1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Në veri të Mitrovicës, do të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune

Kërstimir Pantiq, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, nuk pranoi të bëjë betimin nën simbolet e Republikës së Kosovës.

Në veri të Mitrovicës do të ketë zgjedhje të reja për kryetar komune, pasi kryetari i zgjedhur, Kërstimir Pantiq, nuk pranoi të bëjë betimin me ligjet e Kosovës dhe rregulloret që i përcakton ministria e administrimit të pushtetit lokal. Kështu bëri të ditur të hënën me 13.01 në një njoftim për media, zyra e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaci. Të shtunën me 11.01, pak minuta para mesnatës, u mbajt seanca konstituive në katër komunat në veri të Kosovës, ku deputetët lokalë serbë e shqiptarë e nënshkruan deklaratën e betimit me simbole të mbuluara të Kosovës. Për gjetjen e kësaj zgjidhje ishte i përfshirë edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Mirëpo, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantiq, as kështu nuk pranoi të bëjë betimin. 12 janari ishte afati i fundit kur ai duhet të merrte detyrën.

Kërstimir Pantiqin e citojnë mediat në Serbi të ketë deklaruar se ”nuk pranon të jetë kryetar i një komune në Republikën e Kosovës”.

Përsëritja e zgjedhjeve

Qeveria e Republikës së Kosovës ndërkaq, në njoftimin e saj, thotë se “qeveria e ka pranuar me datën 13.01, raportin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbi mbarëvajtjen e inaugurimeve të organeve komunale në katër komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të dala nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013”.

“Është bërë dhënia me sukses e betimeve nga kryetarët e komunave, përveç nga kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës veriore, i cili ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë dhe në këtë komunë do të përsëriten zgjedhjet për kryetarin e komunës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni përkatës në fuqi”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Vendimi i Pantiqit nuk do të ndikojë në destabilizimin e gjendjes

Për datën e përsëritjes së zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, tash duhet të vendosë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e autorizon më pas Komisionin Qendror të Zgjedhjeve KQZ që të përgatisë zgjedhjet.

Ndërkohë, kryetari i Listës Qytetare ( SDP ), Oliver Ivanovic, i cili ka qenë në garë me kryetarin e zgjedhur të Mitrovicës veriore, Kërstimiq Pantiq, tha për mediat lokale serbe se “zgjedhjet e reja për kryetar të Mitrovicës së Veriut, mund të mbahen brenda 15 ditësh”.

“Vendimi i Kërstimir Panticit, për të mos e marrë detyrën e kryetarit të komunës, nuk do të ndikojë në destabilizimin e gjendjes në veri të Mitrovicës”, citohet Oliver Ivanoviq.

Në katër komunat veriore të Kosovës, shumicën e vendeve në asamble komunale u fituan kandidatët nga “Nisma Qytetare Serbe”, subjekt politik ky i mbështetur nga qeveria e Beogradit. Veriu i Kosovës u përfshi në zgjedhje lokale për herë të parë vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi me 19 prill të vitit 2013. Sipas kësaj marrëveshje, do të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe. Tashmë 10 komuna të Kosovës do të udhëheqen nga “Nisma Qytetare Serbe”, që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd.