1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nafta vazhdon të rrjedhë në det

Katastrofa e ndotjes me naftë në Gjirin e Meksikës do të hetohet nga një komision i pavarur, bëri të ditur Presidenti i SHBA-së Barack Obama. Përpjekjet për thithjen e naftës, që rrjedh e pakontrolluar, vazhdojnë.

default

Qilimi i naftës

Me një lloj tubi thithës gjigant, që prej ditës së djelë (16.5.) nafta, që rrjedh në det, thithet në një anije cisternë. Deri tani sasia e thitur është 1.000 fuçi në ditë ose rreth 135 tonë. Doug Suttles, menaxher në koncernin e naftës BP, pranon:

"Kjo nuk është e gjithë sasia e naftës, që derdhet në Gjirin e Meksikës. Nafta vazhdon të rrjedhë. Por ne shpresojmë që gjatë 24 orëve të ardhshme të thithim më shumë naftë përmes tubit."

BP pranon se me tubin gjigant me një diametër prej rreth dhjetë centimetrash mund të thithë rreth një të pestën e naftës së rrjedhur. Objektivi mbetet megjithatë që e çara, nga rrjedh nafta, të mbyllet plotësisht. Koncerni britanik i naftës shpreson që kjo të arrihet deri në fundjavë, ose më e vonëta brenda dhjetë ditëve të ardhshme, deklaroi Doug Suttles:

Infografik Rettungskonzept BP Oelkatastrophe Golf von Mexiko Englisch

Grafikë e konceptit të koncernit BP për shpëtimin e Gjirit të Meksikës nga rrjedhja e naftës

"Ne duam të hedhim baltë të rëndë poshtë në vrimën e shpimit dhe të ndalojmë kështu rrjedhjen e naftës. Më pas do të bëhet izolimi me çimento."

Por ndërkohë ka lajme të reja shqetësuese. Studiuesit kanë llogaritur se nafta mund të mbërrijë në një rrymë të fortë, e cila ta çonte më pas në Florida. Kjo mund të paraqesë një rrezik të madh për ishujt para brigjeve në jug të Floridës me vlera ekologjike dhe turistike, një zinxhir rreth 300 kilometra i gjatë mes Gjirit të Meksikës dhe Atlantikut. Janet Napolitano, ministrja për Mbrojtjen e Atdheut në qeverinë Obama, u shpreh kështu të hënën (17.5.) para një komisioni të Senatit:

"Nëse shohim se nafta po shkon vërtet në drejtim të kësaj rryme, do të përpiqemi ta pengojmë me kimikate dhe barriera, njëlloj sikur të ishim duke mbrojtur një pjesë të bregut."

USA / Heimatschutzministerin / Janet Napolitano

Ministrja për Mbrojtjen e Atdheut, Janet Napolitano

Askush nuk mund të thotë me saktësi, se sa naftë ka rrjedhur deri tani në Gjirin e Meksikës. E paqartë është edhe nëse në thellësitë e Gjirit pluskojnë masa të mëdha nafte. Disa studiues duan të sigurojnë prova për këtë, por autoritetet shtetërore nuk duan të konfirmojnë ende asgjë.

E qartë është megjithatë që, me sa duket, gabime nuk ka bërë vetëm koncerni i naftës BP, por edhe zyrat përgjegjëse shtetërore. Thënë më saktë: autoriteti përgjegjës në SHBA për shpimet në tabanin e detit, MMS.

Pasojat e para në personel pas katastrofës

Një drejtor sektori, i cili ishte përgjegjës për kontrollin e shpimeve, paraqiti të hënën (17.5.) dorëheqjen. Presidenti Obama e kishte akuzuar autoritetin pranë Ministrisë së Brendshme se kishte lidhje të ngushta me industrinë e naftës. Duket se Obama do të drejtojë vetë masat për sqarimin e rrethanave të katastrofës.

Të hënën (17.5.) u bë e ditur se Presidenti do të angazhojë një komision, i cili duhet të hetojë shkaqet e incidentit të rëndë. Komisione të ngjashme ekspertësh janë ngritur në SHBA edhe në të kaluarën pas katastrofave të rënda, si p.sh. në vitin 1986 pas shpërthimit të raketës kozmike Challenger.

Autor: Anna Engelke/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 18.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NQtJ
  • Data 18.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NQtJ