1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nacionalizëm i zjarrtë - Marrëdhëniet hungarezo-rumune në prag të ngrirjes?

Grindja për një flamur historik shkakton konflikt diplomatik mes Hungarisë dhe Rumanisë. "Lufta për flamurin" po fiton peshë - Të dyja palët janë të interesuara për frymën e tensionuar nacionaliste në vendet e tyre.

default

Dëshirë për nacionalitet hungarez! Pakica etnike hungareze në Rumani

Në Budapest ministri i Jashtëm János Martonyi bën fjalë, se po "rrezikohet" bashkëpunimi hungarezo-rumun. Në Bukuresht homologu i tij Titus Corlătean kërcënon me dëbimin e ambasadorit. Mediet e afërta me qeverinë në të dyja vendet inskenojnë fushatë nacionaliste ngjashëm si përpara pesëmbëdhjetë vitesh. E gjitha kjo nisi prej një flamuri blu-verdhë-blu me simbolin e një dielli dhe gjysmëhëne në qytetin e një province rumune.

Në dukje për shkak të këtij flamuri marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Rumanisë kanë arritur në një pikë kritike. Sociologu hungarez Pál Tamás e konsideron këtë si një "inskenim provincial, që është shkallëzuar deri në veprime të detyrueshme të politikës së madhe". Filozofi rumun Andrei Cornea ndërkaq këshillon, që BE-ja duhet t'i moderojë bisedimet midis dy vendeve, sepse ato vet "nuk janë në gjendje të negociojnë në nivelin bilateral".

Sibiu, qytet në Transilvani

Sibiu, qytet në Transilvani

Gjithçka nisi me një flamur

Shkas për konfliktin u bë ceremonia e marrjes së postit nga prefekti i ri i qarkut rumun të banuar nga shumica hungareze, Covasna më 2 shkurt. Gjatë ceremonisë festive u hoq nga një ndërtesë e qytetit Sfantu George flamuri blu-verdhë-blu i Szeklerlandes (Terra Siculorum ) siç quhet rajoni në juglindje të Transilvanisë, sepse sipas autoriteteve rumune ai simbolizon përpjekjet e minoritetit hungarez për autonomi territorile dhe për shpërbërjen e shtetit kombëtar rumun. Menjëherë pas kësaj sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Budapest Zsolt Németh u shpreh për "një agresion simbolik kundër bashkësisë hungareze në Transilvani". Ky ishte fillimi i "luftës hungarezo-rumune të flamurit".

Pas kësaj fshihet konflikti me rëndësi historike. Si pjesë e Transilvanisë dikur Szeklerland i përkiste mbretërisë hungareze. Në Marrëveshjen e Paqes të Trianonit të vitit 1920 Transilvania i kaloi Rumanisë. Autonomia e premtuar në 1918 për pakicat në Transilvani asnjëherë nuk u bë realitet.

Përpjekje për autonomi

Që pas rrëzimit të diktaturës së Çausheskut përfaqësuesit politikë të 1.5 milionë hungarezëve në Transilvani kërkojnë më shumë të drejta të mëvetsishme administratrive në Rumaninë e organizuar në mënyrë ekstreme centraliste. Këto të drejta kërkohen kryesisht në Szeklerland, ku banon shumica e minoritetit hungarez. Politikanët e moderuar të minoritetit hungarez do të ishin të kënaqur me një sovranitet më të madh lokal në politikën fiskale si dhe me më shumë kompetenca në fushën e kulturës dhe administrimit, ndërsa radikalët kërkojnë autonomi si në Tirolin e Jugut në Itali, apo si në Katalonjën e Spanjës. Por në Rumani kërkesa për autonomi është një nga tabutë më të mëdha kombëtare.

"Kemi të bëjmë këtu me një konfrontim politik mes modeleve të shtetit liberal-individualist, që përfaqësojnë rumunët, sepse ata përbëjnë shumicën, dhe nga ana tjetër me modelin e shtetit multikulturor- kolektivist si në Belgjikë, apo në Kanada, që e preferojnë hungarezët", shpjegon politologia Alina Mungiu-Pippidi.

Gjestin e largimit të një flamuri gjatë një ceremonie zyrtare lokale, gjë që shprehimisht e pati lejuar një gjykatë rumune nëntorin e kaluar, e konsiderojnë si një provokim jo vetëm politikanët radikalë të minoritetit hungarez në Rumani, por edhe përfaqësuesit e qeverisë së Orbanit në Budapest, e cila e konsideron veten si përfaqësuese të interesave politike të hungarezëve në diasporë.

Rumänien Ungarn Minderheit Szekler

Valle etnike e pakicës hungareze në Rumani

Budapesti ndërhyn

Që nga ky rast vazhdojnë replikat nga të dyja palët: Kur sekretari për marrëdhëniet me jashtë Zsolt Németh u shpreh për "një agresion simbolik" të Rumanisë, kryeministri rumun Victor Ponta deklaroi se e ndalon këtë "pafytyrësi" dhe "ndërhyrje në punët e brendshme". Kur ministri i Jashtëm Titus Corlătean kërcënoi me dëbimin e ambasadorit, Némethi u shpreh për "masa diplomatike" të Hungarisë. Mbi dhjetë qytete hungareze dhe komuna ngritën flamurin e Szeklerland, madje në fundjavë edhe në Budapest ky flamur valëvitej në godinën e parlamentit. Në Rumani mediet nacionaliste me influencë e inkurajonë edhe më shumë qeverinë.

Në fakt të dyja vendet historikisht ishin pajtuar - ky ishte një kusht për antarësimin në BE. Në këtë valë u zhvilluan mbledhje të përbashkëta qeveritare, Shoqata e moderuar Demokratike e hungarezëve në Rumani (RMDSZ) për 16 vjet me radhë ka qenë pjesëmarrëse në qeveritë e koalicionit në Bukuresht.

Por kohët e fundit marrëdhëniet janë ftohur. Qeveria e Orbanit në Budapest mbështet veçanërisht përfaqësuesit radikalë të minoritetit. Kjo qeveri ka aplikuar të drejtën e votës për hungarezët në diasporë, votat e të cilëve i duhen asaj për zgjedhjet në pranverë, kjo për arsyen se ndër zgjedhësit vendas qeveria po bëhet gjithnjë e më e padëshiruar për shkak të politikës së shkurtimeve sociale.

Loja me zjarrin e nacionalizmit

Nga ana tjetër qeveria rumune do të shkëpusë vëmendjen prej kursit të saj radikal të kursimeve. Në radhë të parë ajo do të legjitimizojë përmes retorikës nacionaliste reformën e planifikuar territoriale. Në kuadër të kësaj reforme tri qarqe të banuara kryesisht me hungarezë synohet të bashkohen në një qark të madh në Rumaninë Qendrore - kësisoj minoriteti hungarez do të humbiste shumë të drejta.

Filozofi dhe publicisti hungarez Attila Ara-Kovács nisur nga konstelacionet aktuale politike në të dyja vendet nuk sheh ndonjë shans për zgjidhje. "Gjendja është shumë serioze, kjo është pasojë e papërgjegjshmërisë, por edhe e synimit të kalkuluar mirë të qeverisë së Orbanit, që në mënyrë shembullore do t'i prishë marrëdhëniet e mira me vendet fqinjë. Për fat të keq edhe qeveria e kryeministrit Ponta punon, për prishjen e marrëdhënieve bilaterale, kësisoj tek Orbani ajo gjen partnerin e përshtatshëm në këtë drejtim", thotë Ara-Kovács.