1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

NATO- koncept i ri strategjik për të pëballuar sfidat e sotme të sigurisë, të stabilitetit dhe të paqes

Intervistë me Michael Stopford, Zv. Ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, për strategjinë e komunikimit.

default

Logo e NATO-s

DW: NATO funksionin në një botë që ka ndryshuar shumë nga ajo e vitit 1949 kur Aleanca Atlantike u themelua. Çfarë ka mbetur e pandryshuar në strategjinë e Aleancës? Çfarë ka ndryshuar për t´iu përgjigjur zhvillimeve në botë, rrethanave dhe kushteve të reja?


Michael Stopford: NATO, njëlloj si atëhere kur u themelua para 60 vitesh, mbështetet në një sërë vlerash. Ajo është njëherazi një organizatë e sigurisë dhe e vlerave të përbashkëta: të demokracisë, të lirisë, të drejtave të njeriut, të ekonomisë së tregut të lirë, të stabilitetit dhe të sigurisë. Kjo,sot, është po kaq e vërtetë sa edhe 60 vjet më parë. Janë të qarta ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur prej mbarimirt të Luftës së Ftohtë, periudhë gjatë së cilës NATO ishte një ombrellë e sigurisë por nuk ishte operacionale. Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, patëm luftëra në Ballkan, të njërës apo tjetrës natyrë, në fillim në Bosnjë dhe pastaj në Kosovë. NATO luajti një rol të madh për t' i sjellë paqen dhe stabilitetin Ballkanit. Tani organizata përballon operacione të mëdha në Afaganistan, ku NATO përpiqet të parandalojë terrorizmin, të sigurojë qeverisjen dhe të bashkëpunojë me organizata të tjera për të sjellë stabilitet në Afganistan. Ndërkohë, që NATO përparon, Aleanca ndeshet me sfida të reja, të shumëanshme të çështjeve të sigurisë, deri në sigurinë mjedisore për energjinë dhe po kërkon të gjejë mënyra se si t'i përballojë ato. Aktualisht po përballet edhe me një raund të ri zgjerimi me Shqipërinë dhe Kroacinë, një perspektivë kjo anëtarësimi që konsiderohet një ngjarje e lumtur për Aleancën. NATO është zgjeruar shumë që nga vitet e Luftës së Ftohtë.


DW: Cilat janë tani prioritetet e NATO-s, koncepti strategjik për të ngritur arkitekturën e sigurisë globale?


Michael Stopford: NATO është përqëndruar natyrisht, në forcimin e Aleancës për sigurinë e përbashkët, Aleancë që tani, me anëtarësimet e reja, është shumë më e madhe se më parë. Së shpejti edhe me Shqipërinë dhe Kroacinë apo me mundësi të tjera anëtarësimi që po vijnë si p.sh. ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, duke shpresuar se çështja e emrit do të zgjidhet, apo partneriteti me Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Nëse flasim për Ballkanin, partneriteti ka të bëjë me pjesëmarrjen e vendeve të tij në Partneritetin për Paqe, p.sh. Serbia apo me Këshillin NATO-Rusi. NATO e sheh arkitekturën e sigurisë përtej Aleancës Atlantike, në gjetjen e partnerëve dhe organizatave të tjera si Kombet e Bashkluara, OSBE, BE natyrisht, në një përqasje të qartë për sigurinë e përbashkët.


DW: Kalojmë tek perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Çfarë roli mund të luajë Shqipëria në realizimin e prioriteteve të NATO-s?


Michael Stopford: NATO e mirëpret perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Atlantike. Mendoj se është e drejtë të vihet në dukje roli pozitiv që ka luajtur Shqipëria në situatat e vështira që ka kaluar Ballkani Perëndimor, në dekadat e fundit.

Shqipëria ka kontribuuar edhe në operacionet e NATO-s. Ne besojmë se, ndërkohë që përballemi me të ardhmen e organizatës në bazë të konceptit të ri strategjik, Shqipëria kontribuon me aktivitetetet e saj, dhe, në fakt, edhe me përvojën e saj si një aktore e përgjegjshme, në një rajon të vështirë, e cila mund të na ndihmojë të përballojme dekadat e reja në rajonin e Ballkanit dhe përtej tij.


DW: Çfarë pret NATO nga Shqipëria?


Michael Stopford: NATO është një aleancë e vlerave po kaq sa është edhe një aleancë ushtarake për sigurinë e përbashkët. Këto vlera janë zbatimi i ligjit, liritë demokratike, të drejtat e njeriut, stabiliteti siguria, ekonomia e tregut të lirë. Ajo që pritet nga një vend që i bashkohet NATO-s është t´u bashkohet këtyre vlerave, t´i përkrahë dhe t´i promovojë ato. NATO shpreson se anëtarësimi i Shqipërisë do të tregojë aderimin e saj të mëtejshëm në këto vlera të përbashkëta dhe shumë të rëndësihme të demokracisë.


DW: Si i vlerëson Aleanca çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, 10 vjet pas ndërhyrjes ushatarake në luftën e Kosovës dhe 1 vit pas shpalljes atje të pavarësisë?


Michael Stopford: Ka shumë çështje që janë ende të pazgjidhura, që duhen vendosur në tavolinë dhe të diskutohen në frymën e partneritetit, të sigurisë dhe interesave të përbashkëta për paqe dhe stabilitet, të cilat NATO përpiqet të promovojë.


DW: Cilat janë shtyllat kryesore ku NATO mbështetet për t´í zgjidhur çështjet e pazgjidhura të sigurisë në Ballkan?


Michael Stopford: Shtyllat kryesore janë zotimet e përbashkëta për të arritur synimet e aleancës për siguri të përbashkët, bazuar në nenet e Statutit të NATO-s, sidomos në nenin 5 të këtij Statuti për vendet brenda saj, por edhe duke arritur përtej Aleancës, tek vendet fqinje, vendet pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe dhe aktivitete të tjera dialoguese. Nga njëra anë NATO punon të konsolidojë lidhjet me vendet e saj anëtare, nga ana tjetër të arrijë tek partnerë të rinj,duke shpresuar që dyert e Aleancës do të mbeten përherë të hapura, siç kanë deklaruar vendet anëtare drejtuese. Në të njëjtën kohë NATO do të bashkëpunojë për të realizuar qëllimet e përbashkëta të sigurisë në një rajon,të konsideruar si fuçi baruti, rajon që ka përballuar vuajtje dhe gjakderdhje të mëdha në dekadat e kaluara.

  • Data 04.03.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H5Xn
  • Data 04.03.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H5Xn