1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në veri të Mitrovicës, më 23 shkurt votohet për kryetar komune

Qytetarë në veri të Mitrovicës do të shkojnë përsëri në zgjedhje komunale. Presidentja Atifete Jahjaga ka caktuar datën 23 shkurt.

Mitrovica

Mitrovica

Me datën 23 shkurt, në veri të Mitrovicës do të votohet për kryetar komune. Kështu vendosi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, njofton zyra e saj për informim.

“Presidentja Jahjaga ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e presidentes Jahjaga.

Presidentja Jahjaga u bën thirrje të gjithë qytetarëve, me të drejtë vote, të komunës së Mitrovicës së Veriut, që të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetarin e komunës, duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese dhe ligjore.

Zgjedhjet për kryetar të komunës së veriu të Mitrovicës, përsëriten pasi që kryetari i zgjedhur në zgjedhjet e tre dhjetorit të vitit të shkuar, Kërstimir Pantiq, nuk pranoi të betohet nën logon dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Për këtë ai humbi mandatin, por jo edhe këshilltarët e zgjedhur të cilët pranuan të nënshkruajnë deklaratën e betimit, megjithëse me simbole të mbuluara të Kosovës.

Gjendja në veri të Mitrovicës u tensionua javën e shkuar, kur persona tash për tash të panjohur, vranë me armë zjarri para shtëpisë së tij, këshilltarin e zgjedhur komunal në komunën veriore të Mitrovicës, Dimitrije Janiqijeviq. Kjo vrasje u dënua nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe prania ndërkombëtare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në njoftimin e saj për datën e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të ri në veri të Mitrovicës me 23 shkurt, thotë se, “zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe të ndershme që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin në mënyrë të lirë përfaqësuesin e tyre legal e legjitim”.