1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO e shqetësuar për praninë ushtarake ruse në Siri

NATO është e shqetësuar për informacionet se Rusia po dërgon armë në Siri, duke e shtuar mbështetjen për Assadin. Kremlini ka kërcënuar me pasoja pas vendimit të Bullgarisë për të bllokuar fluturime ruse mbi Bullgari.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i shprehu shqetësimet e tij të martën, pasi publikimit të informacioneve se Rusia ndoshta po transporton ndihma ushtarake në Siri.

"Po, unë jam i shqetësuar nga informacionet se Rusia mund të ketë zhvendosur personel ushtarak dhe forca ajrore në Siri", tha Stoltenberg në një sesion pyetje-përgjigje në Facebook. "Çdo mbështetje ushtarake për regjimin e Assadit mund të shkallëzojë më tej konfliktin."

Komentet e Stoltenbergut u bënë pak orë pasi Bullgaria e mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët ushtarakë rusë të nisur për në Siri. Autoritetet bullgare thanë se kanë shkak që të besojnë se "ngarkesa e deklaruar nuk përputhej me të vërtetën."

Kremlini u kundërpërgjigj dhe kërkoi që Bullgaria të shpjegojë se pse i kishte ndaluar fluturimet e tij me ndihma për në Sanaa. Kremlini tha se nuk e ka fshehur kurrë faktin se dërgon pajisje ushtarake në Siri për "të luftuar terrorizmin". Një zyrtar i lartë i Moskës paralajmëroi për kundërpërgjigje.

"Çështja nuk ka të bëjë as me masat shpaguese që do të marrtë Rusia kundër Bullgarisë në njërën mënyrë apo në tjetrën...Çështja ka të bëjë me faktin se kjo minon të ardhmen e marrëdhënieve tona të përbashkëta," tha Leonid Kalashnikov, zëvendëskryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës ruse, bën të ditur agjencia ruse e lajmeve TASS.

Marrëdhënie të tendosura me Moskën

Moska është aleate e ngushtë e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad në Siri. Rusia sipas të dhënave ende nuk ka dërguar trupa luftarake në zonën e konfliktit. Por ajo e ka intensifikuar rolin e saj si ndërmjetëse në luftën civile në vend.

Por shtete anëtarë të NATO-s, duke përfshirë edhe SHBA, që udhëheqin koalicionin ushtarak kundër "Shtetit Islamik" në Siri dhe në Lindjen e Mesme, kanë paralajmëruar se ndërhyrja e Rusisë mund ta thellojë më tepër krizën, në të cilën e kanë humbur deri tani jetën më shumë se 200.000 vetë.

Dakordim me Athinën

Qeveria ruse pati kërkuar edhe nga Greqia që të lejojë fluturime ruse me mallra ndihmë për Sirinë në hapësirën e saj ajrore. Pasi u bë e ditur që SHBA kërkuan nga partneri i NATO-s, Greqi që të mos lejojë fluturime ruse mbi territorin e vendit, nga Athina u bë e ditur se është gjetur një zgjidhje. Avionët rusë do të fluturojnë përreth Greqisë. "Russische Soldaten schulen"

Zëvendësministri i jashtëm rus, Bogdanov theksoi se pjesëtarë të ushtrisë ruse ndodhen në Siri, për ta shkolluar ushtrinë e Assadit si të përdorë armë ruse. Rusia vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, tha ai. Informacionet për plane ruse, për të ngritur në Tartus një bazë ushtarake ruse me kapacitet të plotë, ai i hodhi poshtë. Qeveria siriane ndërkohë e hodhi poshtë lajmin për angazhimin e trupave ruse në vend. Këto "ide" "fabrikohen" nga shërbimet e fshehta perëndimore dhe arabe, i tha ministri sirian i Informacionit, Omran al-Sohbi stacionit Al-Manar. Me këtë synohet të krijohet përshtypja se qeveria sirianë është "dobësuar."