1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Nëpunës shteti për gjithë jetën - Kjo tabu lëkundet

Një kohë të gjatë partitë politike kanë kundërshtuar, por tani vendimi është marrë nga parlamenti grek. Deri në fund të vitit 2014 do të shkarkohen 15.000 nëpunës civilë.

Që prej vitit 1911 mbrojtja e nëpunësve të shtetit nga shkarkimi është e garantuar nga kushtetuta greke Dhe kjo ka arsye të forta. Deri atëherë ata shiheshin si viktima të pashpresa të interesave partiake dhe çdo kryetar i ri qeverie e konsideronte si të drejtën e tij legjitime, që të shkarkonte nëpunësit civilë, për t'u siguruar poste fitimprurëse anëtarëve të partisë së vet.

Në dekadat e fundit duket se peshorja ka anuar në ekstremin tjetër. Edhe në rastet e shkeljeve të rënda është praktikisht e pamundur që nëpunësit e shtetit të shkarkohen. Se çfarë rezultatesh absurde mund të sjellë kjo, nxori në shesh kohët e fundit gazeta athinase Ethnos në një artikull ekskluziv për policin Epaminondas Korkoneas, i cili në vitin 2008 vrau me një të shtënë në mes të rrugës një 15-vjeçar dhe për këtë arsye kryen dënimin e përjetshëm. Edhe pse ai është në burg, atij i paguhet 30 për qind të pagës në xhirollogarinë e tij si nëpunës shteti dhe ky nuk është rasti i vetëm, kritikon gazeta.

Nëpunësve të shtetit u paguhet rroga edhe në burg

Gazetarja Maria Psará, e ka bërë rastin publik

Gazetarja Maria Psará e ka bërë rastin publik.

Si mund të ndodhë kjo? "Heqjen e pozicionit të nëpunësit të shtetit dhe të së drejtës së pagës, që rezulton prej tij, mund ta urdhërojë vetëm Këshilli Disiplinar i policisë", thotë gazetarja Maria Psará, e cila e ka bërë rastin publik. Hulumtimet e saj kanë treguar se avokati i Korkoneas dinte të pengonte gjithmonë trajtimin e kësaj çështjeje përmes marifeteve të ndryshme, thjesht për shkak se nuk ishte aty, apo sepse i kishte dalë diçka urgjente në atë moment, apo kërkonte shtyrjen. Vetëm pasi çështja u bë publike, bordi disiplinar u mblodh, njofton gazetarja nga Athina.

Ditët e fundit po zbulohen gjithnjë e më shumë raste të ngjashme: Bëhet fjalë për dy këshilltarë bashkie, të cilët kanë vrarë kryetarin bashkisë së qytetit verior grek, Pagaion. Edhe pse ata sot ndodhen në burg, marrin gjysmën e pagës së tyre. Apo për ish drejtorin e financave të qytetit të Selanikut, i cili merr 25 për qind të pagës së tij, edhe pse vuan një dënim të përjetshëm për përvetësim pasurie.

Po aq vende te reja sa shkarkime?

Kësaj duhet t'i jepet tani fund, premton koalicioni tripartiak, që udhëhiqet nga konservatori Antonis Samaras. 1500 nëpunës, që kanë kryer vepra penale, do ta humbasin shumë shpejt vendin e punës. Perveç kësaj 13.500 nëpunës të tjerë do të pushohen deri në fund të 2014. Vendi i tyre punës shkurtohet në kuadrin e një ristrukturimi të institucioneve. Ky vendim duhet t'i pëlqejë edhe trojkës së përbërë nga BE, FMN dhe BQE, e cila këmbëngul prej vitesh për shkurtimin e aparatit shtetëror.

Pyetje të reja shtron ndërkohë njoftimi i ministrit të Brendshëm, se në shërbimin publik nuk do të ketë vetëm 15.000 pushime nga puna, por edhe po aq punësime të reja. Analisti politik dhe ish zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tsiodras, ka shpjegimin e mëposhtëm: Shkarkimi i nëpunësve civilë nuk kuptohet si masë kursimi, por si hapi i parë i një reforme të gjerë në administratë. Pra fjala nuk është që të kursehen 300 milionë nga 15.000 shkurtime, qëllimi në rradhë të parë është që nëpunësit e pakualifikuar të zëvendësohen nga kolegë më të rinj dhe më të aftë, mendon analisti politik.

Problemi në aparatin shtetëror nuk është numri i zyrtarëve, por më shumë fakti, se shumë nëpunës e kanë marrë punën, jo me kompetencën dhe rendimentin profesional, por me anë të lidhjeve miqësore dhe klikave partiake.

Tolerim i atyre, që i shmangen punës

Deri para pak vitesh qeveria nuk e dinte se sa njerëz punojnë për shtetin. Vetëm në verën e vitit 2010 ministri i atëhershëm i Financave, Giorgos Papakonstantinou, kërkoi që të regjistrohen të gjithë nëpunësit dhe shifra arriti në gjithsej 768.000, pa numëruar nëpunësit komunalë. Ndërkohë numri i zyrtarëve grekë nga presioni i trojkës duhet reduktuar në 644.000.

Analisti politik, Dimitris Tsiodras, ish zëdhës i qeverisë

Analisti politik, Dimitris Tsiodras, ish zëdhës i qeverisë.

Për Dimitris Tsiodras kjo shifër nuk është tmerrësisht e lartë, siç është kritikuar shpesh. "Ajo i korrespondon gati mesatares së vendeve të OECD-së", thotë ai. Tani qëllimi duhet të jetë të krijohet një administratë e efektshme, që të çojë Greqinë përsëri në rrugën e zhvillimit. Megjithatë sa e vështirë është kjo detyrë, ish zëdhënësi i qeverisë e di nga përvoja personale.

"Ne shpesh kemi përjetuar, që aparati shtetëror i reziston çdo reforme. Ne e kemi ndjerë kudo frikën nga gjërat e reja”, kujton Dimitris Tsiodras. Ekziston një mentalitet i barazisë, që thotë, që si njerëzit punëtorë, ashtu edhe ata, që i bëjnë bisht punës, të mbështeten dhe shpërblehen në mënyrë të barabartë. Tani po përpiqen ta ndryshojnë këtë", shpjegon analisti politik.

Troika bën presion

Nëse ky ndryshim do të sjellë kthesën në sektorin publik mbetet për t'u parë. Gazetarja Maria Psará është gjithsesi skeptike. Asaj i duket shumë i madh rreziku, që të krijohet një sistem i ri, në të cilin nëpunësit shtetërore të degjenerojnë në top loje të interesave partiake dhe konstelacioneve të pushtetit.

Eshtë legjitime, që zyrtarët, që thyejnë ligjin, apo ndaj të cilëve kryhen hetime, të kenë pasoja, thotë gazetarja. "Por ne duhet të kemi kujdes, që të mos biem në ekstremin tjetër. Imagjinoni, njerëz të pafajshëm të përfshihen në hetime në bazë të akuzave të rrejshme dhe atyre do t'i duheshin shumë vite për t'iu rikthyer drejtësia dhe për të vënë sërish në vend reputacionin e tyre. Këtë s'ka si ta dëshirojë ligjvënësi.".

Nga perspektiva e trojkës koha nuk pret. Zotimi për shkarkimin e zyrtarëve 15.000 deri në fund të vitit 2014, konsiderohet si kusht për pagesën e një kësti tjetër, që arrin në 8,8 miliardë euro deri në mesin e majit.