1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO pozicionohet ndaj konfliktit në Siri

NATO nuk do të përfshihet në ndërhyrjen ushtarake në Siri. Por disa vende anëtare, në radhë të parë, SHBA-ja duan të ndërhyjnë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen dënoi ashpër përdorimin e armëve kimike.

Anders Fogh Rasmussen

Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen nuk la kurrfarë dileme në Bruksel: forcat e presidentit të Sirisë Baschar al-Assad kanë përdorë gaz helmues me 21 gusht dhe i kanë vrarë me qindra civilë të pafajshëm. "Personalisht jam i bindur se jo vetëm që në Siri ka pasur sulme me armë kimike, por për këtë është përgjegjës regjimi i Sirisë." Pa u futur në detaje, Rasmussen tha se ka pasur mundësinë të njoftohet me informacionet e shërbimeve sekrete, të cilat dëshmojnë këto pohime. Por ai nuk deshi të komentojë këto të dhëna, me shpjegimin se NATO nuk i komenton raportet e shërbimeve sekrete.

"Sinjal i qartë për diktatorët"

Anders Fogh Rasmussen

Anders Fogh Rasmussen

Diplomati më i lartë i Aleancës foli në një takim të rregullt me gazetarë të paktën gjysmë ore për luftën në Siri. Ai kërkoi një ndërhyjre ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare, por nuk deshi të flas për detajet e ndërhyrjes. Diktatorët në botë duhet ta dinë se do të ketë kundërpërgjigje ndaj aksioneve të tyre. "Qëllimi është që të dërgohet një sinjal i qartë jo vetëm ndaj regjimit në Damask por edhe ndaj të tjerëve që eventualisht mund të përdorin armë kimike: pordorimi i armëve kimike do të shkaktojë reagime të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare."

Ambasadorët e 28 vendeve të NATO-s kanë dënuar ashpër përdorimin e armëve kimike. Por aktualisht nuk është saktësuar nëse NATO do të luajë ndonjë rol në ndërhyjren eventuale ushtarake. Anders Fogh Rasmussen tha se Aleanca do të vazhdojë të mbrojë Turqinë nga sulmet eventuale të Sirisë. NATO ka dërguar në janar të këtij viti me kërkesë të Turqisë sisteme gjermane të mbrojtjes nga raketat "Patriot", në afërsi të kufirit me Sirinë. Në Turqi janë stacionuar edhe njësi holandeze dhe amerikane për mbrjotje nga sulmet.

Sistemet gjermane Patriot në Turqi.

Sistemet gjermane Patriot në Turqi.

NATO nuk ka ende ndonjë rol

Rasmussen thotë se NATO aktualisht nuk ka dhe nuk kërkon ndonjë rol tjetër. NATO vepron vetëm kur një vend anëtar i saj kërkon ndërhyrjen, thotë ai në pyetjen e Deutsche Welles. SHBA-ja nuk ka kërkuar përdorimin e avionëve AWACS. Ai mendon se shumë vende do të jenë të rezervuara, sa i përket ndërhyrjes ushtarake, përderisa nuk ekziston një mandat i Kombeve të Bashkuara. Shumë vende ende janë në përcaktimin e pozicioneve të veta, thuhet në qarqet e NATO-s.

Barack Obama para vendimeve të rënda.

Barack Obama para vendimeve të rënda.

Të enjten Rasmussen do të vazhdojë këshillimet me ministrat e mbrojtjes të BE në Vilnius. Të premten dhe të shtunen në Vilnius do të mblidhen edhe ministrat e jashtëm të BE-së. E ngarkuara e BE për politikë të Jashtme Catherine Ashton e ka ftuar edhe ministrin e Jashtëm amerikan John Kerry për pjesëmarrje në këto këshillime. Pas refuzimit të parlamentit britanik që të marrë pjesë në këtë ndërhyrje, Franca është për momentin vendi i vetëm i cili do të merrte pjesë në ndërhyrjen ushtarake amerikane. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përjashtuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në këtë ndërhyrje pa mandatin e OKB-së. Por nuk dihet se çfarë do të sjellin konsultimet e fundjavës që vjen. Përfaqësuesit e BE-së nuk deshën të komentojnë deklaratat e presidentit amerikan Barack Obama se për këtë çëshjte do të vendosë kongresi amerikan.

Mirëkuptim për vendimet e kongresit

Rasmussen tha se ai ka mirëkuptim për taktikën e Obamës që për këtë çështje të vendos parlamenti amerikan. "Ndërhyrja ushtarake nuk është e thjeshtë për një demokraci. Me rëndësi është që për këtë të fitohet edhe mbështetja e opinionit dhe kjo kërkon kohë. Ndoshta është frustruese, por kështu funksionojnë demokracitë", tha ai. Por edhe diplomati danez tregoi disa shenja padurimi. "Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të shikojë duarkryq, vrasjen barbare të qindra njerëzve", theksoi Rasmussen, i cili poashtu është i bindur se një "zgjidhje afatgjatë mund të gjendet vetëm me mjete politike". Deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje se si do të duket ky proces politik.

Nëse NATO megjithatë vendosë që të përdorë avionët AWACS apo ndonjë forcë të përbashkët ushtarake për sulme ndaj Sirisë, për këtë çështje duhet të deklarohet edhe qeveria gjermane. Ndërsa për pjesëmarrjet eventuale të njësive ushtarake gjermane duhet të vendosë Bundestagu gjerman.