1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO e gatshme për të mbrojtur Turqinë

NATO i ka të gatshme planet për të mbrojtur Turqinë nëse paraqitet nevoja. Por ministrat e Mbrojtjes së Aleancës shpresojnë se një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme.

NATO është e përgatitur për një përshkallëzim të konfliktit mes anëtarit të saj Turqisë dhe Sirisë. Në fakt, kjo temë as që ishte në rendin e ditës. Megjithatë konflikti turko-sirian pothuajse ka dominuar në ditën e parë të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Javën e kaluar si pasojë e një sulmi artilierik të kryer nga Siria në territorin e Turqisë u vranë pesë civilë turq. Që atëherë, janë përsëritur shkëmbimet e ndërsjella të zjarrit. Parlamenti turk ka autorizuar qeverinë për një ndërhyrje ushtarake. Por qeveria në Ankara deri tani nuk ka kërkuar mbështetjen ushtarake të Aleancës në bazë të nenit 5 të statutit të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, e quajti në Bruksel këtë mundësi si "hipotetike". Po ashtu ai përgëzoi qeverinë turke për përmbajtjen e treguar duke pasur parasysh "sulmet krejtësisht të papranueshme siriane".

Trupat turke në kufi me Sirinë

Trupat turke në kufi me Sirinë

NATO e gatshme për të mbrojtur Turqinë

"Sigurisht që Turqia ka të drejtë të mbrojë veten në kuadër të së drejtës ndërkombëtare", tha Rasmusen. Turqia gjithashtu mund të mbështetet edhe në solidaritetin e NATO-s. "Ne i kemi të gatshme të gjitha planet për të mbrojtur Turqinë, nëse paraqitet nevoja", tha Rasmusen i cili shpreson se kjo nuk do të jetë e nevojshme.

Problemi i Sirisë mund të zgjidhet me mjete poltike. Po ashtu edhe ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière i shprehu Turqisë mbështetje. "Gjermania qëndron e vendosur në anën e Turqisë. Ne mendojmë se është e drejtë që Turqia reagoi dhe do të reagojë me vendosmëri dhe qetësi dhe ne të gjithë duhet të punojmë që të ajo të vazhdojë në këtë mënyrë", u shpreh ai. Është e qartë se rrethanat flasin për deesakalim të gjendjes. Por NATO do të bëjë krejt çfarë është e mundur për të shmangur përfshirjen e saj në këtë konflikt.

Pamje nga takimi i ministrave të Mbrojtjes në Bruksel

Pamje nga takimi i ministrave të Mbrojtjes në Bruksel

Jo më, secili me forcat e saj ajrore

Në të vërtetë në rendin e ditës në diskutimin e të martës (09.10.2012) ishin masat e kursimit. Shtetet anëtare duhet të rregullojnë buxhetet e tyre dhe për këtë arsye ato duhet të kursjenë edhe në fushën e mbrojtjes. Megjithatë NATO nuk dëshiron të humbë asnjë nga aftësitë e saj të mbrojtjes. Bashkëpunimi ndërkombëtar është fjala magjike, një lidhje dhe bashkim i kapaciteteve të mbrojtjes, aty ku ato mund të kenë kuptim. Politika e mbrojtjes është pothuajse kudo një çështje e prestigjit kombëtar. Në të ardhmen, megjithatë, jo çdo vend të NATO-s do të ketë forcën e saj ajrore. Në shkollimin e pilotëve do të bashkohen kapacitetet. Fusha të tilla ku mund të kursehet ka mjaft.

Por Rasmusen paralajmëroi që të mos ketë shumë iluzione. Një ditë, kur ekonomitë do të rikëmben sërish, anëtaret e NATO-s do të duhet të rrisin sërish investimet e tyre në fushën e mbrojtjes. Siguria, sipas Rasmusen, është baza e mirëqenies. "Disa thonë se ne nuk mund ta përballojmë atë. Por unë them: Ne nuk mund ta përballojmë që të heqim dorë nga ajo", theksoi ai.