1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndërhyrjet ushtarake pa mandat të OKB-së

Një mandat i OKB-së është zakonisht parakusht për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare. Megjithatë ka raste kur bashkësia ndërkombëtare ka sulmuar pa mandatin e OKB-së.

Përveç sanksioneve ekonomike Karta e Kombeve të Bashkuara parasheh ndërmarrjen e veprimeve ushtarake si mjetin e fundit për sigurimin e paqës në një vend. Si në Libi apo Mali një mandat i OKB-së është zakonisht parakusht për ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare. Megjithatë ka edhe përjashtime:

Kosovë (1999): Në Kosovë, konflikti i vjetër midis shqiptarëve dhe serbëve për krahinën e banuar kryesisht me shqiptarë, çoi në vitin 1999 NATO-n në luftë kundër Jugosllavisë. Pa një mandat të OKB-së, NATO fillon në muajin mars një luftë ajrore, për t'i dhënë fund dëbimit sistematik dhe gjenocidit të forcave serbe të sigurimit ndaj shqiptarëve. SHBA bartën barrën kryesore të luftës. Legjitimiteti eksplicit i ndërhyrje ushtarake nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk u arrit për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina. NATO argumentoi sulmet si mbrojte të detyruar për të parandaluar një katastrofë humanitare. Në qershor 1999, serbët tërhiqen, NATO ndërpren sulmet e saj ajrore. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Irak (2003): Pothuajse një vit e gjysëm pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, SHBA dhe aleatët e saj sulmojnë në mars të vitit 2003 në Irak. Lufta fillon pa një mandat të OKB-së me sulmet ajrore ndaj kryeqytetit irakian Bagdat. Ofensiva tokësore fillon nga Kuvajti. Tre javë pas rënies së Bagdadit, presidenti amerikan Xhorxh ë. Bush më 1 Maj deklaron në bordin e avionmbajtëses "Abraham Lincoln" se luftimet e mëdha kanë përfunduar («Mission Accomplished»). Rusia, Franca dhe Kina kishin refuzuar kërkesën ultimative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të miratuar një rezolutë lufte kundër Irakut. Presidenti rus Vladimir Putin kishte paralajmëruar se lufta ishte një "gabim me pasoja afatgjata."