1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nachtwei: Serbët duhet ta tolerojnë EULEX-in

Deputeti gjerman Winfried Nachtwei në intervistë ekskluzive për programin shqip të Deutsche Welles. Ai kërkon nga pala serbe që ta tolerojë misionin EULEX. Para disa ditësh ai vizitoi Kosovën me një grup parlamentarësh

default

Winfried Nachtwei i ftuar në studion e Deutsche Welles në Berlin

DW: Zoti Nachtwei, ju sapo u kthyet nga Kosova, cilat janë përshtypjet tuaja?

Nachtwei: Përshtypjet janë të përziera. Nga njëra anë, pala shqiptare mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll me shumë mençuri. Ata arritën ta shmangin çdo lloj ndjenjë triumfuese në valën e gëzimit për këtë ngjarje, por nga ana tjetër, demonstratat e dhunshme në veri dolën që ishin më shqetësuese se ç'na kishin informuar mediet.

DW: Ashtu siç doli në pah edhe nga këto ngjarje, kufiri mes veriut dhe pjesës tjetër sa vjen e bëhet më i madh. A mendoni se kjo ndarje faktike dikur do të ketë nevojë për legalizim?

Nachtwei: Është e vërtetë që ekziston një kufi real mes veriut dhe pjesës më të madhe të Kosovës. Nga ana e serbëve po krijohen dhe nxiten strukturat paralele si në veri ashtu edhe nëpër enklava. E kemi të vështirë të kuptojmë, se a është dikush që vërtetë ka interes ta ndajë Kosovën, apo që vetëm dëshiron të sabotojë procesin e pavarësimit. Për serbët që jetojnë jashtë enklavave, ajo ndarje nuk do të sillte asgjë.

DW: Çfarë do t'i këshillonit kreut kosovar në këtë periudhë?

Nachtwei: Është e rëndësishme, që të vazhdojnë në kursin e deritanishëm. Kjo do të thotë, që të mos bëhen pre e provokimeve. Një datë e rëndësishme është 15 qershori, kur do të hyjë në në fuqi kushtetuta. Por pala kosovare është shumë e vetëdijshme për atë, se nga mënyra se si do të sillet ajo varet edhe reputacioni ndërkombëtar dhe procesi i njohjes gjatë muajve të ardhshëm.

DW: Një datë tjetër është fundi i qershorit, ku është parashikuar që UNMIK-u të largohet nga Kosova? Mendoni se kjo datë do të mund të respektohet?

Nachtwei: Unë guxoj vetëm të them që duhet të ndodhë deri brenda kësaj date. Sa e mundshme është kjo, kjo varet nga ngjarjet aktuale. Dorëzimi i detyrës tek EULEX-i sigurisht që vështirësohet nga problemet e shumta teknike, por problemi më i madh është ai i hyrjes së Eulexit në veri të Kosovës. Është e paimagjinueshme që Eulex-i të detyrohet të punojë në veri nën mbrojtjen e KFOR-it. Kjo do të ishte tejet absurde.

DW: Cila është zgjidhja që propozoni ju?

Nachtwei: Do të ishte me rëndësi vendimtare sikur qeveria serbe ose Rusia ta pranojnë që është e rëndësishme, që Eulex-i duhet të ketë mundësi të punojë. EULEX-i është një parakusht i nevojshëm për një zhvillim normal në Kosovë.

DW: Për Serbinë dhe Rusinë kjo mund të ishte baraz me tolerimin e pavarësisë së Kosovës.

Nachtwei: Këto dy vende nuk ka nevojë ta përshëndesin EULEX-in, por të paktën t'u japin sinjal njerzve në rajon, që ta pranojnë ose ta tolerojnë atë. Kjo do të ishte mjaft.

DW: Cila është përshtypja juaj, edhe për sa kohë do të qëndrojnë ushtarët gjermanë në Kosovë?

Nachtwei: Le të nisemi nga rasti më i mirë: Në se EULEX-i do të jetë në gjendje të punojë në veri ashtu siç duhet, atëherë edhe KFOR-i do të duhet të reduktohet me kalimin e kohës.

  • Data 08.04.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/De5B
  • Data 08.04.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/De5B