1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nënshtetësia e dyfishtë temë e hapur në Gjermani

Kush do të marrë nënshtetësinë gjermane duhet të dorëzojë nënshtesinë e vendit të prejardhjes. Ka përjashtime, por edhe shumë probleme. Për këtë arsye shumë politikanë kërkojnë lejimin e nënshtetësisë së dyfishtë.

Megjithëse në Gjermani është kohë pushimesh dhe nga ana politike gjendja paraqitet e qetë, lejimi i nënshtetësisë së dyfishtë - një temë kontroverse mund të kthehet në debat para zgjedhjeve parlamentare të 22 shtatorit në Gjermani. Deri më tani ligjërisht vlen opcioni i detyruar për lënien e shtetësisë origjinë në rast të marrjes së nënshtetësisë gjermane, me disa përjashtime. Një detyrim ky që sipas ekspertëve kthehet në pengesë madje për integrimin të huajve. Kujtojmë se Gjermania vetëm këto vitet e fundit pranoi se është një vend imigrimi, shenjë e ndryshimit të shoqërisë gjermane.

Një debat i vjetër në kohë të reja

Deri në vitin 2000 në Gjermani vlente ende ligji i shtetësisë i përpiluar në vitin 1913 në kohën e perandorit Vilhelm! Koalicioni qeveritar socialdemokrat e të Gjelbrit kërkonin asokohe reformimin dhe modernizimin e së drejtës së nënshtetësisë, duke lejuar edhe dy pasaporta për të gjithë të huajt në Gjermani. Tentativa dështoi. Kampi konservator i djathtë në Gjermani e pengoi sanksionimin me ligj të nënshtetësisë së dyfishtë, nga frika e mbishtimit të të huajve. Nënshtetësinë e dyfishtë kanë të drejtë ta kenë në Gjermani të riatdhesuarit nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, fëmijët me prindër amerikanë dhe të gjithë emigrantët nga vendet e BE-së. Emigrantët nga vendet jashtë BE-së duhet të braktisin nënshtetësinë e tyre.

Studentë turq në një seminar për integrimin

Studentë turq në një seminar për integrimin

Por problematika e nënshtetësisë vetëm është shtyrë në kohë – tani në këtë fushatë zgjedhore ajo sërish është shtruar për diskutim në tavolinë. Ministri i Integrimit të landit Renani Veriore-Vestfali, Guntram Schneider kërkon me ngulm heqjen e opcionit të detyruar. Ai ka nisur një iniciativë në shkallë vendi në Gjermani, e cila ka gjetur shumicën në Këshillin Federal, Dhomën e Landeve. Pritet që Bundestagu i ri të trajtojë këtë tematikë. "Të gjitha vendet e civilizuara lejojnë disa nënshtetësi, Gjermania nuk bën pjesë tek këto vende...kjo nuk e ndihmon integrimin", u shpreh ai për Deutsche Welle-n.

Detyrim i kontestuar

Unioni kristiandemokrat-kristiansocial nuk ka lëvizur shumë nga pozicioni i njohur, pra mbajtjen e opcionit të detyruar. Kancelarja Merkel për shembull e ka bërë të qartë në mars të këtij viti: "Ajo nuk sheh nevojë akute për ndryshim në këtë ligj". Por çështja e nënshtetësisë së dyfishtë merr një peshë tjetër po të kujtojmë se këtë vit mbaron afati për turqit me dy nënshtetësi, të cilët deri në fund të këtij viti duhet të vendosin për njërën prej tyre.

Nga kjo preken qindra mijëra të rinj të lindur në Gjermani, por edhe shumë emigrantë të ardhur nga ish-Jugosllavia. Guntram Schneider shprehet se "shumë e kanë të vështirë të bëjnë këtë hap, sepse nuk duan të mohojnë nënshtetësinë origjinë, apo i tremben disavantazheve ligjore në Turqi, si në rastin e trashëgimeve." Dorëzimi i nënshtetësisë sipas ekspertëve përjetohet si një këputje e nyjes me vendin e prindërve. Shumica e sheh nënshtetësinë si pjesë të identitetit, të cilin duhet ta braktisë.

Politikani socialdemokrat Guntram Schneider angazhohet për nënshtetësinë e dyfishtë

Politikani socialdemokrat Guntram Schneider angazhohet për nënshtetësinë e dyfishtë

Politikani liberal me origjinë turke Serkan Tören e ka lënë nënshtetësinë turke. Sot ai e kritikon opcionin e detyruar. "Po qe se ne, në konkurrencë me vende të tjera duam të fitojmë fuqinë e kualifikuar punëtore, duhet të mundësojmë nënshtetësinë e dyfishtë."

Debat për fushatën zgjedhore

Në zgjedhjet e shtatorit 2013 socialdemokratët në opozitë planifikojnë ta theksojnë gjithnjë e më shumë këtë temë në javët e ardhshme. Ndërsa konservatorët, sipas ekspertëve, mund të rrezikonin humbje votash nëse e theksojnë shumë ruajtjen e opcionit të detyruar për heqjen e nënshtetësisë së vendit origjinë, kundërshtarët politikë mund ta kategorizonin atë si fushatë kundër të huajve. Sipas tyre, Gjermania e sotme nuk është më ajo e para dhjetë viteve, kur u mblodhën 1 milionë firma kundër ligjit për nënshtetësinë e dyfishtë. Shoqëria ka ndryshuar dhe siç shprehet një sociolog nga Universiteti i Osnabrückut- “Herët a vonë rregulla të tilla do të rrëzohen sepse ato nuk i përgjigjen më kohës. Rregulli i opcionit të deytruar nuk miratohet në tërësi nga të huajt. Shumica e të huajve e preferon nënshtetësinë e dyfishtë, sipas statistikave.