1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri

Nderim për martirët e fesë në kohën e Shqipërisë ateiste komuniste, mesazh botës për dobinë e dialogut dhe bashkëjetesës fetare . Tirana në vigjilje të ngjarjes historike: vizitës së Papa Françeskut, më 21 shtator.

Shqipëria është i pari vend që Ati i Shenjtë viziton në Europë dhe i katërti në të gjithë botën pas Brazilit, Tokës së Shenjtë dhe Koresë së Jugut. ”Me këtë shtegtim të shkurtër dua të përforcoj në fe Kishën e Shqipërisë dhe t'i dëshmoj inkurajimin tim një vendi, që vuajti gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës”shkruan Ati i Shenjtë në përgjigje të ftesës nga Ipeshkvinjtë dhe autoritetet shtetërore të Shqipërisë. Burime zyrtare nga Episkopati Katolik, organi drejtues i Kishës Katolike të Shqipërisë, thanë për DW se “Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite synon të nderojë martirët e fesë që jetuan në kohën e Shqipërisë komuniste ateiste dhe të inkurajojë dialogun ndërfetar, pa lënë mënjanë dialogun politik”. Portretet e 40 martirëve, dëshmorë katolikë dhe ortodoksë në emër të besimit fetar, dekorojnë prej disa ditësh Bulevardin e Dëshmorëve në Tiranë bashkë me portretet e Papës, flamujt e Vatikanit dhe ata kombëtarë. Tirana është në përgatitjet e fundit: në sheshin “Nënë Tereza“ tanimë është gati podiumi, ku të dielën paradite Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë para mijra qytetarëve të Shqipërisë dhe të ardhurve nga vendet fqinje. Sipas të dheënave të Qëndrës së Shtypit të ngritur nga Kisha Katolike, deri tani janë akredituar 1200 gazetarë të huaj. Në Tiranë ka mbritur edhe automjeti me të cilin do të lëvizë Papa Françesku në kryeqytet dhe nga ku do të përshëndesë mijëra qytetarë që do ta presin të dielën, më 21 shtator.

Ish-vendi i vetëm ateist në botë -model tolerance dhe mosinstrumentalizimi të fesë

Që pas 13 Marsit 2013, kur kardinali i Buenos Aires-it, Jorge Mario Bergalio, u zgjodh nga Konklava Papale të jetë pasardhës i Papa Benediktit të XVI të dorëhequr dhe të bëhej Papa , Papa Françesku, ipeshkevë dhe autoritete shtetërore nga shumë vende e kanë ftuar Atin e Shenjtë t'i vizitojë dhe bekojë. Ai zgjodhi Shqipërinë. Burime nga Vatikani citojnë Papa Franceskun të ketë thënë pas udhëtimit në Korenë e Jugut, në gusht të këtij viti, se kishte vendosur që vendi i pestë në turin e tij ndërkombëtar ishte Shqipëria.“ Së pari sepse në Shqipëri ia dolën mbanë të formojnë një qeveri – mendojmë për Ballkanin! – një qeveri të bashkimit kombëtar mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, me një Këshill Ministrash ndërfetar që është shumë i ekuilibruar dhe i dobishëm, që po punon si duhet dhe është në harmoni. Prania e Papës në Tiranë është një mënyrë për t' iu thënë të gjithëve: Ne mund të punojmë së bashku. Dhe së dyti nëse shohim historinë, lidhur me besimin fetar, Shqipëria është i vetmi vend komunist ku ateizmi u vendos me Kushtetutë, ku nëse shkoje në meshë dhunoje Kushtetutën, ku u shkatërruan 1,820 kisha ortodokse, katolike, ndersa të tjera u kthyen në kinema, teatro, salla vallëzimi. Ndjej që duhet të shkoj në Shqipëri” citohet të ketë thëne Ati i Shenjtë pas kthimit, para një muaji, nga Koreja e Jugut.

Shqipëria- shembull pozitiv i mosinstrumentalizimit të fesë

Periudha mëse 20 vjecare post- komuniste i dha vlera të reja traditës së bashkëjetesës paqësore ndërfetare në Shqipëri. Pirro Misha, Drejtor i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, thotë për DW. “Shqipëria është një shembull pozitiv, një simbol ku feja nuk është kthyer në një instrument për përҫarje. Shikoni se çfarë po ndodh aktualisht sot, sesi feja po bëhet një instrument për përplasje politike dhe sherre. Dikur vend i vetëm ateist në botë sot ishull në botë ku feja nuk përdoret për dasi dhe konflikt. Kjo është një vlerë që Shqipëria i ofron botës dhe padyshim lidhet edhe me arësyet pse Papa zgjodhi të vizitojë Tiranën.” Për Dom Gjergj Metën vizita historike e Papa Françeskut lidhet me besimtarët. “ Kjo vizite ka ka të bëjë së pari me besimtarët e Kishës Katolike, pasi Papa është kreu i Kishës Katolike, bariu ynë shpirtëror, pasardhësi i Pjetrit që vjen për të përforcuar vëllezërit e tij në besim. Vizita e tij është një tregues i raporteve shumë të mira që Shqipëria ka me Vatikanin por edhe i lirisë fetare në Shqipëri në këto vite demokracie. Papa është edhe një autoritet që ka të bëjë me gjithë popullin shqiptar, ai vjen të takojë gjithë popullin shqiptar, gjithë krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri” thotë për DW, Dom Gjergji.

Dom Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta

Vizita e Atit të Shenjtë- mesazh për Bashkimin Europian

Simbolika e vizitës në Tiranë të Papa Françeskut nuk ndalet vetëm tek promovimi i modelit të Shqipërise lidhur me bashkëjetesën fetare dhe moskthimin e fesë në instrument perplasjesh politike. Në 15 qershor të këtij viti, një ditë para publikimit të lajmit se më 21 shtator do të vizitonte Shqipërinë, Ati i Shenjtë, tha në një takim me komunitetin e Sant' Egidio-s në Romë se ”Europa i ka bërë hasha, i ka mohuar rrënjët e saj”. Nga Tirana duket se Papa do t'i adresojë Europës mesazhin e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij europiane, mesazh që i parapriu Kancelarja gjermane Angela Merkel me konferencën e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nën kujdesin e sajn ne 28 gusht te ketij viti. ” Papa Françesku vjen në Shqipëri në një rrethanë të veçantë historike për të takuar popullin shqiptar, kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat dhe kjo vizitë pritet ta ndikojë pozitivisht në proceset e integruese” thotë për DW, Dom Gjergj Meta.

Papa - Qyetar Nderi i Tiranës

Dhurata e Papa Françeskut për Shqipërinë do të jetë krejt unikale: një kopje e dixhitalizuar për Bibliotekën Kombëtare e Mesharit të Gjon Buzukut, vepra e parë e shkruar dhe e publikuar në shqip, në vitin 1554. Kryeministri Rama e cilësoi këtë dhuratë ”klon të Mesharit”. Ati i Shenjtë është Papa i Dytë që viziton Shqipërinë, pas Shenjtit Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993, kujtimin e të cilit se bashku me atë të Nënë Terezës ai do të nderojë në Tiranë. Atit të Shenjtë do t'i dorëzohet çelësi i Tiranës dhe do t'i jepet titulli “Qytetar Nderi ” me motivacionin: “Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”