1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ndërmjet integrimit dhe ekstremizmit të djathtë - Norvegjia pas sulmeve

Zgjedhjet lokale në Norvegji janë rast për të informuar për debatin shoqëror pas sulmeve 22 korrikut.

Norvegji, fushata zgjedhore 2011

Norvegji, fushata zgjedhore 2011

Karl Johan Gate në kryeqytetin norvegjez të kujton fushatën zgjedhore të javëve të fundit. Në bulevardin kryesor midis parlamentit dhe pallatit qëndrojnë të braktisura stendat zgjedhore, disa ndihmës grumbullojnë materialin e tyre informativ. Grete Haugdal e Partisë Punëtore mbledh në një kuti programet zgjedhore të mbetura. "Një qytet i bashkuar" është motoja e partisë së saj për Oslon, thotë Haugdal: "Ka dallime të mëdha në kushtet e jetesës në pjesë të ndryshme të qytetit, në lindje dhe perëndim. Në pjesën lindore jetohet 13 vjet më pak se sa në perëndim. Në lindje të Oslos ka një përqindje më të lartë të fëmijëve të varfër. Këtu jetojnë shumë emigrantë. Unë angazhohem që të kompensojmë këto dallime. Me më shumë mësime gjuhe për fëmijët e emigrantëve dhe me vajtje gratis në kopshte në orët kryesore të ditës."

Partia e Progresit kundërshton emigracionin

Një stendë e Partisë Punëtore

Një stendë e Partisë Punëtore

Në shumë aspekte, të dy blloqet, socialdemokratët dhe konservatorët janë të një mendimi. Ata mbrojnë arritjet e shtetit social. Një kujdes i mirë për të moshuarit dhe shkolla të cilësisë së lartë janë temat e kësaj fushate zgjedhore. Por për Partinë qytetare të Progresit çështje e rëndësishme është tema e emigracionit, thotë politikanja komunale,Christel Gundelach: "Nuk është e mundur që Norvegjia të hapë dyert dhe të luajë rolin e humanistit për të gjithë botën. Kështu nuk mund ta mbajmë hapin me zhvillimet. Ne nuk arrijmë të zgjerojmë kopshtet dhe shkollat në përputhje me zhvillimet. Norvegjia si e tërë nuk ka thuajse aspak emigracion, por Oslo tërheq emigrantët. Përse nuk mund të dërgohen ata në vende të tjera të Norvegjisë. Kështu ata mund të integrohen më mirë."

Partia e djathtë populiste e Progresit propagandon qendrat e mbyllura për azilkërkuesit dhe emigracion të reduktuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Oslon, thotë Gundelach. Pothuajse një e treta e popullsisë kanë sfond emigrimi. Vetëm kur të vijnë më pak të tjerë, mund t'u kushtohesh në mënyrë më të veçantë këtyre njerëzve, siç bën zakonisht shteti social Norvegjia.

Vrasësi i përkiste vite më parë Partisë së Progresit

Opozita socialdemokrate ka shanse të mira për të zëvendësuar qeverinë konservatore

Opozita socialdemokrate ka shanse të mira për të zëvendësuar qeverinë konservatore

Por janë të pakët ata, që besojnë se partia me këto teza i ka hapur rrugën një terroristi anti-islamik si Anders Behring Breivik, i cili ka qenë për disa vjet anëtar i saj. Breivik vrau në dy sulme me 22 korrik në Oslo 77 vetë.

Redaktori politik Harald Stanghelle i gazetës konservatore të përditshme Aftenposten bën këtë vlerësim për Partinë e Progresit: "Do të ishte mjaft e gabuar të krahasoje Partinë e Progresit në Norvegji, me partinë e Le Penit në Francë, me Geert Wildersin në Holandë, ose Partinë e Lirisë së Joerg Haiderit. Ajo është një parti, që është kritike ndaj emigracionit. Por ajo ka një spektër më të gjerë politik, që shkon përtej kësaj. Ajo nuk është e vendosur politikisht aq djathtas sa partitë, që kam përmendur më parë.'

Partia e Progresit vjen nga spektri liberal dhe u themelua në vitet 70-të si një parti për uljen e taksave. Pas sulmeve terroriste të 22 korrikut ajo mori përfundimsiht vulën e së "djathtës ekstreme". Por ngjarjet e trishtuara në të gjithë tragjedinë kishin edhe diçka të mirë, thotë Elin Cecilie Torstenson, e cila ka ndaluar te stenda e Partisë Punëtore: "Ne kemi treguar se ne reagojmë ndryshe. Jo si amerikanët pas 11 shtatorit: Sy për, sy dhëmb për dhëmb. Unë besoj dhe shpresoj se kjo ka sjellë diçka pozitive në marrëdhënien tonë me imigrantët dhe njerëzit rreth nesh. Këtë e vë re edhe në rrugë. Ka më shumë njerëz që buzëqeshin, më shumë që ta mbajnë derën hapur, më shumë që të falenderojnë. Kjo do të bjerë përsëri, por unë nuk mendoj se do të shuhet fare."

Autor: Agnes Bührig/Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani