1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO kryen sulmet më të rënda ajrore deri tani mbi Tripoli

Aleanca ushtarake perëndimore kërkon kështu të shtojë trysninë ndaj regjimit të Gaddafit, sepse nuk ka më shumë kohë, komenton Daniel Sheshkevic.

default

Në mbrojtje të masave në revoltë në diktaturat arabe, në rast nevoje do të përdoret edhe dhuna! Kështu formulojnë në një artikull në numrin e së martës (24.5.) të gazetës londineze "Times" kryeministri britanik Cameron dhe presidenti amerikan Obama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Britani të Madhe. Si për të qartësuar këtë deklaratë të tyre natën e kaluar avionë ushtarakë britanikë dhe francezë kryen sulme të ashpra ndaj objektivave ushtarakë në kryeqytetin libian Tripoli. NATO po shton trysninë ushtarake ndaj regjimit të Gaddafit, pasi asaj nuk i mbetet më shumë kohë.

Në zonat e përfshira nga luftimet rebelët dhe forcat e regjimit vazhdojnë të jenë prej javësh në një situatë të pandryshuar të bllokuar. Rezistenca e Gaddafit dhe besnikëve të tij është më e madhe, nga sa ishte supozuar fillimisht. Këtu nuk ndryshojnë asgjë njoftimet e rregullta për zyrtarë të lartë të qeverisë, apo edhe familjarë të Gaddafit, të cilët thuhet se kanë braktisur Tripolin dhe janë larguar jashtë shtetit. Së shpejti fillon stina e nxehtë e verës dhe muaji i Ramazanit. Të dyja pritet të kenë ndikim negativ mbi vrullin dhe fuqinë luftarake të rebelëve.

Scheschkewitz, Daniel Zentrale Programmredaktion,

Daniel Scheschkewitz

Edhe kjo është një nga arsyet, përse Britania e Madhe së shpejti do të angazhojë në Libi helikopterë ushtarakë të tipit Apache, sepse kështu infrastruktura ushtarake e regjimit mund të luftohet në mënyrë më efektive. Misioni kështu do të jetë jo vetëm më efektiv, por edhe më i rrezikshëm. Helikopterët mund të bëhen më lehtë pre e mbrojtjes ajrore se sa avionët ushtarakë, që operojnë me shpejtësi zëri.

Por edhe një tjetër skenar e vendos NATO-n në trysni kohe: në korrik misioni në Libi i ushtrisë franceze mbush katër muaj dhe është i nevojshëm një miratim nga parlamenti francez. Kjo mund të kishte si pasojë një debat kombëtar me rezultat të panjohur dhe këtë presidenti francez Sarkozy kërkon ta shmangë me çdo kusht në prag të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Angazhimi i helikopterëve ushtarakë mund të mbështetej edhe me njësi speciale në tokë, të cilat sipas njoftimeve të pakonfirmuara ndodhen në Libi që prej fillimit të luftimeve. Mandati i OKB-së për misionin në shtetin afrikanoverior ndalon vërtet përdorimin e trupave pushtuese, por jo të trupave tokësore, me kusht që ato të vihen në mbrojtje të popullsisë civile. Libia do të bëhet tani një gur prove për Perëndimin, për këmbënguljen dhe besnikërinë e tij ndaj parimeve. Një gur prove edhe për aleancën strategjike në Nato, e cila për Uashingtonin është e lidhur në radhë të parë me një ndarje të qartë detyrash. Partnerët evropianë duhet të mbajnë barrën e tyre ushtarake, në mënyrë që transformimet në botën arabe të mos mbërrijnë në një pikë të vdekur.

Parisi dhe Londra janë në këtë drejtim në pararojë, sigurisht edhe për shkak të interesave të tyre. Gjermania është kryesisht diplomatike dhe aktive në mbështetjen e shoqërisë civile, p.sh. në Egjipt dhe Tunizi. Ndoshta ky angazhim së shpejti do të jetë i nevojshëm edhe në Libi.

Autor: Daniel Sheshkevic/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica