1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nacionalizmi që vjen nga Lindja

Volker Wagener
8 Janar 2018

Ku qendron problemi në BE? Polonia dhe Hungaria - të pranuara jo më larg se 13 vjet më parë në BE - sillen në mënyrë nacionaliste. Një pasqyrë e gjendjes së një problemi që ka kohë që rëndohet.

https://p.dw.com/p/2qVWC
Polen Viktor Orban in Warschau
Fotografi: picture-alliance/dpa/PAP/P. Supernak

Dëshmi tjetër për të konfirmuar besimin në vetvete të evropianlindorëve as që ishte e nevojshme. Por Viktor Orbani, burri i fortë i Hungarisë dhe kryeministri, e shfrytëzoi paraqitjen e tij të shkurtër tek CSU-ja bavareze për të shqiptuar fjalë të qarta: refugjatët myslimanë janë për bashkëkombasit e tij pushtues myslimanë, "një gjë të tillë nuk e duam". Dhe Hungaria nuk ka dëshirë që t'i imponojnë asgjë, u shpreh Orbani për gazetën bulevardeske "Bild". Ai nuk pranon ndërhyrje, përkundrazi vendi i tij meriton respekt, bubulloi ai kundër kritikës së kryetarit të SPD-së, Martin Schulz. Pa dyshim: vendet e BE po distancohen politikisht nga njëri-tjetri.

Një debat tjetër vlerash në Lindje

Kjo në një kohë kur BE ka qenë adresë e ëndërruar e ish-bllokut lindor. Nga kjo kanë kaluar 25 vjet. Ndërkohë, lidhja evropiane e shteteve ka probleme masive me anëtarët e saj më të rinj. Kjo mund të pohohet edhe për palën tjetër. Polonisë dhe Hungarisë, BE i duket vetëm makinë parash e shkëlqyer. Centralizmin e Brukselit ata e kundërshtojnë. Në multikulturalizmin e Evropës Perëndimore ata shohin kërcënim. Në vend të kësaj, në Varshavë dhe Budapest përkufizohen vlera të reja të vjetra: atdheu, besimi i krishterë, familja.

Ideale politike shoqërore si këto vlejnë edhe në Çeki dhe në Sllovaki. Është formuar një kundërlëvizje ndaj shoqërive të hapura të Evropës Perëndimore.

Pas kësaj qëndron ideja, për t'i dhënë sërish përparësi kombit në një ekzistencë pa kufi, të globalizuar. Me këtë, Viktor Orbani dhe partia e tij Fidesz i përkufizojnë nga e para standardet e vlerave. Kemi të bëjmë me një përpjekje për ta bërë më të thjeshtë një botë që është ndërlikuar dhe që kolektivi e ndjen si kërcënim. Të njëjtin kurs  ndjek edhe Jaroslaw Kazsynski, kryetar i Partisë PiS në Poloni. Orbani e ka pagëzuar "shtet joliberal" vendin e tij, Kaczynski e quan ristrukturimin e shtetit "dobra zmiana", një ndryshim të mirë. Të krijohet përshtypja se ideja evropiane po ripërkufizohet në Lindje.

Mungesa e socialdemokracisë pas socializmit

Pasoja është një zhvendosje e qartë nga e djathta në periferinë lindore të BE. Kjo ka të bëjë vetëm kushtimisht me vështirësitë ekonomike. Supozimi se një shoqëri e tronditur nga krizat dhe papunësia e lartë nxit mendësinë nacionaliste, është nga ky shkak, pak bindës po të shohësh Çekinë. Një rritje ekonomike prej gati pesë përqind dhe një kuotë papunësie spektakulare prej vetëm tre përqind, më e ulëta në BE, nuk e penguan zhvendosjen djathtas nën kryeministrin Andrej Babis. I ngjashëm është edhe zhvillimi në Poloni. Në vitin 1990, një polak prodhonte mesatarisht vetëm një të dymbëdhjetën e asaj që prodhonte mesatarisht një gjerman, në vitin 2016 kjo kuotë arriti në një të tretën. Megjithatë, nacionalizmi po avancon. New York Times është e sigurtë "Populism lives in East Europe".

PK zu Beginn CSU-Winterklausur
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Geber

Se pse kemi një situatë të tillë, kjo ka të bëjë shumë me faktin se shoqëritë e transformimit të Lindjes nuk kaluan pas vitit 1990 një epokë socialdemokratike, argumenton Piotr Buras, një politolog i njohur i Polonisë. Neoliberalizmi e goditi thuajse pa kufizim shoqërinë e atomizuar nga komunizmi. Një shtet social nuk ekzistonte, sindikatat qenë të dobëta. Kapitalizmi hyri pa u amortizuar. Kjo ka lënë gjurmë plagësh, që duket për shembull në një kompleks inferioriteti që vazhdon deri sot. Në Poloni, thotë shkrimtari Ziemowit Szczerek, e shohin veten po ashtu si e shikon Perëndimi Poloninë: "pak të varfër, pak të prapambetur, dhe pak efikasë".

Polonia: një lloj tendence për autizëm

Javën e kaluar (3.1.) kryeministri i ri i Polonisë, Mateusz Morawiecki bëri vizitën e tij prezantuese në botën e jashtme - jo në Bruksel, por në Budapest. Kjo është një deklaratë e qartë politike; Hungaria është më e rëndësishme për Poloninë se BE. Pas kësaj ai vizitoi homologun e tij në Sllovaki. Zëra për t'i kthyer kurrizin Brukselit vërtet që nuk dëgjohen, por përsa u përket lidhjeve të brendshme ndaj BE, Varshava sillet si e huaj ndaj familjes së BE. Shumë njerëz janë të mendimit, thotë shkrimtarja Inga Iwasiow, se "BE na merr dinjitetin". Nga Perëndimi, sipas tyre, vijnë vetëm "kufizime, probleme dhe relativizim moral". Tema për të cilat në Perëndim ka konsensus, si barazia e të drejtave, laicizimi dhe të drejtat e minoriteteve në Poloni nuk kanë mbërritur kurrë, thotë Iwasiow.

Hungaria: identitet i pasigurtë nacional

E ngjashme është gjendja në Hungari. Kryeministri Orban ka vendosur në drejtësi dhe administratë në mënyrë sistematike pasues të tij. Michael Ignatieff, drejtues i Central European University në Budapest thotë se përfytyrimet se pas kthesës politike të viteve 1990 Hungaria do t'u afrohet idealeve perëndimore të një kushtetute demokratike, të ekonomisë së tregut dhe të multikulturalizmit, qenë të gabuara.

Edhe në Hungari lufta e kulturave të lejon të shikosh thellë në identitetin kolektiv. Vetëm në vitin 1920 u bë shtet i pavarur Hungaria, duke dalë nga Monarkia Habsburgase. Rikujtimi i "vlerave hungareze" nga Orbani u sugjeron shumë vetëve mbështetje dhe siguri. Ajo është një botë "pa të huaj, pa njerëz modernistë ekologjistë dhe nëpunës të Brukselit", shkruhet në revistën "Spiegel". 

Atë që mund të vërehet aktualisht në periferitë lindore të BE, nuk e përfytyronte shumica e mendjeve të zgjuara të BE para më shumë se 25 viteve. Pranimi i standardeve demokratike dhe të ekonomisë së lirë të tregut - me apo pa komponentë socialë- konsiderohej i vendosur. Madje brenda pak vitesh. Këtë e kundërshtoi më 1990 sociologu gjerman Ralf Dahrendorf. Për ndërtimin e një shoqërie demokratike, liberali parashikoi 60 vjet. Dhe pikërisht nxënësit shembullorë ndër anëtarët e rinj të BE, Polonia dhe Hungaria duket se po e konfirmojnë rrugën e gjatë për harmonizimin e Evropës.