1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO-ja përfundon misionin në Libi

Natoja i jep këtë të hënë fund angazhimit të saj ushtarak në Libi. Këtë vendim e mori të premten Këshilli i Natos. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen bëri në Bruksel një bilanc pozitiv

Anders Fogh Rasmussen: misioni ushtarak përfundoi

Anders Fogh Rasmussen: misioni ushtarak përfundoi

Shtatë muaj zgjati angazhimi në Libi i NATO-s - dhe synimi i deklaruar ishte: të mbrohet popullata civile nga dhuna. Dhuna, e cila e kishte burimin te milicët e ish-pushtetmbajtësit Muamar al Gaddafi. Tani Gadaffi ka vdekur, Libia është - siç brohoret Këshilli Tranzitor Nacional - krejtësisht e çliruar. Dhe NATO-ja nxjerr përfundime, bën që misioni i saj të përfundojë në të njëjtën kohë me mandatin e KS të OKB-së, në fund të muajit.

"Sepse detyra ushtarake u krye".

Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Operacion i suksesshëm

Rreth 26.000 herë fluturuan avionë të aleancës ushtarake që prej fundit të marsit mbi Libi: për të zbatuar ndalimin e fluturimit mbi Libi, për të penguar furnizimin me armë, për të bombarduar trupat e Gaddaffit, strukturat e komandimit dhe depot e armëve. Emri i operacionit "Unified Protector" (Forca mbrojtëse e bashkuar) edhe nëse në të nuk morën pjesë të 28 shtetet anëtare të NATO-s. Gjermania për shembull qendroi krejtësisht e tërhequr nga aspekti operativ. Megjithatë, i kënaqur Rasmusseni arrin në konkluzionin:

"Operacioni "Unified protector" është një nga operacionet më të suksesshme në historinë e NATO-s".

Sipas Rasmussenit, NATO-ja veproi shumë më shpejt se çdo herë tjetër. U deshën vetëm pak ditë, derisa ajo e mori komandën. U veprua në mënyrë më precize se kurdoherë më parë- këtë e konfirmon edhe numri krahasimisht i vogël i viktimave civile nga sulmet e NATO-s, të ashtuquajturat dëme kolaterale. Dhe tani, shton Rasmusseni, është detyrë e libianëve që ta ndërtojnë demokracinë.

Libia pas Gaddafit

Libia pas Gaddafit

"Ka natyrisht shumë për të bërë, për të ndërtuar një Libi të re, e cila të bazohet në pajtim, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në shtetin juridik."

Sipas Rasmusenit, NATO-ja është e gatshme që të japë ndihmën e saj në këto drejtime - por vetëm nëse për këtë ndihmë ekziston nevoja dhe ajo kërkohet. Për shembull, kur bëhet fjalë për të reformuar aparatin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Megjithatë, një rol të rëndësishëm aleanca ushtarake nuk do të luajë në të ardhmen në Libi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është i bindur se këtë mund ta bëjnë të tjerë, si për shembull Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Negociata me Gaddafin e ri

Ndërkohë, Gjykata Penale e Hagës deklaroi se ka vendosur me anë të ndërmjetësve "kontakte jozyrtare" me birin e Gaddafit, Seif el Islam, i cili kërkohet me urdhër ndërkombëtar arresti. Ai konsiderohet i pafajshëm, deri në momentin kur të jetë konfirmuar faji i tij, deklaroi kryegjykatësi Luis Moreno-Ocampo. Nëse Gaddafi i dorëzohet Tribunalit, ai ka të drejtën që ta dëgjojnë. 39 vjeçarin e akuzojnë për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit disa mujor të Libisë.

Se ku ndodhet i biri i Gaddafit është e paqartë. Sipas Moreno-Ocampos, një grup mercenarësh besohet se i ka ofruar Seif al Islamit që ta dërgojë në një vend afrikan, i cili nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj Haga po shqyrton mundësi që ta kapin atë në ndonjë avion mbi hapësirën ajrore të një vendi, i cili e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Veç Seif al Islamit kërkohet me një urdhër arresti edhe ish-shefi i shërbimit të fshehtë, Abdallah Senussi.

Autor: Birgit Schmeitzner/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

Audio dhe video për temën

  • Data 31.10.2011
  • Fjalët kyç libi, nato
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/131Ma
  • Data 31.10.2011
  • Fjalët kyç libi, nato
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/131Ma