1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni konfirmohet politika e koalicionit të deritanishëm

Partia deri tani në pushtet, VMRO DPMNE ndonëse ka pësuar humbje elektorati, mbetet forca më e madhe politike. Zgjedhjet ishin korrekte dhe demokratike, pjesëmarrja në votime ishte relativisht e lartë.

default

Parashikimet për rezultatin e zgjedhjeve u konfirmuan - Për fat të mirë nuk u konfirmuan parashikimet për frikën e akteve të eventuale të dhunës. Partia nacional-konservatore VMRO DPMNE e kryeministrit Nikola Gruevski fitoi zgjedhjet, partneri i saj i koalicionit BDI, vazhdon të jetë partia më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë. Kësisoj janë krijuar të gjitha kushtet për vazhdimin e koalicionit të deritanishëm, si dhe të politikës së tij.

Por sidoqoftë jo gjithçka mund të mbetet siç ka qenë. VMRO DPMNE e ka humbur shumicën absolute dhe tani duhet t' i kushtojë më shumë vëmendje kërkesave të partnerit. Socialdmeokratët (SDSM) vërtet duhet të mbeten në opozitë, por ata kanë dalë dukshëm më të fortë nga zgjedhjet duke u inkurajuar për politikën e tyre nga shtimi i mandateve me gati 50% krahasuar me zgjedhjet para tri vjetësh. Qeveria e deritanishme pra mund të vazhdojë si deri më sot, por në të ardhmen i duhet të llogarisë me një kundërshtar të fortë.

VMRO DPMNE, një parti e organizuar në mënyrë rigoroze me elektorat besnik, i fitoi zgjedhjet jo duke ia lënë rastësisë. Me një luftë elektorale ofensive, shoqëruar nga një retorikë e ashpër ndaj kundërshtarit politik SDSM, ajo ia doli që të prezantohet si konsekuente, si parti që i përmbush premtimet elektorale. Ajo mundi t' i bindë qytetarët, se është partia, që angazhohet për reformat. Socialdemokratëve në të kundërt iu ngarkua përgjegjësia për tranzicionin e dështuar të shoqërisë, papunësinë e lartë dhe përhapjen e varfërisë.

Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. VMRO-DPMNE pas pavarësisë së Maqedonisë e ka mbajtur po kaq gjatë pushtetin sa edhe SDSM. As borxhi i ri jashtëzakonisht i lartë i shtetit në pesë vjetët e qeverisë nën kryeministrin Gruevski siç duket nuk ishte argument bindës për zgjedhësit.

Socialdemokratët nga ana tjetër kanë përfituar më shumë prej akuzave për korrupsion kundër partive në pushtet, por nuk kanë arritur t' i bindin zgjedhësit me programin e tyre. Gjithashtu në favor të tyre ishte edhe pakënaqësia e përhapur në masë me stilin e qeverisjes së Gruevskit, të cilin opozita preferon ta cilësojë si "diktatorial".

BDI-ja, partia e ish-kryengritësve të vitit 2001, është numri 1 ndër partitë e shqiptarëve në Maqedoni. PDA-ja, si kundërshtarja kryesore, nuk mundi të fitojë pikë me konceptin për federalizimin e Maqedonisë. Edhe ky fakt flet për vazhdimin e koalicionit të deritanishëm, ndonëse teorikisht janë të mundshme edhe koalicione të tjera.

Maqedonia ka nevojë për një qeveri të fortë për shkak të problemeve të mëdha ekonomike. E hapur mbetet çështja, nëse do të lëvizë Gruevski në grindjen për emrin e vendit me Greqinë. Nëse ai e bën këtë, atëherë nga kjo do të vuajë kredibiliteti i tij.

Ndonëse lufta elektorale u zhvillua në një atmosferë të nxehtë, zgjedhjet patën relativisht një rrjedhë të qetë. Si VMRO DPMNE, ashtu edhe SDSM i vlerësuan zgjedhjet si korrekte dhe demokratike. Maqedonia në vitin e 20-të të pavarësisë ka kaluar një provë të rëndësishme të pjekurisë.

Autor: Zoran Jordanovski

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 06.06.2011
  • Fjalët kyç maqedoni
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11VFE
  • Data 06.06.2011
  • Fjalët kyç maqedoni
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11VFE