1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

NATO: Përforcime për trupat në Afganistan

Pas fjalimit të presidentit të SHBA-së Obama për dërgimin e 30.000 ushtarëve shtesë në Afganistan, ministrat e Jashtëm të 28 shteteve të NATO-s diskutojnë në Brukel për përforcimin e trupave të ISAF-it.

Ushtare te trupave ISAF

Javët e fundit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka udhëtuar shumë. Ai ka zhvilluar takime zyrtare me qeveritë e vende të ndryshme për t'u marrë premtimin se do të vënë në dispozicion trupa për misionin e ISAF-it në Afganistan. Para takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel Rasmussen tha se lufta në Afganistan nuk është vetëm problem amerikan: "Kjo nuk është vetëm luftë e Amerikës. Ajo, që ndodh në Afganistan, është një kërcënim i qartë dhe real për qytetarët në të gjitha vendet." Dhe prandaj, tha Rasmussen, duhet që trupa mbrojtëse e NATO-s ISAF-i të shtohet.

Kryekomandanti i trupës, gjenerali Stanley McChrystal, kishte kërkuar gjithsej 40.000 ushtarë amerikanë. Pas një ecejakeje disamujore presidenti i SHBA-së, Barack Obama, tha natën duke u gdhirë dita e mërkurë (2.12.), se sa do të dërgojë ai: „Në interesin tonë kombëtar është, që të dërgojmë edhe 30.000 trupa të tjera amerikane në Afganistan.“

Ushtarë të trupave të ISAF-it

Ushtarë të trupave të ISAF-it

30.000 ushtarë amerikanë, pra mungojnë edhe 10.000, të cilët amerikanët i presin nga aleatët e tyre në NATO dhe diku tjetër. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen thotë se për vitin e ardhshëm ai ka premtime për së paku 5.000 ushtarë shtesë, në mos më shumë: "Pjesëtarët jo amerikanë të këtij misioni do të dërgojnë së paku 5.000 ushtarë të tjerë dhe ndoshta edhe disa mijëra të tjerë shtesë."

Gjeorgjia, Turqia dhe Polonia me shifra konkrete, Berlini në pritje

Në qarqet diplomatike thuhet se Gjeorgjia p.sh. do të dërgojë edhe 770 ushtarakë të tjerë, Turqia 800. Polonia e konfirmoi ofertën e saj me 600 ushtarë. Gjermania nuk ka bërë ende ndonjë premtim. Në Berlin thuhet se duhet të presim konferencën për Afganistanin në fund të janarit në Londër, të flasim me aleatët dhe të shohim, se si do të shkojë krijimi i qeverisë në Kabul pas zgjedhjeve të kontestueshme.

Ministri i Jashtëm Westerwelle tha: "Në radhë të parë është fjala për synimet, për strategjinë dhe pastaj për instrumentet, se me çfarë strategjie do t'i arrijmë këto synime. Një diskutim në vend për çështjen se sa ushtarë do të dërgohen, apo duhet të dërgohen, një diskutim të tillë ne e refuzojmë."

Westerwelle e përshëndeti faktin, që presidenti i SHBA-së Obama do të fillojë në vitin 2011 me tërheqjen e trupave nga Afganistani. Për këtë vend tha Westerwelle nuk ekziston një zgjidhje thjesht ushtarake, por vetëm një zgjidhje politike, e cila mbështetet nga ushtria. Që do të thotë rindërtim.

Projekt gjerman në ndihmë të policisë civile dhe ushtarake në Afganistan

Projekt gjerman në ndihmë të policisë civile dhe ushtarake në Afganistan

Ndihmë për afganët me qëllim që ata ta marrin vetë fatin e tyre në dorë. "Kjo presupozon se duhen ngritur edhe strukturat policore afgane, me qëllim që edhe afganët të mund të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre se deri tani." - theksoi Westerwelle.

Për këtë, tha më tej Westerwelle, Gjermania do ta japë me shumë dëshirë një kontribut të madh. Ndërkohë në Afganistan gjenden në kuadër të misionit të BE-së atje afro 40 instruktorë, këtyre u shtohet edhe një projekt policor thjesht gjerman me afro 70 policë civilë dhe policë ushtarakë.

Autor: Birgit Schmeitzner/Angjelina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 03.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KpXB
  • Data 03.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KpXB