1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO diskuton për misionet në Kosovë dhe Afganistan

Takimi i Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.Thomas de Maizière: „Ushtarët vetëm mund ta stabilizojnë situatën, por problemin mund ta zgjidhë vetëm politika, në radhë të parë përmes bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë"

Takimi i NATO-s në Bruksel

Takimi i NATO-s në Bruksel

Ndërsa në Afganistan NATO-ja nis tërheqjen e trupave, për Kosovën ende s'mund të bëhet fjalë. Në fakt kontigjenti gjerman i trupave të KFOR-it duhej të reduktohej në masë, por pas trazirave vitin e kaluar, si pasojë e të cilave u plagosën edhe disa ushtarë gjermanë, tani nuk mund të shtrohet opcioni i pakësimit të trupave tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maizière për televizionin gjerman ARD të premten. „Situata atje vazhdon të jetë e vështirë. Tani për tani unë nuk shoh asnjë mundësi për tërheqjen e trupave të mëtejshme. Kësisoj rreth 1400 ushtarë të ushtrisë gjermane (Bundeswehr) do t'u duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në rajon, ashtu si edhe pjesës tjetër të trupës së KFOR-it të përbërë nga rreth 6000 ushtarë.

Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière

Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière

Zgjidhja vetëm përmes dialogut

Ministri gjerman i Mbrojtjes: „Ushtarët vetëm mund ta stabilizojnë situatën, por problemin mund ta zgjidhë vetëm politika,në radhë të parë përmes bisedimeve mes Kosovë dhe Serbisë, në të cilat Bashkimi Evropian ka një rol drejtues. Në mënyrë të ngjashme e vlerëson situatën edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmunsen, sipas të cilit është me rëndësi jetike vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit: „Ky dialog ofron një mundësi historike për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, dhe palët negociuese duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.“

Sa i përket Afganistanit NATO-ja dëshiron që ky vend ta marrë vet në dorë të ardhmen e vet. Aleanca synon që deri në vitin 2014 kompetencat e sigurisë dhe rendit t'i kalojnë tërësisht ushtrisë dhe policisë afgane. Presidenti i Francës, Nicola Sarkozy, ka deklaruar se Franca do t'i tërheqë trupat luftarake qysh në vitin 2013. Edhe sekretari amerikan i shtetit për Mbrojtjen Leon Panetta u shpreh për tërheqjen e trupave nga Afganistani në vitin 2013. Ndërkohë që ministri britanik i Mbrojtjes, Philip Hammond i përmbahet planeve për tërheqjen e trupave deri në vitin 2014, pasi të jetë stabilizuar gjendja në vend.

Autor: ARD, ZDF/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM