1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në zgjedhjet e 8 majit: Përfaqësim i minoritetit në dy forca politike

PBDNj është rreshtuar me opozitën në “Aleancën për qytetarin”, ndërkohë që partia e re Mega është rreshtuar në “Koalicionin për të ardhmen” të maxhorancës qeverisëse.

Pazari i Gjirokastrës

Pazari i Gjirokastrës

Minoriteti grek në Shqipëri në zgjedhjet vendore konkuron në aleancë me dy koalicionet e mëdha “Aleanca për qytetarin” të maxhorancës qeverisëse dhe “Koalicioni për të ardhmen” të opozitës.

Bien shanset e përfaqësimit të minoritetit në pushtetin vendor

Kur kanë mbetur më pak se njëzet ditë nga zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri, minoriteti grek gjendet në situatën më të pafavorshme të përfaqësimit në këto njëzet vitet e demokracisë shqiptare. Kjo situatë është produkt direkt i faktorëve të brendshëm, që e kanë çuar votuesin minoritar në dilema të vështira përzgjedhjeje. Në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë dy partitë e minoritetit Mega dhe PBDNj, janë rreshtuar e para në koalicion me “Aleanca për qytetarin” të mazhorancës qeverisëse dhe PBDNJ me “Koalicioni për të ardhmen” të opozitës. Vetëm në bashkinë e Himarës nuk do të ketë koalicion, pasi PS, PD, PBDNj dhe Mega do të kenë kandidatët e tyre. Përfaqësimi minoritetit në dy forca politike i pjesëton së paku me dy shanset e minoritetit për përfaqësim në pushtetin vendor.

Analisti Panajot Barka vëren se… "Situata tani bëhet akoma më e keqe, për arsye se kemi një fenomen përçarjeje. Ky është një realitet shumë i dhimbshëm për minoritetin grek. Kemi pra një vullnet të minoritetit etnik grek për të siguruar një udhëheqje efikase politike e me shumë këmbëngulje për të drejtat e saj e një realitet në udhëheqjen politike përplasjeje e përçarjeje për të mbisunduar e për të ruajtur statukuonë e deritanishme të njërit, ose të tjetrit krah". Kryetari PBDNJ për rrethin Gjirokastër Kristaq Lengo e pohon këtë realitet, kur thotë se partia, që përfaqëson, do ketë kandidatë për kryetarë komune e bashkie, vetëm në katër komuna … "subjekti ynë politik në këto zgjedhje vendore paraqitet me kandidatë për kryetarë komune në katër komuna të rëndësishme. Ne gjithashtu në zgjedhje mbështetemi nga koalicioni “Aleanca për të ardhmen” dhe në komuna e bashki, ku nuk kemi kemi kandidatë për kryetarë komune e bashkie, mbështetim kandidaturat e “Aleancës për të ardhmen”.

Ndarje e minoritetit në dy kampe
Një nga përfaqësuesit e grupimit tjetër politik Mega, Pirro Qiqi, fajëson për këtë realitet PBDNj, që zhgënjeu shpresat e minoritetit e sipas tij nga kjo …"do të arrijë momenti që asnjë përfaqësues i minoritetit të mos jetë as në pushtetin vendor, por edhe kur të bëhen zgjedhjet politike të mos ketë përfaqësim edhe në instancat më të larta të shtetit shqiptar."
Ish kryetari i organizatës Omonia, sot pedagog e njëherësh politolog
Jani Jani kërkon përmes një apeli një ribashkim mbi baza etnike në përfaqësimin e minoritetit, pasi sipas tij …"është e drejta jonë morale për të patur kandidatët tanë. Të shofim fuqinë tonë elektorale, një fuqi elektorale, që kryesisht është e përqëndruar në zonat e Gjirokastrës, të Sarandës e të Delvinës." Por pavarësisht këtij apeli, për shkak të përçarjes brenda rradhëve të tij, në zgjedhjet e 8 majit, që janë në prag, minoriteti grek në Shqipëri i ka ulur ndjeshëm mundësitë e shanset e përfaqësimit në pushtetin vendor.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: Angjelina Verbica