1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në zgjedhjet evropiane në Greqi prijnë socialistët

Ndryshe nga tendenca e vendeve të tjera evropiane, fitues në zgjedhjet evroparlamentare të Greqisë ishin socialistët. Partia e PASOK-ut fitoi ndaj të djathtëve të Demokracisë së Re me diferencë 4.4 përqind.

Zgjedhje në Greqi

Zgjedhje në Greqi

48 përqind e elektoratit, ose 2,5 milionë grekë të regjistruar në zgjedhjet e djeshme për Parlamentin Evropian, preferoi dje plazhet dhe jo qendrat e votimit, duke shprehur kështu pakënaqësinë ndaj partive dhe sistemit politik në përgjithësi. Tej çdo parashikimi, abstenimi rekord ishte padyshim edhe rezultati më sensacional i këtyre zgjedhjeve evroparlamentare që, ashtu siç u zhvilluan, si një test zgjedhjesh parlamentare vendore, krijojnë të dhëna të reja për skenën politike greke. E djathta në pushtet, Demokracia e Re e Kostas Karamanlis mori vetëm 32.3 përqind të votave, nga 43 përqind të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2007. Humbi pra pak mbi 10 përqind të votave ose rreth 1 milionë të elektoratit të saj.

Përqindja e abstenimit është e paparë për kushtet e Greqisë,” tha kryeministri grek Karamanlis, duke e cilësuar atë si mesazhin “kryesor të zgjedhjeve europarlamentare” por edhe “protestën e zgjedhur” nga vetë të djathtët, duke justifikuar kështu në një fare mënyre edhe humbjen e partisë së tij. Me një dozë autokritike Karamanlis, evidentoi shkakun me “sjelljen e papranueshme” të qeveritarëve dhe i mëshoi vijimësisë së kursit të tij me "mbajtjen e përgjegjësisë” dhe ruajtjen e “interesave të vendit”, duke i lënë kështu kundërshtarët e tij ta akuzojnë “se nuk mori mesazhin e duhur”.

Kritikat më të ashpra vijnë nga fituesit e këtyre zgjedhjeve, socialistët e Papandreut, që prinë me një diferencë 4.4 përqind. Konkretisht morën 36.7 përqind të votave, nga 34 përqind të zgjedhjeve parlamentare të 2007-ës, duke e rritur kështu elektoratin e tyre përkundër tendencës panevropiane të forcimit të forcave konservatore. “PASOK-u fitoi, duke bërë kështu hapin e parë që të ndërrojë faqen e vendit, që të dalë vendi nga kriza politike, ekonomike, institucionale dhe morale,” tha Papandreu, i cili edhe kërkoi një herë zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se “zgjedhjet kombëtare tani janë bërë dom domosdoshmëri”.

Vetë Karamanlis ashtu si edhe në prag të zgjedhjeve nuk la as hapësirën më të vogël për zgjedhje të parakohshme, i cili në mesin e mandatit të tij qeveritar ftohet të qeverisë vendin, jo vetëm me një shumicë minimale prej 151 deputetësh por edhe me superioritetin tashmë të kundërshtarit të tij Papandreu, që po krijon një “rrymë fitoreje”. “Sigurisht tani do të fillojë një farë grindjeje dhe puna është nëse Karamanlis do të arrijë të pengojë mbylljen në vetvete të partisë,” thotë analisti i djathtë Kuvaras, kur kuadro të spikatur të partisë në pushtet nuk hezituan të cilësojnë humbjen si “shuplakë të fortë” dhe analistë të tjerë t'i shohin zgjedhjet e parakohshme të paevitueshme. Mbajtja e timonit muajt në vazhdim do të jetë një sprovë e vërtetë për Karamanlisin, i cili në kulmin e krizës në radhë të parë do të duhet të ndryshojë axhendën politike, t'i japë fund serisë së skandaleve.

Kostas Karamanlis dhe George Papandreou.

Kostas Karamanlis dhe George Papandreou.

Fituesi tjetër i këtyre zgjedhjeve, dhe bile më i madh se PASOK-u në raport me kuotën e rritjes së elektoratit, është partia nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor. “Përqindje të mëdha do të thotë dhe përgjegjësi më të mëdha,” tha kreu karizmatik i partisë Jorgos Karaxhaferis, që me një rezultat gati të dyfishuar nga zgjedhjet parlamentare të 2007-es, me 7.2 përqind, afirmohet si forca e katërt politike në vend me ambicien, që të bëhet “rregullator” i jetës politike dhe të imponojë dhe axhendën e tij për emigracionin. Kjo u bë temë qendrore e fushatës së tij dhe përkundër parashikimeve, ai arriti të zgjojë reflekset ksenofobe të elektoratit në kushtet e krizës.

Këto zgjedhje patën edhe një sensansion tjetër. “Një subjekt i ri politik, Ekologët-të Blertët, është fakt” tha kreu i partisë Tremopullos, partia e të cilit dërgoi për herë të parë një deputetin e saj në Parlamentin Evropian, duke afirmuar njëkohësisht edhe ankthin e elektoratit për një axhendë të blertë edhe në Greqi.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Sc
  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Sc