të presidentit Kaczynski (11.04.2010)

Kryeministri polak Donald Tusk përkulet para arkivolit me trupin e pajetë të presidentit Kaczynski (11.04.2010)

Ndjenja e unitetit kombëtar u zbeh menjëherë sapo filluan diskutimet për vendimin që çifti presidencial të varroset në katedralen Wawel në Krakov. Megjithatë në fundjavë janë ndërprerë të gjitha diskutimet për këtë çështje. Shefi i zyrës presidenciale, Maciej Lopinski, një bashkëpuntor i ngushtë politik dhe mik i presidentit kujtoi në një fjalim shumë personal dhe emocialonal Lech Kaczynskin dhe gruan e tij Marinë.

Çifiti presidencial varroset në katedralen Wawel në Krakov

Çifiti presidencial varroset në katedralen Wawel në Krakov

"Zoti president, ne u njohëm para 26 vitesh gjatë një takimi të fshehtë të Solidarnostit. Prej fillimit e kam ditur se ti je një njeri tek i cili mund të mbështetesh.Ti ishe një burrë i mençur, i hapur dhe i dhembshur. Dhe zonja presidente, e dashur Marylko. Unë gjithmonë e kam admiruar diturinë tënde, taktin tënd por edhe mendimin tënd të pavarur. Zot, jepu atyre paqen e përjetshme."

Presidenti i parlamentit polak falënderoi qytetarët e Rusisë për pjesëmarrjen e madhe dhe shprehjen e bashkëpikëllimit. "Ne nuk jemi vetëm në këto ditë të vështira", tha Bronislaw Komorowski i cili si kandidat i Platformës qytetare liberale në qershor pritet të kandidojë për postin e presidentit të vendit.

Autor: Ludger Kazmierczak / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM

  • Data 18.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MzRs
  • Data 18.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MzRs