1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nata e kristaltë 1938 - Gjermania përkujton pogromin ndaj hebrejve

EPD, DPA / A Verbica9 Nëntor 2013

Në aktivitete të shumta në mbarë vendin u përkujtua pogromi kundër hebrenjve me 9 nëntor 1938. Ekspozita "BESA, një kodeks nderi" në Frankfurt mbi Oder tregon se si shqiptarët fshehën dhe shpëtuan hebrejtë nga nazistët.

https://p.dw.com/p/1AEgW
Fotografi: gemeinfrei

75 vjet pas natës së kristaltë, natës së pogromit ndaj hebrejve, në të gjithë Gjermaninë janë përkujtuar ngjarjet e 9 nëntorit 1938. Në aktivitete të shumta në mbarë vendin politikanë dhe qytetarë përkujtuan dhunën kundër hebrenjve.

Në kujtim të viktimave të natës së pogromit të vitit 1938 Presidenti gjerman Joachim Gauck bëri thirrje për më shumë kurajo civile. "Të dyja janë të pandara: që të kujtojmë krimet e tmerrshme, që u bënë para 75 vjetëve e më vonë ndaj hebrejve të Evropës dhe që të ngrihemi e të veprojmë kundër ksenofobisë dhe racizmit në ditët tona", tha Gauck të shtunën pasdite (9.11) në një koncert përkujtimor në Frankfurt mbi Oder.

Duhet penguar që neonazistët të bëjnë punën e tyre në qytete dhe fshatra, theksoi Presidenti. Ai përmendi vrasjet e kryera nga grupi i djathtë ekstremist NSU. "Ne duhet të pengojmë që urrejtja dhe fanatizmi racial të trubullojnë sërish mendjet dhe të prishin zemrat", tha Gauck. "Ne duhet t'ia ndalojmë vetes, që të hedhim sytë mënjanë, kudo dhe kurdo që të ndodhin gjëra të tilla."

Duke kujtuar 9 nëntorin 1938 presidenti gjerman tha: "Më e keqja është se si u spostuan plotësisht kategoritë morale, kuptimi i së mirës dhe i së keqes. Por është ngushëlluese, "që ka gjithmonë njerëz, qoftë edhe një grusht njerëzish, që quhen "të drejtë" në bibel, që as nuk i bind dot dhe as i ndalon dot për të qenë njerëzorë", tha Gauck.

Ekspozita "BESA- një kodeks nderi"

Presidenti qe në mesditë i pranishëm në hapjen e ekspozitës "BESA- një kodeks nderi", në Frankfurt mbi Oder. Në ekspozitë tregohet se si shqiptarët muslimanë fshehën dhe shpëtuan hebrejtë e ikur gjatë Luftës së dytë Botërore.

Të shtunën pasdite Gauck peruroi në Eberswalde momerialin "Të rritemi me kujtimin". Memoriali prej muresh dhe drurësh të kujton sinagogën e vjetër, si dhe hebrejtë viktima të pogromeve të nëntorit 1938.