1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ndërhyrja e NATO-s ndryshoi historinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit

Udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Kosovës, thonë se ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe, ishte vendimtare për t'i dhënë fund luftës së armatosur dhe për të ndalur vrasjet e civileve shqiptarë nga forcat serbe.

Trupa të Natos në Kosovë - Dhjetë vjet pas ndërhyrjes së Natos më 24 mars 1999

Trupa të Natos në Kosovë - Dhjetë vjet pas ndërhyrjes së Natos më 24 mars 1999

Në ditën e sotme, dhjetë vjet më parë Aleanca Veriatlantike filloi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe. Bombardimet 78 ditëshe i dhanë fund luftës në Kosovë, pas dështimit të Konferencës së paqes së Rambujesë. Protagonistët e asaj konference dhjetë vjet pas, thonë se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare, jo vetëm për t'i dhënë fund luftës së armatosur në Kosovë, por edhe për të hapur mundësinë e Kosovës, që të vendosë për fatin e saj, hap të cilin Kosova e bëri pothuajse një dekadë më pas, më 17 shkurt të vitit 2008.

Bujar Bukoshi, ish kryeministër i Kosovës në ekzil, ishte njëri ndër pjesëmarrësit në konferencën e Rambujesë. “Roli i NATO-s ka qenë roli primar, që tregoi se kryente punë. Roli i NATO-s do të jetë prapë vendimtar edhe për zhvillimet e ardhshme. Kjo është alfa dhe omega. Mungesa e unitetit në BE-së në lidhje me Kosovën mund të harrohet, nëse natyrisht nuk harrohet se këtij vendi dhe këtij rajoni akoma i duhet stabiliteti. Gjithçka do të rrënohet, nëse vërtet pretendohet të thuhet, se intervenimi i NATO-s nuk ka qenë i nevojshëm," thotë Bukoshi.

Protagonistët shqiptarë të Konferencës së Rambujesë, mendojnë se edhe nëse Serbia do të vendoste nënshkrimin e saj në konferencë, prapë ndërhyrja e NATO-s do të ishte e nevojshme. Kjo sepse, sipas tyre, veprimet e Serbisë kundër popullatës civile në Kosovë disa ditës vetëm sa shtoheshin.

Ramë Buja, ishte nga krahu ushtarak pjesë e UÇK-së në konferencën e Rambujes: “Në konferencën e Rambujesë u ezauruan të gjitha format e zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës, por nuk u arrit marrëveshje. Atëherë u kalua në fazën tjetër të zgjidhjes së problemit, që filloi me 24 mars, me bombardimin e caqeve serbe nga NATO-ja. Kjo e ndryshoi historinë, jo vetëm të Kosovës por mbase edhe të rajonit. Për më shumë kjo ndryshoi edhe mentalitetin brenda strukturës së NATO-s, sepse brenda NATO-s kishte zëra që thoshin se NATO-ja nuk duhet të ekzistojë më. Ishin zërat që e kishin përjetuar lirinë shumë herët dhe nuk e dinin më ç`do të thoshte të ishe i shtypur. Mirëpo, kur u intervenua në Kosovë, atëherë u kuptua se NATO-ja vërtet paska nevojë që të vazhdojë të ekzitojë," thotë Ramë Buja.

Në konferencën e Rambujesë 10 vjet më pare, pala kosovare përfaqësohej nga dy krahë, krahu politik dhe krahu i luftës. Mes tyre kishte ndasi të thella para konferencës së Rambujesë, por gjatë konferencës jo. Rrjedhat e historisë ndryshuan me intervenimin e NATO-s mbi caqet serbe, por ndasitë ndërmjet krahut politik dhe atij ushtarak të Kosovës, vazhduan edhe pas përfundimit të luftës. Derisa në Kosovë u krijuan shumë subjekte politike, u organizuan zgjedhjet e para demokratike, subjektet e të gjithë krahëve garuan në këto zgjedhje, të cilat nga faktori ndërkombëtar i vlerësoi si zgjedhje demokratike. U konstatua se në Kosovë po vendoset demokracia, konsolidohen institucionet e vendit dhe gradualisht do të shkohej drejt reduktimit të trupave të NATO.

Pas bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s mbi caqet serbe, në Kosovë hynë 56 mijë trupa të Aleancës, ndërsa sot dhjetë vjet pas, në Kosovë ka vetëm 14 mijë forca. Edhe ky numër pritet të ulet muajt dhe vitet e ardhshme, sepse situata e sigurisë në Kosovë dhjetë vjet pas përfundimit të luftës vlerësohet stabile.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIbe
  • Data 24.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HIbe