1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

NATO feston 60 vjetorin në zemër të Evropës

Fillimit të punimeve të Samitit të NATO-s, i ka paraprirë Forumi i Rinisë i mbajtur dje në mbrëmje në Strazburg. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hoop Scheffer, prezantoi në të vizionin e ardhshëm të Nato-s.

Pamje simbolike për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato.

Në hapje të Forumit të Rinisë, Sekretari i Përgjithshëm, Jap de Hoop Scheffer ka përshëndetur zgjerimin e NATO-s me dy, vendet e reja anëtare: Shqipërinë dhe Kroacinë.

Forumi i rinisë “NATO në vitin 2020. Si do të jetë e ardhmja?” i ka paraprirë mbrëmë fillimit sot, të punimeve të Samitit të Aleancës Atlantike në Strazburg dhe Kehl, si dhe festimit të 60 vjetorit të krijimit të saj.

Në hapje të këtij forumi Sekretari i Përgjithshëm, Jap de Hoop Scheffer ka përshëndetur zgjerimin e NATO-s me dy vendet e reja anëtare, Shqipërinë dhe Kroacinë. “NATO feston 60 vjetorin në zemër të Evropës. Do të përgëzoja me gjithë zemër, miqtë tanë nga Shqipëria dhe Kroacia. Të dyja vendet i janë bashkuar tanimë zyrtarisht NATO-s, që nuk ka më 26 anëtarë por 28 dhe ky është një sukses i madh,” tha mbrëmë në Strazburg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike. Ai ndau me të rinj dhe të reja nga 60 vende të botës, pjesëmarrës në Forum pikëpamjet dhe vizionin e tij për NATO-n. Kreu i NATO-s konsideroi si tipare kryesore të një NATO-je të ardhshme "bashkëpunimin më të gjerë me institucionet ndërkombëtare, transformimin e aftësive ushtarake, zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj dhe partnerë nga i gjithë globi".

Flamujtë e vendeve anëtare të Nato-s në Strazburg.

Fillojnë sot punimet e Samitit të Aleancës Atlantike në Strazburg dhe Kehl, si dhe festohet 60 vjetori i krijimit të Aleancës.

Në këtë Forum, Jap de Hoop Scheffer, bëri edhe prezantimin e idesë për një koncept të ri strategjik të Aleancës, si nevojë “për t`iu përshtatur ndryshimeve në mjedisin e sigurisë ndërkombëtare, që nga viti 1999”. Ai ftoi rininë të marrë pjesë aktive me idetë e saj, në hartimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s, për të mbrojtur vlerat universale "të lirisë dhe demokracisë", vuri në dukje Jap de Hoop Scheffer. "Ju jeni brezi që duhet ta mbajë ndezur flakën e mbrojtjes së këtyre vlerave, sepse ato nuk vijnë automatikisht, por duhen mbrojtur çdo ditë, çdo orë. Ky është mesazhi i NATO-s edhe për 60 vitet e ardhshme,” tha ai duke iu drejtuar rinisë.

Policia franceze ndeshet me qindra demostrues anti NATO

Por, ndërsa të Forumi i Rinisë duartrokiste këtë mesazh, rreth 25 mijë policë francezë u ndeshën me disa qindra protestues anti NATO. Demostruesit thyen dritaret e dyqaneve, shkatërruan automjete dhe ngritën një barrikadë afër qendrës së Strazburgut, para se policia t'i largonte. Ata mbanin parulla ku shkruhej “Stop represionit në Strasburg dhe në Londër”. Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit, dhe shumë prej tyre u arrestuan.

Demostrues ndeshen me policinë.

Rreth 25 mijë policë francezë u ndeshën me disa qindra protestues anti NATO, dje më 2 prill në Strazburg.

Franca bëri të ditur në fillim të muajit të kaluar, se do të riintegrohej tërësisht në NATO, pas disa dekadash ku kishte marrë pjesë në aksione ushtarake të Aleancës, por jo në vendimmarrje. Franca dhe Gjermania janë për herë të parë dy vendet aleate, mikpritëse të Samitit të NATO-s, që fillon sot në Strasburg. Samiti do të fillojë me një darkë pune në Baden Baden, ku do të shkëmbehen mendime për rolin dhe misionet e Natos në të ardhmen.

Autor: Ani Ruci / Strazburg

Redaktoi: Aida Cama


  • Data 03.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HPNL
  • Data 03.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HPNL