1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

NATO dhe SHBA: Transformimi i FSK-së vetëm me ndyshime kushtetuese, jo me ligj.

SHBA thotë se “miratimi i ligjit të propozuar për transformimin e FSK-së në ushtri, do ta detyronte atë që ta rivlerësojë bashkëpunimin dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën afatgjatë për këto forca.

NATO dhe SHBA-së, shprehën shqetësimin e tyre me nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që me një ligj të transformojë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës.  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një komunikatë për medie, thotë se për këtë çështje ka biseduar në telefon me Presidentin e Kosovës Hashim Thaci dhe kryeministrin Isa Mustafa, ku shpreh kundërshtimin e tij për të shndërruar FSK-në në Ushtri, pa ndryshimet e nevojshme Kushtetuese.

"U kam përcjellë shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s në lidhje me propozimet e fundit nga autoritetet e Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një Forcë të Armatosur, pa bërë ndryshimet e Kushtetutës. Ua kam bërë të qartë se hapat e tillë të njëanshëm janë të padobishëm dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbeten në kontakt të ngushtë me Beogradin”, thuhet në deklaratën e shefit të NATO-os Jens Stoltenberg.

Kosovo NATO-Generalsekretär Jens Stoltenberg mit Präsident Hashim Thaci (Kosovo Presidency and Office of the Kosovo Primeminister)

Jens Stoltenberg dhe Hashim Thaçi

Sekretari i përgjithshëm i NATO-os, vazhdon më tej, duke thënë se NATO e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale, duke shtuar multi-etnicitetin në radhët e saj. "Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë një çështje për institucionet lokale të Kosovës, në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese. Megjithatë, nëse duhet që mandati i FSK-së tani të zhvillohet në mënyrën e propozuar, NATO do të duhet të rishikojë nivelin e saj të angazhimit, sidomos në drejtim të ngritjes së kapaciteteve. Unë e bëra këtë të qartë gjatë vizitës sime të fundit në Kosovë dhe e kam përsëritur edhe  në bisedat e mia telefonike sot me Presidentin  dhe kryeministrin”, thotë Stoltenberg.

SHBA e shqetësuar

Idenë për transformimin e FSK-së me ligj në ushtri të Kosovës e  kundërshtoi edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Në një deklaratë për  mediet të kësaj ambasade, thuhet se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues.

"Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s.  Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Madje  në reagimin e mbasadës amerikane, thuhet se "miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”.

Serbia pret ndihmë

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi  per mediet  në Serbi se, "për çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës pret ndihmën e Bashkimit Evropian, SHBA-ve, Rusisë, duke pohuar se këto janë gjëra të mëdha që dikush të luajë me to”. Vuqic, thotë se "formimi i Ushtrisë së Kosovës,  do të përbënte  shkelje të Rezolutës 1244 të KS të KB-ve, por është edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Sidoqoftë, kryesia e kuvendit të Kosovës sot i procedoi për rishqyrtim qeverisë, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, ndërsa, është qeveria e ajo e cila duhet ta procedojë në kuvend këtë projektligj pas rishikimit të tij. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha pas mbledhjes së kryesisë se kuvendit se  "cdo akt të cilin Kosova e ka ndërmarrë në këto 18 vite është kontinuitet i partneritetit të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe ky kontinuitet do të vazhdojë, tha Kadri  Veseli.