1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Natë për natë të bombarduar nga Nato" - Si e përjetojnë luftën qytetarët në Libinë e Gaddafit

Qyteti libian Slitan ndodhet në afërsi të vijës së frontit mes trupave qeveritare dhe rebelëve. Atje Nato bombardon pozicionet e Gaddafit. Qeveri libiane u tregon gazetarëve të huaj perspektivën e saj.

Luftime në Misrata.

Luftime në Misrata.

Ato nuk shiheshin, por dëgjoheshin qartë: Uturimat e motorëve të avionëve të NATO-s, të cilët pak kohë më pas lëshuan nga ajri bagazhin vdekjeprurës mes Misratës dhe Slitanit. Fillimisht dëgjoheshin shpërthimet, pastaj ngjiteshin në qiell shtëllunga tymi, në lindje të Slitanit. Edhe në perëndim të qytetit bombardonte NATO, me sa duket armatime ushtarake dhe ushtarë të Gaddafit.

Prej muajsh e njëjta gjendje, thotë Selimi, një banor i Slitanit: "Natë për natë ata hedhin bombat, që prej katër muajsh. Natë për natë. Fillimisht nuk kishte rregullsi, tanimë kjo po vazhdon pa ndërprerje. Po ashtu në fillim ata i zgjidhnin pikat, godisnin objektiva të caktuar, tani bombardohet gjithçka. Shtëpi, shkolla, vetëm para dy ditësh janë shkatërruar disa shtëpi."

Nga bombardimet është prekur vetëm lindja e qytetit që shtrihet në detin Mesdhe. Nga kjo pikë nuk është shumë larg, Al Definia, gjysma e rrugës për në Misrata. Pikërisht aty kalon linja e frontit të luftës. Për në Lindje të Slitanit, nuk duan të na lejojnë punonjësit e Ministrisë së Informacionit. Arsye për këtë pengesë nuk ka.

Ndërsa në Slitan nuk shihet se ka pasur bombardime. Në vend të kësaj na tregohet ndërtesa e një firme turke të ndërtimit, në dalje të qytetit bregdetar. Që me fillimin e luftimeve, punonjësit e firmës dhe stafi drejtues u larguan për në Tunizi. Pas kanë mbetur fjetore dhe zyra të boshatisura, si edhe parku i makinave. Dy ndërtesa nuk kanë mure dhe as çati. Na thuhet se janë bombarduar nga NATO. Por nuk shihet ndonjë shenjë e goditjes nga ajri.

Sulme ajrore të Nato-s në kryeqytetin libian Tripoli.

Sulme ajrore të Nato-s në kryeqytetin libian Tripoli.

500 metra më tej ndodhet një zonë ushtarake e forcave të armatosura libiane, të cilën NATO me sa duket e ka sulmuar vërtet. Shkatërrimi është i madh. Por ne mund t'i shohim rrënojat vetëm në ecje e sipër, për të qëndruar nuk lejoheshim. Ndërtesa tjetër që na tregohet është rrënuar gati përgjysmë, goditja ka ardhur nga një raketë. Këtu shihet qartë vrima e krijuar nga predha.

Një banor tregon se shtëpia është sulmuar të hënën në mëngjes në orën katër të mëngjesit. "Dolëm të gjithë me vrap jashtë, menduam se po qëllonin mbi shtëpitë tona. Të gjithë bërtisnin. Këtu ka qenë më parë një pikë kontrolli, ushtarët ia mbathën menjëherë, ata janë vullnetarë në ushtri. Lanë rrobat këtu dhe ikën."

Stacioni i fundit i turit tonë në Slitan, sidoqoftë ato objekte që ka zgjedhur të na i tregojë qeveria libiane, është spitali i qytetit. Shohim civilë të plagosur nga sulmet ajrore të NATO-s. Kështu na thuhet. Për ta vërtetuar këtë nuk mundemi. Edhe se kur dhe ku u plagosën shtatë burrat që na treguan. Përballë vijnë ushtarë të lidhur me fasho, që nuk duan as të pyeten dhe as të fotografohen. Me sa duket këtu trajtohen nga ana mjekësore luftëtarët e Gaddafit. Së paku ky është një informacion i sigurtë i gjithë itinerarit tonë.

Autor: Peter Steffe / Lindita Arapi

Redaktoi: E. Xhani