1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-ja do të përdorë një ton më të ashpër ndaj Rusisë

Auron Dodi19 Gusht 2008

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kërkuan në takimin e tyre të krizës për situatën në Kaukaz tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse nga territori gjeorgjian.

https://p.dw.com/p/F10m
Pamje nga takimi i krizës i NATO-s për situatën në Kaukaz, 19 gusht 2008
Pamje nga takimi i krizës i NATO-s për situatën në Kaukaz, 19 gusht 2008Fotografi: picture-alliance / dpa

Sipas diplomatëve, shtetet anëtare të NATO-s ranë dakord në takimin e tyre të krizës për situatën në Kaukaz, që për shkak të konfliktit të Gjeorgjisë të përdorin një ton më të ashpër ndaj Rusisë. Veçanërisht për shkak të mosrespektimit të afatit për tërheqjen e trupave ruse nga territori gjeorgjian u përvijua një rënie dakord për të folur tone më të ashpra me Moskën, tha një diplomat francez në Bruksel.

Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband tha se pasiguria për tërheqjen e trupave ruse nga territori gjeorgjian i bashkon vendet anëtare të NATO-s. Televizionit britanik Sky Television Miliband i tha se "sot nuk kishte ndarje në qëndrime. Për vendet anëtare të NATO-s ishte e qartë se Rusia kishte shkelur si ligjet ndërkombëtare, ashtu edhe rregullat e lojës ndërkombëtare."

Për të theksuar mbështetjen e aleancës së NATO-s me Gjeorgjinë, në tryezën e punës ministrat e jashtëm të NATO-s kanë edhe propozimin për themelimin e një komisioni NATO-Gjeorgji, tha një diplomat tjetër. Ky forum nuk do të jetë zëvendësim për pranimin e Gjeorgjisë në të ashtuquajturin plan veprimi të NATO-s, MAP. Çështja e pranimit në MAP do të mbetet në rendin e ditës të takimit të dhjetorit të NATO-s. Në fillim të prillit, shefat e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s nuk mund të bien dakord për ta pranuar Gjeorgjinë në planin e veprimit të NATO-s.

I ngarkuari me politikën e jashtme të BE, Havier Solana tha në Bruksel se shpreson seriozisht që trupat ruse të fillojnë sot tërheqjen nga Gjeorgjia. Solana kishte marrë informacione paradite se disa njësi kishin filluar lëvizjen.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer tha se NATO-ja e nxit Rusinë që të tërhiqet së paku nga brendësia e territorit gjeorgjian. Por mundësitë e NATO-s në Kaukaz megjithatë janë shumë të kufizuara.