1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

NATO: shtetet e Lindjes shtrëngojnë radhët

Nëntë shtete të lindore të NATO-s kanë ndërmarrë në Bukuresht masa shtesë për sigurimin e krahut lindor të Aleancës. Hap i guximshëm, mendon Robert Schwartz.

Krerët e shteteve të nëntë vendeve anëtare të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë ndërmarrë një hap të përbashkët të guximshëm. Në deklaratën, që nënshkruan në minisamitin e tyre në Bukuresht, ata kërkojnë njëzëri masa të reja, që në gjendjen e tensionuar rajonale të mundësojnë reagime të shpejta dhe adekuate.

Mesazhi i kryetarëve të shteteve të katër vendeve të Vishegradit (Poloni, Slovaki, Çeki, Hungari), vendeve baltike (Estloni, Letioni, Lituani) si dhe të Bullgarisë dhe Rumanisë i drejtohet në radhë të parë Aleancës. Sipas këndvështrimit të tyre, NATO është shumë e rezervuar, përsa i përket zbatimit të vendimeve të samitit të fundit të madh të shtatorit 2014. Atëherë për shkak të luftës në Ukrainë u planifikuan masa për mbrojtjen e shteteve anëtare në Lindje nga një qëndrimi i mundshëm agresiv i Rusisë, të cilat ishin manovrat e përbashkëta dhe një trupë e ndërhyrjes së shpejtë në rajon.

Robert Schwartz

Robert Schwartz

Që nëntë partnerët lindorë të NATO-s kanë nënshkruar tani një deklaratë të përbashkët, është një risi. Polonia, Rumania dhe vendet Baltike kanë arritur me sa duket, që të bindin edhe shtetet e tjera. Slovakia, Çekia dhe Hungaria kanë qenë deri tani më të tërhequra, kur ishte fjala për Rusinë. Megjithatë kjo deklaratë është një hap i parë në një drejtim, që mund të bëhej më konkret në samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Varshavë.

Të merren seriozisht frikërat e partnerëve lindorë

Partnerët lindorë krahas masave të marra në vitin 2014 dëshirojnë të kenë edhe baza të përhershme në vendet e tyre. Por kjo dëshirë mbeti edhe në Bukuresht e pashprehur. Në deklaratë mungon çdo tregues i drejtpërdrejtë, sepse merren parasysh Gjermania dhe Franca, që nuk duan t'i mbingarkojnë marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Kjo është arsyeja pse vendet "e vjetra" të NATO-s duhet t'i marrin seriozisht pretendimet. "Të rejat" i kanë bërë një propozim Aleancës, të cilin duhet ta pranonin të gjithë anëtarët: Krahu lindor duhet të mbetet jo vetëm një "prioritet i përkohshëm", por duhet të përfshihet në strategjinë e aleancës, u tha në Bukuresht. Dhe nikoqiri rumun, Klaus Iohannis tha se është rënë dakord që një dialog me Rusinë "mbi bazën e të kuptuarit të përbashkët të respektimit të së drejtës ndërkombëtare", duhet të fillojë sërish.

SHBA dhe Europa Perëndimore duhet t'i marrin seriozisht frikërat e partnerëve evropianolindorë. Rreziku është i madh që me mosrespektimin e kësaj iniciative të rëndësishme rajonale, NATO të ketë të njëjtin fat si BE. Shumë europianolindorë edhe shumë vite pas pranimit në BE ndjehen si qytetarë të klasit të dytë. Lodhja nga BE dhe NATO do të ishin terreni perfekt për një propagandë agresive ruse, që përhapet gjithnjë e më shumë në rajon. Këtë e dinë në Bruksel, e dinë edhe në Berlin apo Paris. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk do të ishte shumë po të kërkohej që të ndihmohen partnerët lindorë.