1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në Universitetet gjermane fillon shkollimi i imamëve

Duke filluar nga semestri dimëror në Tübingen, Münster dhe Osnabrück do të ngrihen qendrat për studime islame për shkollimin e mësuesve të fesë islame për shkollat si dhe për imamë.

Në Universitetet gjermane fillon shkollimi i imamëve

Në Universitetet gjermane fillon shkollimi i imamëve

Gjermania fillon vitin e ardhshëm me vendosjen e bazave për shkollimin e lartë të teologëve islamë. Duke filluar nga semestri dimëror në Tübingen, Münster dhe Osnabrück do të ngrihen qendrat për studime islame për shkollimin e mësuesve të fesë islame për shkollat si dhe për imamë. Ministrja federale gjermane e Arsimit, Annette Schavan prezantoi të enjten (14.10.) në Berlin rezultatet e procesit të përzgjedhjes për ngritjen e qendrave të tilla në Universitetet gjermane.

ministrja federale të Arsimit, Annette Schavan

Ministrja federale e Arsimit, Annette Schavan

Deri tash në disa vende të Gjermanisë janë krijuar qendra, të cilat ofronin mësime për fenë islame. Ato shërbejnë për përgatitjen e mësuesve për lëndën e fesë islame dhe përcjelljen e zhvillimeve të planeve arsimore për këtë lëndë. Ngritja e themeleve për studime islame përbën një shtesë të rëndësishme dhe po ashtu bazë të mirë për zhvillimin e këtyre ofertave. Prandaj që në krye është provuar që të gjenden koncepte dhe vende të përshtatshme, që ato të lidhen me njëra-tjetrën, shkollimi i teologëve për lëndën e fesë islame në shkolla dhe studimet teologjike.

Në Ministrinë Federale të Arsimit kishin arritur kërkesat e disa universiteteve. Sipas ministres Schavan, një komision i lartë i përbërë nga ekspertë të fushës kanë vendosur në bazë të kualitetit të koncepteve të ofruara: "Së pari: Tübingeni të zhvillohet dhe promovohet si vend për studimet islame. Ai posedon parakushte të mrekullueshme, me qendrat më të fuqishme për studime teologjike, si fakultetin për studime evangjeliste ashtu dhe fakultetin për studime katolike, shkencën islame dhe teologjinë si dhe rrethe të tjera të shkencave humane".

Xhamia Imam-Ali, Hamburg

Xhamia Imam-Ali, Hamburg

Tübingeni mbi këtë bazë ka paraqitur një koncept të sofistikuar, forca e të cilit para së gjithash sipas Schavan-it qëndron në mënyrën e përshkrimit të zhvillimit të studimeve teologjike dhe lidhjen e tyre me një shkollim të mirë të shkencëtarëve të rinj.

Përveç Tübingenit, si qendër për studimet e ardhshme islame janë përzgjedhur së bashku si një qendër e vetme edhe qytetet Münster dhe Osnabrück. Ministrja Schavan përmend arsyet: "Kështu Münsteri ka ofruar parakushtet e mrekullueshme për një diskurs akademik me kërkesa të larta duke pasur parasysh spektrin e lëndëve ekszistuese dhe përqëndrimin në studimet teologjike dhe shkencat që kanë të bëjnë me fenë. Osnabrück-u disponon përvojën e duhur dhe partneritete të suksesshme si dhe njohuritë për përgatitjen e mësimdhënësve dhe shkollimin e mëtejshëm të imamëve, plotësuar edhe nga një arsimim i fokusuar në fushën e kërkimeve shkencore për migracionin."

Münster-i dhe Osnabrück-u do të përkrahen si një rajon i përbashkët shkencor me kusht që të dyja universitetet të zhvillojnë një koncept bashkëpunimi. Në këtë mënyrë ato mund të kenë një ndikim në krejt Gjermaninë veriore.

NO FLASH Islam-Studiengänge an deutschen Hochschulen

Pozitivisht nga komisioni është vlerësuar edhe propozimi i Universitetit të Erlangenit, të cilit ministrja i ka ofruar një shans për raundin e dytë përzgjedhës në muajin mars 2011.

Schavani theksoi se universitetet gjermane, për shkak të përvojës së tyre teologjike janë posaçërisht të përshtatshme të japin një kontribut qendror për zhvillimin e teologjisë islame. Federata do të finanancojë pesë vitet e ardhshme pesë profesorë studiues, poste të bashkëpuntorëve dhe po ashtu grupe kërkimore. Për një universitet ministria e Arsimit do të caktojë deri në katër milionë euro, ndërkohë që për Münsterin dhe Osnabrückin si një qendër e dyfishtë mund të caktohen më shumë. Ndërkaq landet përkatëse janë të detyruara të marrin përsipër një të tretën e shpenzimeve të nevojshme.

Autor: Sabine Ripperger/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama