1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në veri të Mitrovicës në balotazh: Pantiçi dhe Ivanoviçi

Subjekti politik ”Lista Qytetare Serbe”, e mbështetur nga qeveria e Beogradit, mori më shumë vota në rivotimin e ditës së diel në veri të Mitrovicës. Sipas KQZ-së në balotazh dy serb, Krstimir Pantiç dhe Oliver Ivanoviç.

Krstimir Pantiç, nga subjekti politik serb ”Lista Qytetare Serbe”, fitoi numrin më të madh të votave nga rivotimet që u zhvilluan të dielën me 17.11 në veri të qytetit të Mitrovicës, mirëpo jo të mjaftueshme për tu zgjedhur në raundin e parë kryetar komune, njofton KQZ-ve. Lista Qytetare Serbe, kishte mbështetjen e qeverisë së Beogradit, cka e dëshmoi edhe me prezencën e tij gjatë gjithë ditës së diel në veri të Mitrovicës, ministri pa portofol në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin. Nga 5231 vota, apo 22.38 % të votuesve sa dolën në zgjedhje, Kërstimir Pantiç, mori 37.06 % ndërsa, Oliver Ivanoviç, 28.53 %. Agim Deva, Kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës PDK, mori 20.29 %, njoftoi KQZ-në faqen e vet zyrtare. Kërstimir Pantiç dhe Oliver Ivanoviç, do të garojnë edhe në një rreth votimesh për kryetar komune të veriut të Mitrovicës me datën një dhjetor, 01.12, kur do të zhvillohet balotazhi edhe në shumicën e komunave të Kosovës.

Qeveria e Beogradit favorizoi, vetëm një subjekt politik

Kandidati për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç, ka akuzuar qeverinë e Beogradit e cila sipas tij, hapur ka përkrahur “Listën Qytetare Serbe”, me kandidat, Kërstimir Pantiç.

“Ata favorizuan një listë, një subjekt politik dhe binden qytetarët që të votojnë për ta. S'mund të përkrahet vetëm një subjekt politik. Kjo nuk është e drejtë”, thotë Oliver Ivanoviç, citojnë atë mediat lokale serbe.

Jahjaga” Po e përmbyllim kapitullin e kundërthënejeve dhe përplasjeve”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se procesi zgjedhor në veriun e Mitrovicës që u zhvillua të dielën me 17.11., po shënon përmbylljen e një procesi jo të lehtë të integrimit të veriut të Kosovës.

“Me zgjedhjet lokale që u zhvilluan të dielën në veri të Mitrovicës po rrumbullakojmë procesin e integrimit të të gjitha komuniteteve dhe të komunitetit serb që jeton në veri. Po e përmbyllim kapitullin e kundërthënieve dhe përplasjeve në vend”, thotë në një deklaratë për media presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ndërkohë, vëzhguesit vendorë nga “Demokracia në Veprim”, thanë se parregullsitë e vetme që janë shënuar gjatë procesit të rivotimit në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës ishin, “materiali propagandues brenda qendrave të votimit dhe mungesa e emrave në listat e votuesve”.

OSBE e kënaqur me procesin e rivotimit në veri

Misioni i OSBE-së i cili është i angazhuar që t'i lehtësojë zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të datës 19 prill, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kësaj radhe u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të votimit.

Shefi i këtij misioni në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën në mbrëmje tha:

“Jam shumë i kënaqur që nuk ka pasur incidente dhe që procesi ka rrjedhur mirë. Të gjithë autoritetet e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i si dhe subjektet politike që garuan në Mitrovicën e Veriut, i kanë kontribuar ambientit të qetë,” tha ambasadori Schlumberger.

Organet e rendit garantuan sigurinë në veri gjatë votimit

Sidoqoftë, KQZ që kishte barrën kryesore të organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës, falënderon qytetarët e veriut që i janë përgjigjur thirrjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Edhe misioni EULEX, thotë se organet e rendit arritën të garantojnë një proces të qetë zgjedhor në veri të Mitrovicës.

“Jam shumë i kënaqur që procesi i votimit të dielën me 17.11 u mbyll në mënyrë të qetë, pa incidente të mëdha, duke ju ofruar mundësi qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Bashkërendimi ndërmjet EULEX-it, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe OSBE-së, ishte i shkëlqyeshëm”, thotë në një deklaratë për media Bernd Borchardt, Shef i misionit EULEX në Kosovë.

Edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, e vlerësoi angazhimin e organeve të rendit për të siguruar se të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të votojnë pa frikë nga dhuna apo frikësimi.“Zgjedhjet lokale japin një mundësi të rëndësishme për të ndikuar në vendimet që janë të rëndësishme për qytetarët”, thuhet në deklaratën për media të ambasadës amerikane në Kosovë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar në shumicën e komunave të Kosovës do të zhvillohet me një dhjetor, njofton KQZ.