1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO mbështet Ukrainën

Në konfliktin me Rusinë, NATO e ka mbështetur Ukrainën, të paktën moralisht. Një ndërhyrje ushtarake nuk është e mundur, por hapet rruga për pajisje me armë.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka pak shpresa për marrëveshje me Rusinë në negociatat për armëpushim në Minsk të Bjellorusisë. Në prag të negociatave që vazhdojnë të premten (05.09.2014) Poroshenko ofroi armëpushim në qoftë se Rusia i pranon kushtet për procesin paqësor. Nëse vërtetë do të ketë ndonjë marrëveshje, ende nuk dihet. Në samitin e NATO-s në Newport, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se "vetëm fjalët e mira të Moskës nuk mjaftojnë. "Ajo çka vlen janë veprat konkrete dhe jo fjalët", tha Rasmussen. NATO e kritikon Rusinë për dërgimin e mijëra ushtarëve në lindje të Ukrainës, në mbështetje të forcave seperatiste proruse.

Ndaj në Newport NATO i ka ofruar ndihma presidentit Petro Poroshenko, të paktën verbalisht. Ndërhyrje ushtarake të NATO-s nuk mund të ketë, sepse Ukraina nuk është anëtare e aleancës, tha Rasmussen. Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ishte shumë optimiste pas takimit me Poroshenkon dhe takimet e tjera zhvilluar në kuadrin e samitit. Deri tani kemi vetëm një kontakt të vazhdueshëm mes Poroshenkos dhe presidentit Vlladimir Putin, tha Merkel. "Por nëse fjalët do të pasonhen nga veprat, nesër apo në ditët në vijim, mbetet të shihet. Sidoqoftë unë kam konstatuar dëshirën e presidentit Poroshenko për një zgjidhje politike. Unë gjithmonë e kam thënë se nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake të këtij konflikti."

Merkel ende angazhohet për zgjidhje diplomatike

NATO do të zgjerojë mbështetjen e Ukrainës, si politikisht ashtu edhe me aftësimin e trupave ukrainase. "Ne e mbështesim Ukrainën dhe jemi solidar. Jemi të gatshëm që të përforcojmë edhe sanksionet ndaj Rusisë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike", tha Merkel. BE-ja do të vendosë të premten (05.09) për ashpërsimin e sanksioneve. Franca ka hequr dorë nga eksportimi i dy anijeve luftarake në Rusi. Por Merkel pavarësisht shkallëzimit mendon se duhen vazhduar negociatat me Rusinë. Mesazhi i saj ishte: "Ne duam një zgjidhje politike dhe jemi të gatshëm që për këtë të flasim me Rusinë, duhet të flas para së gjithash presidenti i Ukrainës."

Poroshenko falenderoi NATO-n për bashkëpunimin shumëvjeçar në aftësimin e ushtrisë së vendit të tij. Me një gjysmëfjali ai bëri të ditur se disa vende të NATO-s duan ta furnizojnë Ukrainën edhe me armë. Poroshenko foli për materiale që "nuk vrasin" por edhe për ato "që vrasin", çka normalisht nënkupton armët. Rasmussen foli në përgjithësi vetëm për një bashkëpunim më të mirë me Ukrainën. Të plagosurit në Ukrainë duhet të trajtohen jashtë vendit, në Evropë. Ukraina do të marrë edhe ndihma të tjera financiare nga vendet e NATO-s, me qëllim që të ketë një ushtri të fuqishme dhe moderne", tha Rasmussen, në një konferencë të përbashkët me Poroshenkon.

NATO fuqizon forcat e ndërhyrjes, por marrëveshjet me Rusinë mbeten

Mysafiri nga Ukraina është i vetëdijshëm se vendi i tij nuk i ka kryer të gjitha reformat e duhura, për vonesat në mbrojtjen e minoriteteteve. "Lufta në lindje nuk është aspak justifikim për ngecjen e reformave. Ndaj në javën në vijim ne do të prezantojmë një program të reformave, të cilin do ta hartojmë së bashku me BE dhe NATO", tha Poroshenko.

Këtë të premte NATO do të vazhdojë konsultimet për mbrojtjen më të mirë të partnerëve në Lindje nga kërcënimet e Rusisë. NATO do të forcojë prezencën në Baltik, Poloni dhe Rumani. Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite, thotë për Deutsche Welle-n: "Rusia paraqet kërcënim për paqen." NATO mendon që këtë kërcënim ta evitojë me mbështetje të vendeve anëtare. Nuk do të ketë asnjë anëtar të klasit të dytë në NATO, theksoi Rasmussen. Por deri tani nuk ka ndonjë koncept të qartë për detyrimin e Putinit dhe Rusisë që të tërhiqet nga Krimeja dhe nga lindja e Ukrainës. Rasmussen kishte vetëm një apel: "Kërkojmë nga Rusia që të heqë dorë nga konfrontimet dhe t'i kthehet rrugës së paqës."

Marrëveshja mes NATO-s dhe Rusisë, Aktet Themelore të vitit 1997, do të mbeten në fuqi, bëri të ditur kancelarja Merkel. Marrëveshja përjashton dislokimin e përhershëm të kontigjenteve të mëdha të NATO-s në vendet lindore të NATO-s, të cilat më parë kanë qenë pjesë e "Paktit të Varshavës". As anëtarësimi i Ukrainës në NATO në këtë moment nuk është në rend dite, tha Merkel. Për këto çështje dikur do të vendosë populli ukrainas, theksoi presidenti Poroshenko.