1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-ja dhe koncepti i ri strategjik

20 Qershor 2009

Me anëtaresimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO shtohet në 28 numri i anëtareve. Ky fakt dhe zgjerimi i gamës se çështjeve që i duhet NATO-s të trajtojë, bëjnë të nevojshëm hartimin e një koncepti të ri strategjik.

https://p.dw.com/p/IVBc
Kuartieri qendror i NATO-s.Fotografi: Alen Legovic

Në samitin e fundit të 3 dhe 4 prillit në Strasburg-Kehl, aleanca veriatlantike u zgjerua me dy vende të tjera. Në Bulevardin Leopold III, në periferi të Brukselit, në hyrje të selisë së NATO-s, valëviten sot përkrah 26 flamujve të mëparshëm edhe flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore i Shqipërisë dhe ai kroat. Samiti i fundit zgjodhi edhe Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s. Pasues në detyrë i holandezit Jap de Hop Schefer është nga 1 gushti danezi Anders Fogh Rasmussen.


Konceptet dhe strategjia


Zëdhënësi i aleancës James Appathurai thotë se njëra nga çështjet që do të ngrejë Sekretari i ri i Përgjithshëm, në konferencën e tij të parë për shtyp, më 3 gusht do të jetë koncepti i ri strategjik i aleancës.

NATO Sprecher James Appathurai
James AppathuraiFotografi: NATO photos

"Koncepti strategjik është një prej dy dokumenteve tanë më të rëndësishëm, do të thosha. Njëri është Karta e themelimit e vitit 1949. Koncepti strategjik është dokumenti më i gjallë, dhe ky rihartohet për të treguar se çfarë duhet të bëjë NATO-ja: Cilat janë detyrat e NATO-s? Ku duhet të shkojë NATO-ja? Ku nuk duhet të shkojë? Cilat detyra nuk duhet të marrë përsipër? Koncepti ynë i fundit është i vitit 1999, para 11 shtatorit, para Afganistanit, para sulmeve të internetit ndaj Estonisë, para kërcënimeve ndaj sigurisë energjetike. Do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm që do ta marrë vertët në dorë këtë çështje, duke e kthyer atë në një nga elemenët qendrorë të periudhës së vet në detyrë. Qëllimi është vendosja e NATO-s politikisht në një platformë më moderne për t'u përballur me sfidat e shekullit XXI", thotë Appathurai.

Në zhargonin e NATO-s, përgjegjësi për planifikimin pranë zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës, Jonathan Parish e ndan historinë e përmbledhur të organizatës në tri faza, filluar nga ajo e Luftës së Ftohtë, ajo pas Luftës së Ftohtë në vitet nëntëdhjetë e deri tek faza aktuale, e njohur si 11 shtatori. Ishin sulmet ndaj SHBA-së që e çuan NATO-n në Afganistan. Objektiv i deklaruar i aleancës është stabilizimi i i këtij vendi në planin afatmesën në atë shkallë që qeveria vendase të mund t'i bëjë ballë vetë rrezikut nga talibanët dhe tërheqja e trupave nga ky vend. Sërish zëdhënësi i NATO-s:

"Së shpejti (në Afganistan) do të zhvillohen zgjedhjet dhe ky do të jetë një prioritet kryesor për ne. Me fjalë të tjera garantimi se do të bëhet maksimumi i mundshëm që do të lejojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe niveli më i lartë i pjesëmarrjes. Ne gjykojmë se kjo do të jetë një referencë e rëndësishme për progresin në Afganistan. Forcat e NATO-s në terren do të shtohen gjatë periudhës së zgjedhjeve", thtoë ai.


Sfidat e zgjerimit të NATO-s


Në një kohë që shumica e vendeve të ish-bllokut lindor janë bërë anëtare të NATO-s marrëdhëniet me Rusinë mbeten të vështira. Ky zgjerim i NATO-s perceptohet prej saj si rrethim. Raportet u acaruan së fundi me ndërhyrjen e trupave ruse në Gjeorgji, por janë, sipas zëdhënësit Appathurai, sërish drejt përmirësimit.

Symbolbild Flagge Russland NATO
Fotografi: AP GraphicsBank/DW

"Ne sapo kemi pasur një takim NATO-Rusi në nivel ambasadorësh. Ka vullnet të përbashkët për një takim të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe të Rusisë, pra për të pasur marrëveshje në planin politik. Me zhvillimin e këtij takimi, do të rifillojë bashkëpunimi ushtarak. Ky është i ngrirë që prej muajit gusht. Po flitet për rritje të bashkëpunimit për sa i takon Afganistanit, Rusia ka ofruar të na lejojë kalime, me ne ajo ofron stërvitje kundër narkotikëve për policinë afgane dhe ato të vendeve të Azisë qendrore dhe duam të hetojmë mundësitë, nëse mund të bëjmë më shumë së bashku", pohon zëdhënësi.

Rregullorja e vlefshme për Forcat e Sigurisë të Kosovës lë hapësirë për kontribute të këtyre forcave në operacione ndërkombëtare, thotë zëdhënësi i NATO-s. I pyetur në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri pasi thekson se NATO-ja nuk monitoron apo komenton proceset demokratike të vendeve të veta anëtaredhe, Appathurai shton: "Di që asambleja parlamentare e NATO-s ka marrë vendimin për të dërguar një grup vëzhgues për zgjedhjet."

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani