1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në Turqi jep dorëheqjen udhëheqja ushtarake

Një pikë e re kulmore në krizën mes ushtrisë dhe qeverisë në Turqi: katër gjeneralë të rangut më të lartë dhanë dorëheqjen. Ata protestojnë kështu kundër kryeministrit Erdogan. Por ky hap i vjen për shtat kryeministrit.

Kryeminstri Erdoan me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke Isik Kosaner, dhe komandantë të tjerë të lartë.

Erdoan ka dobësuar influencën e ushtrisë që prej fillimit të qeverisjes së tij.

Krahas shefit të shtabit të përgjithshëm Isik Kosaner të premten në mbrëmje dhanë dorëheqjen edhe komandantët e forcave tokësore, marinës dhe armës ajrore. Komandantët më të lartë të ushtrisë së dytë më të madhe të NATO-s, kërkuan pensionin e parakohshëm. Kosaner ishte caktuar vetëm një vit më parë në postin e tij. Në deklaratën e largimit, ai thotë tani se nuk ka më mundësi të mbrojë të drejtat e atyre njerëzve, të cilët janë arrestuar, për pasojë të një procesi të gabuar juridik.

250 oficerë turq gjenden aktualisht në burg. Ndër ta janë 42 gjeneralë, rreth një e dhjeta e komandantëve turq. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, i akuzon ata për pjesëmarrje në plane për puç kundër qeverisë së tij. Vala e arrestimeve filloi vitin e kaluar, pasi turqit votuan për reformën kushtetuese të Erdoganit.

Shefi i i përgjithshëm i ushtrisë turke, Isik Kosaner.

Shefi i i përgjithshëm i ushtrisë turke, Isik Kosaner.

Ushtria e dobësuar

Shefi i shtabit të përgjithshëm Kosaner ishte takuar disa herë me Erdoanin ditët e kaluara, për të arritur një konsensus në zënkë, përpara takimit të Këshillit Suprem të Ushtrisë në fillim të gushtit. Shkas për dorëheqjet të premten (28.7.) ishte mesa duket arrestimi i planifikuar i 22 oficerëve të tjerë, ndër të cilët edhe komandantë të rangut të lartë. Mediet turke kishin informuar për një kërkesë përkatëse të prokurorisë.

Ushtria e fuqishme turke e sheh veten si mbrojtëse të trashëgimisë laike të themeluesit të shtetit, Kemal Atatyrk. Ajo ka rrëzuar në 50 vitet e kaluara disa herë qeveritë turke. Që prej marrjes së pushtetit nga partia konservatore fetare e Erdoganit, AK, në janar 2002, pozitat e ushtrisë janë dobësuar ndjeshëm.

Ushtarë turq gjatë një parade ushtarake.

Nën akuzën për tentativë puçi - 250 oficerë turq janë në arrest.

Postet do të plotësohen me shpejtësi

Pas dorëheqjes së gjeneralëve, qeveria me sa duket ka filluar ristrukturimin e udhëheqjes së ushtrisë. Ushtari i rangut më të lartë të vendit tani, gjenerali Nexhdet Ozel, është emëruar komandant suprem i ushtrisë dhe shef i trupave tokësore. Vendimi u shpall me një dekret të Erdoganit dhe presidentit Abdullah Gyl, të premten në mbrëmje (29.7.). Të hënën do të diskutohet për emërimet në postet e tjera të lira. Më pas zhvillohet takimi i radhës i Këshillit Suprem të Ushtrisë, i cili mblidhet dy herë në vit, për të marrë vendime të rëndësishme për personelin. Takimi do të zhvillohet sipas planit, bëri të ditur zyra e kryeministrit. Mesa duket kryeministri turk kërkon t'i plotësojë sa më shpejt postet kyçe të mbetura bosh. Sipas ekspertëve ai tani ka shansin të vendosë në krye të ushtrisë oficerë, të cilët mbajnë më shumë anën e partisë së tij.

Autor: Michael Borgers (rtr, dapd, afp) / E. Xhani

Redaktoi: Bahri Cani